Fëmijëria është një proces në kohë. Sendërtimi është baza. Natyrisht që pjesë e këtij zinxhiri janë një sërë faktorësh që kontribuojnë për krijimin e individit të së ardhmes. Gjurmët shënjojnë zhvillimin. Ato janë krejt të rëndësishme për të ndarë njeriun në qasjet e ndryshme të jetës. A-ja e kësaj shtylle është padyshim familja. Është ajo që vendos orientimin e unit të një fëmije. E mandej janë institucionet arsimore që njehsojnë formimin e plotësuar. Ka zgjedhur një mision të guximshëm, ndonëse e re e me shumë impenjime. Por e ka një arsye të fortë. Selvi Beçaj ka shumë dashuri për fëmijët.
Vetë nënë e pesë fëmijëve të vegjël, ka vendosur që bashkërisht me rritjen e tyre t’u falë gjithçka e me zemër një grupi të madh fëmijësh në kopshtin të cilin ajo administron. Aspak e vetme në këtë mision, dhe me një zemër të madhe, Selvi Beçaj ka guxuar që bashkërisht me fëmijët e saj, dhe stafin me mjekë, psikologë, mësues, edukatorë dhe ndihmës, të ndihmojë në rritjen dhe edukimin e një brezi që nesër do të përfaqësojë të ardhmen e vendit në fusha të ndryshme.
Puzzles është institucion, jo vetëm sepse ligjërisht ka licencën dhe ushtron një aktivitet edukativo-arsimor, por, është më shumë se kaq. I vendosur pranë rezidencës së vilave amerikane të banimit, ai ngrihet në një godinë katërkatëshe, rrethuar nga gjelbërimi dhe pemë frutore sipas stinëve. Dhe, është një kopsht i madh, i rrethuar me gardhe e pjergulla, me sistem mbrojtës dhe vëzhgues. Gjithçka që preket nga afër e lejon fëmijën të ngasë, nuhasë dhe shijojë natyrën pamatshmërisht. E në këtë mision, Selvi Beçaj është sinonimi i gruas shembullore që ka një zemër të madhe, një zemër që ndihmon për formimin e mendjeve të mëdha.
Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ
Si lindi ideja e një sipërmarrjeje të tillë?
Menaxhimi dhe aktivitetet e një sipërmarrjeje të tillë, ashtu sikurse e keni konstatuar edhe ju, janë të ngjeshura. Mirëpo, gjurmët e fëmijërisë na shoqërojnë gjithë jetën. Janë baza, themelet le të themi të një ndërtese shumëkatëshe që do të jetë vetë jeta. Dhe sa më të forta dhe sa më shpresëdhënëse t’i hedhësh këto themele, aq më shumë ia ndjen kënaqësinë punës që ke bërë, dhe aq më i realizuar do jesh në jetë si individ. Nëse do kemi fëmijëri të lumtur, do jemi njerëz më të përmbushur në jetë. Nëse do kemi një fëmijëri të arnuar, gjithçka lë gjurmë në hapat pasardhës që hedhim në jetë.
Ashtu si çdo sipërmarrje tjetër, si çdo punë që në fund të ditës kalkulon stresin, lodhjen, por edhe kënaqësinë e asaj çka bën dhe çka merr, edhe menaxhimi i një kopshti ka pak prej secilit element. Pavarësisht të gjithave, çdo punë duhet bërë me pasion. Puna në kopsht do shumë dashuri brenda. Një fëmijë ka dashurinë e prindit në shtëpi, dhe nëse nuk gjen një ambient të ngrohtë dhe komod aty ku kalon një pjesë të mirë të ditës, as ai nuk ndihet mirë, dhe po ashtu as prindi. Jam prind vetë dhe këtë gjë e kam përjetuar te fëmijët e mi.
