FB

July 29, 2025 | 12:30

Sekreti i një babai për t’i vënë fëmijët në gjumë shpejt: “Rrëfeni ditën e tyre”

 

Metoda virale e sugjeruar nga një baba në TikTok premton se fëmijët do të bien në gjumë për 15 minuta. Truku? Rrëfimi i ditës së tyre, duke kujtuar të gjitha momentet më të rëndësishme: “Nisni nga çasti kur u zgjuan deri në momentin kur mbyllin sytë. Funksionon vërtet.”

babi-bebi-gjume

T’i vësh fëmijët në gjumë nuk ka qenë kurrë e lehtë: kapriçot, kërkesat për të luajtur edhe pak dhe daljet e pafundme nga krevati mund të vënë në sprovë edhe prindin më të durueshëm. Në vitin 2022, një baba publikoi në TikTok një video ku tregonte një metodë interesante për t’i vënë fëmijët në gjumë për vetëm 15 minuta. Pas suksesit të parë, ky këshillë është rikthyer në vëmendje falë mediave britanike që e kanë risjellë dhe promovuar kohët e fundit, duke ngjallur diskutime dhe kuriozitet tek shumë prindër që kërkojnë zgjidhje për orën e vështirë të gjumit.

 

Truku i Jon-it: tregimi i ditës

Shumë prindër e njohin mirë frustrimin e mbrëmjeve të gjata me fëmijë që refuzojnë të flenë, edhe pasi janë ndjekur të gjitha këshillat e zakonshme: rutinë e rregullt, ndriçim i zbehtë, asnjë ekran para gjumit. Megjithatë, shpesh ndodh që fëmijët të kenë nevojë për 45 minuta ose më shumë për të rënë në gjumë. Rezultati? Prindër të rraskapitur dhe pak kohë për veten. Për ta zgjidhur këtë problem, Jon, një baba i dy fëmijëve të vegjël, nisi të eksperimentojë me strategji të ndryshme dhe të ndajë rezultatet në TikTok. Nga të gjitha “sht trick”-et që ai provoi, ajo që pati më shumë sukses ishte një metodë që, sipas tij, redukton kohën e gjumit në vetëm 15 minuta. Si? Në vend të një përralle klasike, ai u rrëfen fëmijëve historinë e ditës së tyre.

Teknika fillon si një rutinë e zakonshme mbrëmjeje: pizhama, dhëmbë të larë, dritat e ulëta. Por në momentin e rrëfimit, Jon sugjeron të kujtohet së bashku çdo gjë që ka ndodhur gjatë ditës që kaloi: “Nisni nga zgjimi, flisni për mëngjesin, lojërat, shëtitjet,” këshillon ai. Nëse diçka harrohet, mund t’i bëni pyetje fëmijëve, duke i lënë ata të kujtojnë ose të korrigjojnë detajet. Në fund, historia mbyllet me një frazë qetësuese: “Dhe pastaj mbyllën sytë dhe ranë në gjumë.”

 

Pse funksionon? Një ndihmë nga truri

Sipas Jon-it, kjo praktikë nuk është vetëm argëtuese dhe përfshirëse, por ka edhe një bazë “shkencore”. Rrëfimi i ditës aktivizon hipokampusin, zonën e trurit përgjegjëse për organizimin dhe ruajtjen e kujtimeve. Është e njëjta pjesë që aktivizohet menjëherë pasi biem në gjumë. Rrëfimi i ditës “përgatit” kështu trurin e fëmijës për këtë proces natyral, duke e lehtësuar kalimin drejt gjumit. Jon pranon se nuk ka për qëllim të “mashtrojë” trurin e fëmijëve të tij, por e konsideron një lloj “hack-u” për ta bërë më të lehtë një proces që ndryshe mund të jetë i lodhshëm.

Natyrisht, çdo fëmijë është ndryshe; nuk ekziston një metodë universale, dhe ekspertët gjithmonë këshillojnë të provohet vetëm ajo që i bën prindërit dhe fëmijët të ndihen rehat. Teknika e Jon-it është thjesht një ide shtesë: një mënyrë për ta kthyer gjumin në një moment lidhjeje të dashur, duke reduktuar stresin dhe të qarat. Dhe ndoshta, për disa familje, do të mund të shkurtojë vërtet ato minuta të gjata të pritjes (kot) që gjumi të vijë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top