FB

August 23, 2025 | 14:00

Semaglutidi dhe tirzepatidi, ilaçet për humbje peshe, mund të ulin rrezikun e disa llojeve të kancerit, sipas një studimi të ri

 

Një studim retrospektiv i kryer në SHBA tregon se përdorimi i barnave të reja për humbje peshe mund të reduktojë ndjeshëm rrezikun për disa lloje kanceri. Bëhet fjalë për ilaçe si semaglutidi dhe tirzepatidi, të cilat i përkasin grupit të agonistëve të receptorit të peptidit-1 të ngjashëm me glukagonin (GLP-1). Fillimisht të destinuara për pacientët me diabet të tipit 2, këto barna kanë treguar efikasitet të lartë edhe në trajtimin e obezitetit, falë aftësisë për të krijuar ndjenjë të zgjatur ngopjeje.

humbje-peshe

Studimi, i publikuar në revistën shkencore JAMA Oncology, analizoi të dhënat e mbi 43,000 personave që merrnin këto barna dhe i krahasoi me një numër të barabartë personash që nuk i përdornin. Të gjithë pjesëmarrësit ishin pa histori të mëparshme të kancerit, me një moshë mesatare prej 52 vjeç dhe shumica gra (68.2%). Të dy grupet ishin të përputhshëm për nga karakteristikat sociodemografike.

Rezultatet treguan se përdorimi i semaglutidit dhe tirzepatidit shoqërohej me një reduktim mesatar prej 17% të rrezikut të përgjithshëm për kancer, krahasuar me grupin që nuk i përdorte. Rënia e rrezikut ishte edhe më e dukshme për disa lloje specifike të kancerit:

25% më pak për kancerin e endometrit,

47% më pak për kancerin e vezoreve,

31% më pak për meningiomën (tumor në mbështjellësit e trurit).

Megjithatë, u vu re një rritje e lehtë dhe statistikisht jo domethënëse në rrezikun për kancer të veshkave, gjë që kërkon hulumtime të mëtejshme për t’u konfirmuar.

Studiuesit u përqendruan në 14 lloje të ndryshme të kancerit, shumica e të cilëve lidhen me obezitetin, si: kanceri i mëlçisë, pankreasit, kolorektalit, veshkave, prostatës, mushkërive, vezoreve dhe endometrit.

Një tjetër hulumtim i mëparshëm nga Universiteti Maynooth kishte treguar se këto ilaçe mund të riaktivizojnë funksionin e qelizave imunitare Natural Killer (NK), të cilat kanë rol të rëndësishëm në luftën kundër tumoreve.

Studiuesit theksojnë se, ndonëse rezultatet janë premtuese, nevojiten studime afatgjata për të kuptuar më mirë lidhjen mes këtyre ilaçeve dhe rrezikut të kancerit. Gjithashtu, përdorimi i tyre duhet bërë gjithmonë nën mbikëqyrje mjekësore, për shkak të efekteve anësore të mundshme. Detajet e studimit, “Agonistët e Receptorit GLP-1 dhe Rreziku i Kancerit tek të Rriturit me Obezitet”, u botuan në revistën shkencore autoritative JAMA Oncology.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top