FB

November 15, 2022 | 8:15

Seminari i X-të Ndërkombëtar i Albanologjisë në Universitetin e Tetovës, kumti për rritjen e cilësisë së dijeve

 

Nëpërmjet kësaj kumtese do të përcillen disa vlerësime e deri konsiderata nga tre personalitete që koha i ka evidentuar me mjaft domethënie, duke i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve vlera dalluese dhe vlerësuese në krahasim me popujt e tjerë e sidomos me fqinjët autoktonë. Dallimet dhe vlerësimet, rrjedhin dhe vijnë shumë natyrshëm për nga të qenit autoktonë, jo zaptues, liridashës, të sakrificës, për të mbrojtur gjuhën, kulturën, trojet si dhe për të qenë të dashur dhe respektuar me miqtë dhe të ashpër me armiqtë. Në këtë kumtesë do të trajtohen me sa më shumë vërtetësi dhe nëpërmjet mjaft të dhënave burimore të sakta dhe të vërteta:

Historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm kur shqiptarët të marrin pjesë në përpilimin e saj. (Maximilian Lambertz)

ilia-larti

Kumtesë e mbajtur nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti

 

Për Shqipërinë është shkruar edhe atëherë kur vendi dhe kombi ynë ende nuk njihej me këtë emër. Misionarë, diplomatë, historianë, udhëtarë etj, nga rajone të ndryshme të botës kanë mbajtur shënime, ndërsa kanë kaluar në trojet tona. Të tjerë na kanë njohur nëpërmjet letërkëmbimeve apo dorëshkrimeve. Por, të gjitha këto, të shkruara në gjuhë të ndryshme të botës, në kohë dhe persona po të ndryshëm, për herë të parë na vijnë në gjuhën shqipe.

Shumë udhëtarë të huaj, anglezë, irlandezë, gjermanë, austriakë, italianë, francezë, rumunë tej. Kronistë turq dhe turistë amerikanë, përshkruajnë me emocione bukurinë e veçantë të natyrës, dhe pasurinë shpirtërore të kombit tonë. Midis tyre gjen: personalitete të shquar si: Koloneli Lik, Pokevili i famshëm, Aubrey Herbert, Lorenzoni e deri tek Perez De Kuelar. Poetë dhe artistë të mëdhenj si: Bajroni, Eduard Liri, Edit Durhami etj. Vizitorë të shumtë; qofshin këta, studiues, arkitektë, arkeologë, shkencëtarë, biologë, apo, edhe turistë …, si: Evlia Çelebi, Kurzoni, Patsch, Burileanu, Rikakes, Popp, Baldaçi, studiuesi Milan Shuflaj e mjaft të tjerë.

01

Në fillimet e kohëve moderne, shqiptarët dhe historia e tyre “u zbuluan”, si rastësisht nga udhëtarë e studiues të huaj, të cilët gjatë kërkimeve të tyre për popuj grekë e sllave ju desh të përballeshin dhe me popullin tonë si fqinjë të tyre. Kontakti nga udhëtarët dhe studiuesit e huaj me shqiptarët ndodhi fillimisht jashtë territorit të banuara nga shqiptarët si në Dalmaci apo në Greqi, ku gjatë mesjetës ndodhën shpërngulje masive të popullatës shqiptar si rezultat i përndjekjeve osmane. Nga këta shqiptarë të diasporës morën shkas sprovat e para albanologjike të studiuesve si Pouqueville, Fallmerayer, Hahn, Sathas, Hopf, Miller, Reinhold, Evans etj.

1.George Gordon Byron (Xhorxh Gordon Bajron) shkrimtar anglez i romantizmit dhe dashamirës i shqiptarëve. (1788 -1824)

Shqiptarët me kostumet e tyre bëjnë një peizazh më të mrekullueshëm në botë… Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukur që ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre… Bajroni

Vizita në Shqipëri i la mbresa të thella Bajronit. Te shqiptarët ai pa një shpirt të veçantë, i cili ndezi imagjinatën e tij poetike për tema ekzotike. Në shënimet e mbajtura, kur ishte në Shqipëri, për poemën Shtegtimi i Çajld Haroldit, ai shkruante për shqiptarët: Më tërheqin shumë me atë ngjashmërinë e tyre me Hajlanderët e Skocisë, në veshje, në pamje dhe në mënyrën e jetesës. Si kujtim ai mori një kostum tradicional shqiptar, me të cilin piktori Tomas Filips i ka bërë një portret. Ky kostum ka një histori më të gjatë. Ai aktualisht është i ekspozuar në Boëood Estates, Angli. Në përshkrimin e udhëtimeve të tij Bajroni thotë: Në udhëtimet e mia kam mësuar të mendoj si filozof, dhe po të mos bëja ashtu, udhëtimi s’do të kish dobi.

