Flirti është art e jo një gjë dhe aq e lehtë për t’u kuptuar nga të gjithë. Është mirë të kemi disa ide që mund të na ndihmojnë për të flirtuar me sukses.
Shiko atë zonjushën atje: ka lyer buzët me shumë buzëkuq, ka pirë shumë gota verë, pastaj sikur braktis veten, pa shpresë, në labirintin e veprimeve për të joshur. Gjestikulon si një marionetë e prishur dhe qesh me zë të lartë, duke u munduar të tërheqë personin që i intereson. Miqve apo kolegëve të saj nuk u vjen për të besuar kur e shohin në këtë pozicion. Megjithatë, ajo është tepër e dëshpëruar që gjithë kjo sjellje e saj të ketë sukses. Kështu që, në vend të nisë hapat drejt një marrëdhënieje të re, përfundon duke kaluar mbrëmjen e vetme, pak e dehur dhe e turpëruar nga dështimi total i ‘strategjisë’ së saj. Po ku mund të ketë gabuar?! Flirti, në thelb, nuk ka të bëjë vetëm me atë që ndjejmë, por varet dhe nga interesi që arrin të zgjosh tek tjetri për personin tënd. Kjo nuk shndërron flirtimin në një shans për të bërë spektakël, por në një mundësi për të zbuluar brenda vetes ndjenjat e tua më cilësore, të cilat mund t’i ndash edhe me të tjerët. Dhe meshkujt, nga ana e tyre, do të duhet të ndihen të vlerësuar dhe më interesantë në praninë tënde. Ajo që i tërheq njerëzit, meshkujt në veçanti, rreth personit tënd është pikërisht mënyra se si ti ndihesh brenda vetes dhe mënyra se si arrin ta transmetosh këtë gjë. Me fjalë të tjera, mesazhi që shpërndan është i rëndësishëm, pasi ‘u flet’ të tjerëve për ty. Nëse do të shkosh në një festë me idenë e ngulitur në mendje se nuk je njeri interesant dhe se nuk do të kesh asnjë shans për të flirtuar me sukses, ka mundësi se në këtë mënyrë do të mbyllet nata për ty, njësoj si një profeci e paralajmëruar. Kusht për suksesin e një flirti është të dish saktësisht çfarë do një mashkull dhe të kesh besim në vete. Shumica e femrave e konsiderojnë flirtin si një mesazh strikt seksual, por ato të mençurat e dinë se të flirtosh nuk do të thotë patjetër të stërmundohesh dhe të jesh interesante fizikisht, por të kesh besim në vetvete dhe të dish t’i nisësh partnerit tënd të mundshëm të njëjtin mesazh. Mos harro të përdorësh me hijeshi instrumentat klasikë të marrëdhënies sociale: buzëqeshjen, prekjen e lehtë, kontaktin viziv, tonin e zërit. Flirti nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht një garë sportive me objektiv të paracaktuar dhe nivel performance. Provo ta marrësh më pak seriozisht dhe do të zbulosh se mund të jetë argëtuese thjesht të flirtosh, pa qenë nevoja të peshosh vazhdimisht se çfarë shansesh ke për ta bërë për vete personin që të intereson. Çelësi është që t’i tërheqësh vëmendjen dhe të mund të ndërtosh ‘intrigën’ më të përshtatshme. Mund ta bësh personin që të intereson të ketë ndjesinë se ti je i vetmi njeri në këtë botë me të cilin ai do të kishte dëshirë të bisedonte, pikërisht se ti i tregon sa simpatike dhe interesante je. Kur flirton, duhet ta magjepsësh mashkullin që ke përballë. Nuk ka pse t’i bësh një listë me pozicionet seksuale të preferuara apo ke frikë se ndoshta ai nuk do ta kuptojë qartë mesazhin tënd?!
Si ta kuptosh që flirti yt ka sukses?