Me Puzzles jam njohur para gati 4 vitesh ku më solli një mike e familjes, ajo e cila ma la në besueshmëri tashmë. Më pëlqeu që në impaktin e parë. Gjithçka ishte e bukur, e këndshme, një ambient i ngrohtë dhe familjar. Me një staf të kualifikuar dhe të qëndrueshëm, shumë të dashur e të përkushtuar. Mirëpo, në atë kohë kur unë isha në kërkim të një kopshti për fëmijët, mora mandatin tim të dytë si diplomate në Stamboll dhe u largova nga vendi. Rikthimi më përballi sërish me Puzzles.
E njëjta mikeshë, do ta linte kopshtin për arsyet e saj personale dhe kjo ishte diçka që në fakt e kisha menduar edhe më herët se mund ta bëja. “Vulën” e konfirmimit ia vuri mamaja ime, pasi ajo ka qenë pranë meje gjatë gjithë këtyre viteve, duke më ndihmuar me rritjen e fëmijëve të mi, dhe shprehet që është kënaqësia më e madhe që ka marrë në jetë së bashku edhe me rritjen e fëmijëve të saj, patjetër. Ky është absolutisht investimi më i bukur, i bërë me shumë zemër dhe pasion që shpërblimin më të madh e merr në sytë e fëmijëve dhe kënaqësinë e prindërve të qetë dhe të sigurt se ku i kanë besuar krijesat e tyre më të çmuara.
Vini nga një përvojë në fushën e diplomacisë. Sa ju ka ndihmuar në bërjen e gjërave sipas rregullave?
Diplomacia, shumë e bukur në profilin e saj, por kërkon një profesionalizëm strikt dhe konkret. Fushat e ndërveprimit kanë fije të dukshme dhe të padukshme, është një labirint jashtëzakonisht i vështirë dhe në të njëjtën kohë, i bukur e me shumë sfida. Ndërsa angazhimi aktual, më shumë se aspektin strikt profesional, kërkon ndjenjën brenda, pasi askush nuk të do me imponim. Ndenja vjen si pasojë e ndërveprimit me dashuri dhe jo me autoritet. Të duan se u përkushtohesh dhe fëmijët e ndjejnë këtë, ua përçon me shikim, me veprim, me përkushtim. Ndërsa në diplomaci shpeshherë ‘luhet’ fytyra e pokerit në shumë negociata dhe angazhime serioze për shtetin. Që të mos dështosh, profesionalja duhet të jetë e tejskajshme në ndërveprime.
Sa i përket ndihmës që mund të më ketë dhënë për t’i bërë gjërat sipas rregullave dhe harmonishëm, është se aspektet globale dhe ndërveprimet e tyre, startojnë gjithnjë nga hapa të vegjël. Nëse starton bukur me vitet e para të fëmijërisë, arrijmë të harmonizojmë jetët tona në të ardhmen, duke pasur parasysh se investimi në breza duke nisur nga sprinti fillestar, bëhet që të jetë një maratonë e bukur dhe e arrirë. Me një shoqëri të bukur dhe të përkushtuar, pasi në të ardhmen do reflektojnë atë çka kanë marrë sot në hapat e tyre të parë, dhe do jenë këto krijesa të bukura që nesër do bëjnë diplomacinë globale dhe do sjellin risi sipas fushave përkatëse.
Jeni nënë e pesë fëmijëve. Ju ka ndihmuar mëmësia që t’ia dilni mbanë situatës?
Të qenit nënë e vetëm një fëmije është një bekim nga Perëndia, imagjino unë me pesë që i jam mirënjohëse Zotit për sa shumë më ka dashur që më ka bërë dhurata kaq të çmuara në jetë. Pas lindjes së çdo fëmije kam mësuar gjëra të reja, dhe ende sot mendoj që ky është një aspekt që kurrë nuk mund të thuash se di mjaftueshëm. Le të themi se, diferenca e vogël më ka bërë të jem më praktike në zgjidhjen e shumë situatave. Nuk alarmohem lehtë, siç bëja dikur kur kisha vetëm një fëmijë, pasi përvoja më ka rritur dhe gjëja më e bukur është që nuk kanë diferencë grupmoshash. Ashtu siç ka vështirësitë e veta në lodhje, përkushtim dhe pagjumësi, ashtu më jep dhe lehtësitë e veta, pasi interesat e fëmijëve janë pak a shumë të njëjta. Janë një ekip i vogël kudo ku shkojnë, në not, te lodrat, në kopsht, në shtëpi. Edhe ata vetë ndihen mirë si një skuadër, çka është lehtësuese për mua, pasi kanë njëri-tjetrin dhe unë u duhem vetëm kur kanë nevojë.