bajroni

Poema romantike “Shtegtimet e Çajlld Haroldit” së bashku me njoftimet që përmbajnë letrat e Lordit drejtuar nënës së vet dhe shënimet në formë ditari që ka mbajtur bashkudhëtari i tij Xhon Kem Hobhauz, përbëjnë lëndën e kësaj trajtese. Ato dëshmojnë sesi një poet romantik i pararojës letrare evropiane dhe shoku i tij, një i ri i kulturuar anglez, e shihnin Shqipërinë në fillim të shekullit XIX dhe sesi e gjykonin në atë kohë “Asllanin” e Shqipërisë, Ali Pashë Tepelenën. Për Bajronin, Shqipëria ishte një vend me bukuri natyrore të rralla; shqiptarët njerëz të pashëm, trima, krenarë, me fustanella të bardha; kurse Ali Pashë Tepelena një kapedan i egër por jo mizor, vezir por i pavarur, figura e tretë historike pas Aleksandërit të Madh dhe pas Skënderbeut. Nuk ka dyshim se në vizionin e Bajronit në “Çajlld Harold” mbi Shqipërinë, mbi shqiptarët dhe mbi Ali Pashë Tepelenën ka ndikuar kryesisht formimi romantik i tij. Si rrjedhim, ai e pikturoi botën e panjohur shqiptare si poet dhe si kureshtar, jo si vëzhgues kritik.

Vetëkuptohet se as bota e panjohur shqiptare, as veziri pak i njohur i Janinës nuk mund të zbardheshin vetëm gjatë një udhëtimi trejavor. Si rrjedhim, portreti historik i Ali Pashë Tepelenës mund të jetë i saktë vetëm nëse shqyrtohet dhe gjykohet veprimtaria politike, shoqërore, ekonomike, diplomatike, kulturore dhe administrative, e parë për tërë harkun kohor të jetës së tij derisa përfundoi me prerjen e kokës së tij dhe me asgjësimin e përpjekjeve të tij 30 e ca vjeçare. Për të plotësuar këtë zbrazëti, autori e mbyll trajtesën e vet me një vlerësim si historian mbi “Portretin historik të Ali Pashë Tepelenës”. Të ashpër bijtë e shqipes, por fisnikë.!

“Tokë e Shqipërisë! Më lër të ul sytë mbi ty, o nënë e rreptë burrash të ashpër” (Bajron). Të ashpër, trima, të sertë, te egër, krenarë, besnikë përshkruhen shqiptaret nga të huajt që e kanë njohur nga afër këtë popull, i cili sa të tremb me egërsinë e tij, aq dhe të mahnit me fisnikërinë e tij, fisnikëri të cilën e ka trashëguar brez pas brezi si një nga virtytet më të larta. Mizori të pashembullta janë bërë në kurriz të shqiptarëve pa dallim moshe, gjinie, por shqiptarët dhe pse luftëtarë të ashpër dhe në betejat më të përgjakshme të tyre kurrë nuk kanë vënë dorë mbi gratë, siç kanë bërë kundër tyre. Disa norma i kanë respektuar dhe mbrojtur me forcë që nga koha e Skënderbeut, norma të cilat nuk i theu dot as Kanuni i ashpër i Lek Dukagjinit, përkundrazi i përforcoi edhe me vargje. Bajroni, i ka kushtuar 360 vargje Shqipërisë.

Nëpërmjet këtyre vargjeve del në pah njohja e Bajronit me historinë e Shqipërisë. Bajroni ky Hero romantik viziton Shqipërinë e Jugut dhe qëndron si mik në sarajet e Ali Pashës, i cili e pritet me ndere të mëdha. Nëpërmjet vargjeve ai përcjell:

a-Emocionet për bukuritë e veçanta të natyrës sa magjepse, madhështore dhe e ashpër.

b-Ali Pashën e vlerëson nga karakteri burrëror, dhe simbol i bujarisë se shqiptareve. E quan kryelartë me një autoritet sovran. Shqiptarët i quan “njerëz të fortë, të ashpër, të pathyeshëm. ..sepse nëse ata nisen në luftë, sigurisht që kthehen me fitore…”.

c-Vlerësonte anën Historike, madje himnizoi historinë shqiptare, sidomos Skënderbeun dhe kordhën e tij legjendare….

d-I pëlqeu pozicioni Gjeografik i Shqipërisë, sa arriti te himnizonte natyrën shqiptare (agimet dhe perëndimet e diellit, ditët me diell).

e-U dashurua me kulturën shqiptare, sidomos duke vlerësuar veshjet, zakonet, mitet etje., dhe sidomos këngët polifonike.

f-U përfshi dhe emocionalisht sa dhe u motivua me Moralin dhe virtytet ne një këndvështrim realist, me shume vlerësonte vetitë e shqiptarit të thjeshtë, i cili ecte kryelartë në truallin stërgjyshor, duke spikatur mikpritja, bujaria, besa etj.

2.Edit Durhami (Mary Edith Durham), udhëtare, artiste, shkrimtare dhe antropologe e dëgjuar britanike e cila përshkroi jetën në trojet shqiptare.