Flirti yt funksionon çdo herë ose ti ke bindjen se kështu është. Në fakt, është e lehtë të kuptosh si janë gjërat. Njerëzit rreth teje të shohin me kënaqësi? Meshkujt kërkojnë të shoqërohen me ty? Miqtë të thonë se ke humor dhe se argëtohen shumë kur janë në praninë tënde? Kalon më shumë kohë duke buzëqeshur se sa duke kritikuar apo përkundrazi, rrini e mërzitur dhe e tërhequr? Si e kupton se ‘teknikat’ e tua të flirtit duhet medoemos të përmirësohen? Ndoshta rri vetëm në shtëpi duke u ndjerë aspak interesante. E ke të vështirë t’u afrohesh njerëzve dhe çdo festë të duket humbje kohe. Por nuk duhet të ndihesh e dëshpëruar. Flirti nuk është një gjë e vështirë: ki besim në vetvete. Buzëqesh më shpesh, përfshije veten në biseda të këndshme, mëso të ruash kontaktin viziv dhe të përdorësh gjuhën e trupit. Pa dyshim është e rëndësishme të dukesh bukur, pasi do të kesh më shumë vetëbesim dhe për rrjedhojë, do t’ua përçosh dhe të tjerëve këtë gjë duke u bërë më tërheqëse në sytë e tyre. Por kjo nuk do të thotë se duhet të dukesh si një fotomodele. Është e mjaftueshme të jesh e ndërgjegjshme për ato pjesë ‘të mira’ të trupit tënd (dekolteja, këmbët, flokët) dhe t’i nxjerrësh sa më shumë në pah. Gjithashtu, ki kujdes të mos harxhosh të gjithë shishen e parfumit, sepse do të heqësh erën natyrale të lëkurës tënde, ‘e kushtëzuar’ me feromone.
• BUZËQESHJA ashtu si dhe e gjithë gjuha e trupit, është një kartëvizitë shumë e rëndësishme për flirt të suksesshëm. Shpeshherë, është çelësi i suksesit për ata që flirtojnë. Për më tepër, duke ‘shpërbërë’ këtë kod, do të jesh e sigurt nëse ai që ke piketuar është i interesuar vërtet për ty. Për shembull, mund të kuptosh nëse i dukesh tërheqëse nga lëvizja e vetullave të tij kur të sheh për herë të parë. Zakonisht, kështu ndodh kur takojmë një person interesant, ngremë vetullat në mënyrë spontane dhe surpriza lexohet lehtë në sytë tanë. Një tjetër shenjë e mirë është lëvizja e buzëve dhe interesi që ato zgjojnë tek të tjerët. Nëse një mashkull ndjek vazhdimisht me shikim buzët e tua kur bisedoni, ka shumë shanse që ai të jetë i interesuar për ty. Në të njëjtën kohë duhet të tregosh kujdes për çfarë po transmeton nëpërmjet gjuhës së trupit. Nëse dëshiron të japësh përshtypjen se je vërtet e interesuar për dikë, mos rri me duart dhe këmbët njëra mbi tjerën. DO të japësh përshtypjen e mbylljes, të pamundësisë. As konsumi i tepërt i alkolit nuk jep rezultate më të mira. Është e vërtetë që alkoli heq ndrojtjen dhe mund të të japë më shumë kurajë, por njëkohësisht mund të ndikojë negativisht, pasi mund t’ju kaplojë ndjenja e melankolisë, si dhe të mos jesh më e kthjellët në gjykim. Është shumë argëtuese të flirtosh kur mendon se e ke situatën nën kontroll, por nëse kjo ndjesi është rezultati i disa gotave më tepër, bëj kujdes, pasi rrezikon të dukesh qesharake dhe shumë e pambrojtur.
• Për të siguruar suksesin e flirtit, vlen shumë ‘FYTYRA’ QË DËSHIRON T’U TREGOSH atyre që të rrethojnë. Nuk është shumë e rëndësishme se çfarë thua, por mënyra se si e thua. Statistikat tregojnë se më pak se 7% e përshtypjes së parë i dedikohet fjalëve. Pjesa tjetër plotësohet me tonalitetin dhe timbrin e zërit, me lëvizjet dhe sjelljen. Me fjalë të tjera, është koha të vëzhgoni dhe të analizoni me sinqeritet mënyrënse si silleni në rrethana të ndryshme në shoqëri. Ndoshta do të duhet të bëni disa ndryshime, por rezultatet përmirësuese për sa i përket flirtit nuk do të vonojnë të shfaqen dhe do t’i meritoni të gjitha sakrificat. Kur bëhet fjalë për flirt, instinkti seksual mund të jetë një ‘pilot’ të cilin mund ta manovrosh sipas dëshirës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.