Gjendemi në një mjedis ku ka ajër, gjelbërim, me një fjalë natyra që e dëshirojmë të gjithë ne që jemi të rrethuar nga betoni. Sa vlerë merr kjo në këtë ambient të madh për fëmijët?
E vërtetë kjo që thoni, ajri dhe natyra është ajo çka gjejmë gjithnjë e më pak në ditët tona, megjithëse sforcot për ndryshim dhe gjelbërim ndihen tashmë që janë në hapa serioze. Ky është një mjedis i këndshëm, të cilin e kanë zgjedhur personat që e kanë themeluar këtë aktivitet. Vlerat e natyrës për fëmijët duhet të mbeten themelore; lidhja me natyrën është lidhja me gjenezën. Por edhe pse ka ambiente të bollshme, personalisht do preferoja të kishte më shumë se kaq. Kjo vjen pak edhe nga natyra ime kritiziere, pasi kurrë nuk kënaqem. Dua më të mirën në atë që bëj.
Një godinë e konceptuar në ndarje që formojnë ambientet zhvilluese të orëve të mësimit dhe qëndrimit për fëmijët. Ndarja nis që me çerdhen, me fëmijë nga mosha 18-muajsh. Kalojmë në grupet e kopshteve sipas grupmoshave dhe grupet e parashkollorit. Çdo grup nuk ka më shumë se 12 fëmijë nën kujdesin e 2 mësueseve, çka koncepton 6 fëmijë me 1 mësuese. Grupet ndahen në shqiptare dhe internacionale, pasi ka kërkesë të fëmijëve me kombësi ndryshe nga ajo shqiptare.
Katet janë të përcaktuara me grupmoshat përkatëse, ku zhvillohen orët e mësimit, projektet e ndryshme që krijohen nga duart e fëmijëve dhe që i ndihmojnë në zhvillimin e fantazive dhe duke vazhduar me lojëra dhe argëtime qoftë brenda ambienteve të kopshtit, qoftë në oborrin apo bahçen që kemi përreth kopshtit. Një ditë në javë bëjmë balet dhe një ditë në javë kikboks me një vajzë profesioniste, e cila do të zhvillojë aftësitë shkathtësuese të fëmijëve në aktivitet fizik profesional. Përveç argëtimit të lirë, në ditët e ftohta kemi edhe një klasë ku fëmijët shohin filma vizatimorë nëpërmjet një videoprojektori, pasi televizorin nuk kemi dëshirë ta aplikojmë. Fëmijët duhet të mësohen se ora e kinemasë është thjesht pjesë e argëtimit, dhe jo të rrinë para TV me orë të gjata.
Këtu më duket ka më shumë fëmijë të kombësive të huaja. Rastësi apo zgjedhje e tyre?
Ky kopsht është iniciuar nga dy persona të huaj, një amerikane dhe një angleze dhe në sajë të tyre, kurrikulave që lanë pas, programeve, gjithë përvojës dhe dashurisë që sollën te ne dhe që u përkushtuan me shumë pasion, në atë kohë kishin fëmijët e tyre apo të miqve. Kjo pastaj ka shkuar si traditë zinxhir e një pune të mirë, ku kopshti vazhdon të vlerësohet për fanatizmin që ka ruajtur nga krijuesit e parë dhe siç e theksova, çdo grupmoshë përkatëse ka dy grupe, atë internacional dhe atë shqiptar. Është ‘word of mouth’ ndryshe, kënaqësitë dhe vlerësimet që marrim nga prindërit ekzistues përcillen tek prindërit e rinj që kërkojnë një vend të sigurt dhe plot dashuri për krijesat e tyre që është gjëja më e shtrenjtë që kanë.
‘Puzzles’ nënkupton më shumë se sa edukimi apo programi klasik?
‘Open House’ i parë është bërë në fund të gushtit 2013. Aty ka qenë starti i krijimit të kopshtit ‘Puzzles’ nga katër persona, katër miq të vjetër, një amerikane, një angleze dhe dy shqiptare. Ata u bën grup për krijimin e një kopshti ndryshe. Ndryshe, sepse donin të sillnin në këtë kopsht atë çka kishin parë se mungonte deri atëherë, si: Kopshti të funksiononte jo si institucion klasik, por si një familje e madhe, ku argëtimi dhe mësimi të ishin të shkrira së bashku. Ushqimi cilësor dhe i kontrolluar për fëmijët që të sigurohej të merreshin vitaminat dhe kaloritë e nevojshme gjatë çdo dite dhe sa më pak sheqer.
Pra, në thelb, jo çokokrem, por ëmbëlsuesi për çdo vakt do të ishte mjalti, që vazhdon të jetë pjesë e dietës sonë. Një staf i përzgjedhur me kujdes, ku shumica e tyre vazhdojnë edhe sot, pasi qëndrueshmëria e stafit nënkupton seriozitetin e çdo institucioni. Çdo gjë organizohet në bashkëpunim dhe harmoni, ku çdo problem i një fëmije është si një ‘problem familjar’ ku së bashku mundohemi ta zgjidhim në mënyrën më të mirë të mundshme në bashkëpunim të padiskutueshëm me prindërit. Në idenë e krijimit ishte që krijimet ‘Crafts’ do ishin pa fund. Çdo temë pasqyrohej me to. Eksperimentet e ndryshme sipas temave.
Aktivitetet brenda kopshtit, në oborrin e tij dhe jashtë tij do të ishin në mënyrë të vazhdueshme gjatë vitit. Dhe të gjitha këto për argëtim, por më kryesorja për formimin e çdo fëmije në mënyrë gjithmonë e më shumë tërheqëse dhe jo monotone e të mërzitshme, pasi çdo emocion i fëmijës meriton përkushtim dhe duhet të trajtohet me kujdes. Puzzle në anglisht ka kuptimin e një gjëegjëze në formë mozaiku, të cilin e ndërton duke e plotësuar pjesë-pjesë. Ashtu edhe ideja e vënies së emrit në thelb, do të thotë që duhet të formojmë puzzle-n e fëmijës dhe jetës së tij me pjesët më të bukura që ka shoqëria, duke mundësuar që ky fëmijë kur të rritet të jetë një mozaik i krijuar bukur, me ndjenjë dhe të bëhet një individ që do jetë në shërbimin më të mirë të shoqërisë dhe që shoqëria të jetë mirënjohëse për këtë individ që ka mes saj.
Flasim për një aspekt të rëndësishëm, që është ushqimi.
Kopshti ndodhet në periferi, në natyrë dhe ambient të pastër, me shumë bimë rreth e qark vilës. Ne kemi përreth rrush të zi me erë, hurma, shegë, ftonj, mandarina, kumbull e qershi. Dhe në fakt, është shumë e rëndësishme që përveç mbjelljes së luleve në vazo me doçkat e veta, fëmijët shohin edhe që natyra që i rrethon qenka shumë e bukur. Edukimi me vlera organike është një zakon që duhet të vazhdojmë ta kultivojmë për të mirën tonë.
Kuzhinierja juaj më provokoi nuhatjen e një gatimi të mirë. T’i besosh kuzhinën dikujt është diçka delikate.
‘Paraardhësit’ e mi në këtë kopsht ia kanë besuar gatimin që prej 5 vite e gjysmë tashmë nëna Bardhës. Ushqyerja e mirë është baza e jetës dhe shëndetit të mirë. Përvoja 35-vjeçare e kryekuzhinieres tregon se ky besim është shpërblyer në mënyrë të shkëlqyer. Sa të lehtë e ka bërë pyesni ju? Sinqerisht, ka prindër që vijnë të regjistrojnë fëmijët në kopsht duke bërë pyetjen e parë: ‘A vazhdon të jetë nëna Bardha në kuzhinë?’. Ka fëmijë që janë jo të mbarë në ushqim, të cilët i hanë kryesisht të gjitha gatimet që dalin nga duart e kësaj zonje që di gjithnjë të bëjë recetat e duhura, me kaloritë dhe gramaturat përkatëse në çdo gatim që sjell. Zakonet për dieta të shëndetshme formohen që në fëmijërinë e hershme dhe ne bëjmë maksimumin që ushqimet të jenë jo vetëm të shijshme, por edhe me vlera ushqyese. Përveç fëmijëve, nga duart e nëna Bardhës ushqehet i gjithë stafi ynë, pasi as ne nuk mund t’i rezistojmë provokimit të nuhatjes së gatimeve të saj.
Kuzhina nuk është vetëm gatimi, por higjiena, ruajtja, oksigjenimi i produkteve. Si e garantoni këtë pjesë?
Në kuzhinë përdorim gjithnjë produkte të freskëta dhe cilësore, të cilat janë gjithnjë të pastruara në mënyrën e duhur dhe të sjellë në gatime të shkëlqyera. Gjithçka konsumohet brenda ditës dhe asgjë nuk është e gatuar më parë. Kjo sjell garancinë e produktit. Madje, nëna Bardha mban edhe nga një kampion ushqimi për cilësinë e çdo ushqimi që konsumohet në atë ditë.
Ndalemi tek edukimi i avancuar. Sa rëndësi ka për t’ua lehtësuar zhvillimin psikomotorik fëmijëve?
Fëmijët kanë një energji shumë të madhe, gjithashtu vullnet dhe dëshirë për të eksploruar pa fund. Kjo e bën më të lehtë punën e mësueseve me ta. Mjafton të kesh apo të krijosh me materialet e duhura dhe programi bëhet i larmishëm ndoshta dhe përtej asaj që ke programuar. Pra, përtej librave që ndihmojnë në përqendrim, zhvillimin motorik fin të duarve, koordinimin sy-dorë. Të mësosh nëpërmjet artit krijues dhe eksperimenteve është argëtuese për ta dhe kjo i ndihmon të thithin më mirë temën e përzgjedhur. Aspekti edukativo-arsimor mundëson formimin e fëmijëve, ndërsa psikologjia zbërthen natyrën e tyre. Zhvillimi psikomotorik ka etapat e veta dhe vëmendja ndaj kësaj është më e rëndësishmja. Teoria jonë është “Learn by playing”, pra “Të mësojmë duke luajtur”.
Bashkëpunimi me prindërit është element kyç…
Ndërveprimi prind-mësues është shumë i rëndësishëm për mirërritjen e fëmijës dhe mbarëvajtjen e punëve. Mbetet element kyç, ashtu sikurse në shtëpi mami dhe babi duhet të harmonizohen bashkë. Nëse thotë njëri jo, duhet të jetë dhe tjetri jo, që fëmija të kuptojë unitetin dhe të rritet me një identitet të skalitur mirë. Komunikimi me prindërit është i drejtpërdrejtë nëpërmjet telefonatave gjatë ditës për arritjet apo shqetësimet që mund të kenë fëmijët.
Çdo fundjavë prindërve u dërgohet programi dhe menuja e javës në vazhdim, ku patjetër priten sugjerimet e tyre, si edhe për çdo aktivitet jashtë mureve të kopshtit: në muze, teatër, kinema, park apo konkurs, siç kishim konkursin ‘Gara e gjelbër e kopshteve të Tiranës’, ku morëm edhe ‘Certifikatë Vlerësimi’. Prindërve u dorëzohet një formular, ku kërkohet leje e firmosur nga ata, nëse duan që fëmija ta ndjekë aktivitetin ose jo. Raporti dhe komunikimi me prindin është i vazhdueshëm, pasi është i rëndësishëm. Natyrisht roli i prindit është i pazëvendësueshëm, dhe kryesori në edukimin e fëmijës. Por ne, në bashkëpunim me ta, mundohemi t’i bëjmë fëmijët të mos ndiejnë mungesën e tyre.
Pjesa e ndihmës së shpejtë është një element bazik. A është edhe pjesë e profilit të edukatoreve?
Elementët e ndihmës së shpejtë janë patjetër pjesë e profilit të edukatoreve, por ne kemi edhe numrat e ndihmës së shpejtë të një sistemi që ka funksionuar edhe më parë te ky kopsht, ‘Health Care’. Po ashtu çdo fëmijë në formularin e regjistrimit përveç të dhënave personale, duhet të lërë edhe të dhënat e pediatrit ku ndiqet, që sido të jetë, të jemi koherent me ecurinë e shëndetit të secilit prej fëmijëve. Asgjë nuk bëhet pa njoftuar paraprakisht prindin dhe pa marrë me parë miratimin për çdo ndihmë dhe asistencë që kanë nevojë fëmijët.
Si e keni zgjidhur transportin e fëmijëve?
Ka prindër që preferojnë t’i sjellin dhe t’i marrin fëmijët vetë, ashtu sikurse ka prindër që preferojnë transportin me furgon, e cila është një zgjidhje më e mirë për ta. Përsa i përket shoferëve, ka shoferë të rinj shumë të kujdesshëm, ashtu sikurse ka shoferë në një moshë të thyer që kanë ngelur të rinj në shpirt dhe përshtaten më së miri me fëmijët, që i bëjnë ata të ndihen mirë gjatë transportit nga shtëpia për në kopsht dhe anasjelltas. E rëndësishme është që transporti i fëmijës të jetë i sigurt, me sexholino (karriget e fëmijëve), fëmija të mos bëhet me djersë gjatë udhëtimit, që ajri i kondicionuar të mos jetë as shumë i ftohtë gjatë verës, dhe as tej mase i ngrohtë gjatë dimrit.
Si e gjeni kohën për fëmijët tuaj?
Kjo mund të them që ishte një arsye plus pse vendosa të marr një angazhim të tillë. Duke parë që fëmijët rriten shpejt dhe nuk dua të humbas asgjë nga rritja e tyre, vendosa të bëj një ‘pushim’ paksa të gjatë nga karriera, por pa e lënë në harresë atë. Unë kam nevojë për fëmijët, dhe ata kanë shumë nevojë për mua, pasi nëse nuk do dish nevojat më bazike të tyre, nëse nuk do jesh prezent në hapësirën e jetës së tyre, atëherë do krijohen hapësira që do të vijnë duke u arnuar me rritjen e tyre. Ne rritemi bashkë. Edhe pse jam mami i 5 krijesave, pas çdo fëmije jam rritur edhe vetë një hap më shumë në mëmësi dhe sot ende them që ka rrugë të gjatë përpara në të mësuar.
Në pjesën e parë të ditës e kalojmë te familja e madhe Puzzles dhe pasditen e sidomos fundjavat, së bashku me bashkëshortin ia kemi bërë ritual vetes që të mund të shijojmë sa më shumë të mundim ditën e pushimit, qoftë duke dalë jashtë Tirane apo jashtë shtëpie, qoftë edhe duke ndenjur të gjithë së bashku dhe duke iu dedikuar njëri-tjetrit bashkë me familjet. Duke qenë nënë vetë dhe duke kuptuar dëshirën e çdo nëne për të qenë pranë fëmijëve me kohë të plotë, duke u falur dashuri, përkujdesje, siguri dhe përkushtim, zgjodha të jem në Puzzles, që këtë t’ua jap tashmë jo vetëm fëmijëve të mi, por duke funksionuar të gjithë si një familje e madhe. Ia përcjellim këtë edhe fëmijëve të tjerë.
Jeni edhe poete. Leximi i poezive shëron shpirtin. Si ndiheni pas poezive që krijoni?
Te shprehja që sapo cituat e gjej veten maksimalisht mirë. Edhe për mua poezia shëron shpirtin, edhe pse nuk mund ta quaj veten poete të mirëfilltë. Poezinë e dua shumë. Në fakt, unë i dua të gjitha zhanret e letërsisë, dhe ashtu siç mirërritja e fizikut ka nevojë për ushqim, unë them se truri ka nevojë për dije dhe letërsi. Lexoj edhe kur nuk mundem, d.m.th kur jam në limite kohe, pasi leximi më jep një gjendje shpirtërore ndryshe. Ndërsa poezitë e mia, i shënoj diku ku të mundem (copa letrash, shënime celulari etj) sapo ndiej frymëzimin e vargut që më vjen. Kur neglizhoj, janë raste ekstremisht të rralla, e kam humbur atë poezi dhe nuk mund ta rikthej. Kur shpirti më troket me vargje, përpiqem ta respektoj frymëzimin e tij dhe mos ta humbas. Kështu ndihem në paqe me veten dhe me shpirtin tim.
Në fund të ditës me kë i ndani telashet apo arritjet, pra ku e mbështesni kokën?
Në fund të ditës apo edhe gjatë saj, gëzimet dhe telashet i ndaj me personin që kam zgjedhur të ndaj edhe jetën, të rrisim fëmijët dhe të jemi së bashku, së pari shokë të dy, dhe më pas, prindër të fëmijëve dhe gjithçka tjetër. Kjo është shpatulla e madhe dhe shtylla ku mbështetem për vazhdimin. Vlera të veçanta marrin jashtëzakonisht edhe prindërit e mi, të cilët i kam pasur suport në çdo hap që kam hedhur në jetë dhe do u jem mirënjohëse pa fund dhe gjithnjë e pafuqishme për t’ua shpërblyer gjithçka të tyre në investimin me mua. Ndërsa, motivimin më të bukur në jetë, mbi të gjitha dhe gjithçka ma japin 5 krijesat që më ka bekuar Perëndia. Edhe në ditët më të pafuqishme, arrij të gjej në thellësi të vetes shkëndijën e vogël e ta shndërroj në burim energjie dhe motivim për të ecur përpara, të projektoj dhe të jetojmë çdo ditë në mënyrën më të bukur të mundshme.
Me lejoni ta mbyll me një frazë që e kam të lexuar:
“A e dini pse më pëlqejnë fëmijët?! Sepse pasi grinden, pajtohen me njëri-tjetrin, e flasin si të mos kish ndodhur gjë, pa qenë nevoja për të thënë ‘më fal’, sepse kanë guxim të qajnë para të gjithëve. Dhe ta tregojnë sa të duan, duke hapur krahët; Sepse e duan babain pa limit dhe nuk i zë gjumi nëse nëna nuk është pranë tyre; Sepse ndajnë me shokët ushqimin dhe nuk e tradhtojnë njëri-tjetrin për interes, pasi zemra e tyre s’ka djallëzi; Sepse kur rrëzohen, vrasin gjunjët dhe jo shpirtin; Sepse kur bien, ngrihen dhe kur ngrihen nuk humbasin kohë duke u marrë me atë që ndodhi, por ecin para, duke vrapuar sërish; Sepse nuk qëndrojnë më ata që janë të pasur apo të bukur, por vetëm me ata që i bëjnë të lumtur.
Psikologia Valentina TELHAJ: Jemi këtu për të kuptuar dhe trajtuar çdo emocion!
Sa i rëndësishëm është bashkëpunimi me fëmijët në “Puzzles”?
“Puzzles” është një institucion arsimor shumë i veçantë, ku fëmijëve u krijohet mundësia të përgatiten për hapat e mëtejshme për edukim dhe arsimim. E veçanta e këtij institucioni është gjithëpërfshirja, ku mes fëmijëve shqiptarë ka edhe fëmijë të huaj. Po ashtu, pjesë e tyre janë edhe fëmijët me aftësi ndryshe/me nevoja të veçanta. Ky bashkëpunim për mua është një përvojë shumë e vlefshme dhe kuptimplote. Aty ka diversitete kulturash dhe aftësish. Kjo më bën të ndjehem me fat që rrethohem nga kaq shumë dashuri pa kushte, siç dinë të japin vetëm fëmijët.
Në përvojën tuaj sa nevojë ka pasur për ndërhyrje?
Gjate përvojës sime në atë institucion, ndërhyrjet intensive kanë qenë jo të shpeshta, sepse specializimi i fushës time është më shumë për fëmijët me aftësi të kufizuar/ ndryshe (çrregullimet e spektrit të autizmit, çrregullimet në të nxënë etj, që bëjnë pjesë te çrregullimet neurologjike të zhvillimit), por aty jam edhe për evidentime apo për njohje të problematikave të ndryshme. Në sajë të një personeli profesional dhe bashkëpunues, i specializuar dhe i përshtatshëm për këtë fushë, jam ndjerë mjaft komode në çdo hap të punës sime.
Çfarë vini re te brezi i sotëm, kur dihet, është afruar shumë mosha e ndryshueshmërisë perceptuale për jetën, lojërat, mësimin?
Çdo ditë e më shumë, brezat e rinj ndryshojnë dhe zhvillohen. Ndryshueshmëria perceptuale gjithashtu është relative dhe në progres normal. Ndonjëherë ndodh që ka edhe përplasje brezash dhe edukimesh mes tyre. Brezat e sotëm janë të vrullshëm, eksentrikë, duan të përfshijnë çdo gjë menjëherë, sepse mosha kalendarike nuk përputhet gjithmonë me moshën e zhvillimit mendor. Madje ka raste të caktuara kur shfaqin momente ngarkese, sepse akumulimi i menjëhershëm i emocioneve shkakton nervozizëm tek ata, por ne jemi aty për të kuptuar çdo emocion e për të trajtuar sa më me kujdes dhe efikasitet situatat e krijuara, për të mos pritur përkeqësimin e tyre me pasoja për vetë ata, fëmijët, për familjen dhe shoqërinë.
Si ia dilni, kur pjekuria e moshave ka pësuar rritje?
Përshtatshmëria, trajnimet dhe planifikimet e duhura janë një ndihmesë e madhe. Koha që duhet ndarë me ta, apo në dispozicion për t’ju qëndruar pranë, për t’i ndihmuar, është e rëndësishme për fëmijët që janë pjesë e këtij institucioni. Zhvillimi i tyre dhe aksesi në format e ndryshme informative bëjnë që pjekuria e tyre të jetë në qendër të vëmendjes për t’i ditur sa më realisht ndjenjat që ata përjetojnë, dhe mënyrën se si e mendojnë. Sepse, siç e përmenda edhe më lart, që mosha kalendarike nuk përputhet gjithmonë me moshën e zhvillimit mendor.
Si e menaxhoni profilin tuaj në “Puzzles” duke bashkërenduar punën si psikologe me fëmijët?
Të jesh psikologe e fëmijëve është një punë shumë delikate, por edhe shumë frytdhënëse. Përkushtimi, koha, aftësia dhe vullneti që i kushtoj punës si terapiste bëhet me dashamirësinë, përgjegjësinë dhe profesionalizmin më të madhe. E para, sepse jam vetë nënë, pastaj vjen dhe pasioni në të cilin e mbështes dhe e dua fort punën time. Të punosh me fëmijët, si ne psikologët, edukatorët, mësuesit dhe profesionistë të ndryshëm, është puna më e mrekullueshme me plot kuptimin e saj. Sepse, nuk ka më bukur se sa të punosh me ata, dhe për ata. Më e mira që mund të bëjmë për fëmijët është që ti drejtojmë/mësojmë të bëhen sa më të përgjegjshëm, sa më të pavarur, sepse fëmija është “libri” të cilin në të ardhmen “lexojmë” atë që vetë ne të rriturit kemi “shkruar”.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 137
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.