Paragjykimi mund të vijë nga padija apo mos njohja si e vetmja rrugë për ta hequr atë të realizohet nga njohja e realitetit konkretisht. Edit Durham Edit Durham, (1863-1944). Kjo zonje britanike u bë e famshme me shkrimet e saj për Shqipërinë dhe shqiptaret në fund të shekullit të XIX-te dhe fillim të shekullit të XX-të.

edit-durhamMes shqiptarëve ajo gjeti pamjen e jetesës që ishte me ndjenjat e lirisë dhe tërësisht ndryshe nga një mbrojtje nga familja ne Londër. Ndërsa ajo gjeti humorin dhe përtëritjen elastike dhe karakteristike të miqve shqiptare, një shpirt ku ajo ndjente luftën e tyre për njohje ndërkombëtare. Ajo përdori çdo rast të vlefshëm të komunikonte (përçonte) kulturën e lartë shqiptare për të gjithë perëndimorët (angleze e të tjerëve), të cilët nuk dinin asgjë. Pas botimit të librit të dytë “Refreni i Ballkanit” 1905, Edit Durham e vendosi shumë shpejt veten si autoritet të ccështjes shqiptare. Duke pasur sukses në udhëtimet e përfunduara përmes terrenit të rrezikshëm, pengesave të autoriteteve otomane, përballja me rriskimin e ndonjë pengmarrje nga kusarët. Pavarësisht këtyre, ajo krijoi një reputacion nga njerëzit ku ajo shkeli dhe në sytë e saj si turiste dhe artiste, ishte përmbledhur në komentin e saj entuziast: “Këtu është ngjyra, jeta dhe arti”.

Gjatë udhëtimit të pare të zgjatur nga Jugu në Veri të Shqipërisë me 1904 asaj i bëri përshtypje fakti që të gjitha shtresat e popullsisë nga të gjitha anët kërkonin pavarësinë atdheut dhe njohjen angleze. Durhami nga kjo zbuloi një zë legjitim plot pasioni (por real), një e drejtë kjo që s’mund ta mohojë askush…!

Gjatë vitit 1908, atë e tërhoqën e viset e Malësisë së Shqipërisë së Veriut. Por atëherë ajo kishte tashmë transformuar veten në një etnografe dhe ishte vendosur në bërjen e studimeve serioze të fiseve shqiptare në Malësi, për të shkruar librin e saj “Shqipëria e Epërme”(1909). Ajo udhëtoi duke kaluar nge një fshat në tjetrin, e cila mori nderim madhështor. Për çdo fshat ajo evidentoi historitë dhe fotografoi nga afër çdo aspekt të jetës në fshatrat malore dhe arriti të grumbullonte një arkiv të pasur të traditave dhe zakoneve folklorike shqiptare. Ajo e ktheu Shkodrën, qytetin në Veri të Shqipërisë, bazën e saj nga koha kur shpërtheu lufta ballkanike (kronologji në librin e saj” Lufta për Shkodrën”, (1914). Nga këtu ajo grumbulloi fonde jashtë Shqipërisë për t’i shpërndarë të uriturve që ishin me mijëra në male, të djegur dhe shkatërruar nga ushtria turke. Ajo duke qenë afër problemeve dhe vështirësive të malësoreve, si dhe duke njohur kulturën dhe zakonet e tyre bënë të mundur që ajo të bëhej gruaja e parë korrespondente për tre gazetat kryesore britanik.

Në 1918 ajo u bë sekretarja e shoqatës Angli-Shqipëri themeluar nga Aubrey Herbert ne Londër dhe me anën e kësaj organizate kërkoheshin te drejtat e shqiptareve. Përpjekjet e saj me pas konsistonin qe Shqipëria te njihej nga Lidhja e Kombeve ne 1920. Ajo vazhdoi aktivitetin e saj edhe gjate viteve 30-te duke bere shume miq nga radhët shqiptareve qe kishin mërguar ne Londër. Ditën e 7 prillit te vitit 1939 kur ushtria fashiste italiane sulmoi dhe pushtoi Shqipërinë, 76 vjeçaria doli ne një rruge te Londrës duke mbajtur ne duar një pankarte ku shkruhej: “Larg duart nga Shqipëria”!

Veprimtaria e Edith Durham për popullin shqiptar ka qenë madhështore dhe duhet të hulumtohet më tepër. Por, si gjithmonë, gjysma e punës është fillimi i mbarë. Durhami dëshmon se fillimi i misionit të saj në mbështetje të çështjes së shqiptarëve kaq i mbarë falë ungjillorëve, sepse nuk dihet se si Durhami do të mund të udhëtonte ndryshe, aq gjatë e gjerë në gjithë territorin shqiptar, sikur të mos i ofrohej një dorë nga shqiptarët e ndershëm.

04

Shqiptarët e nderojnë akoma edhe sot Editin dhe kanë respekt për të. Ajo sipas shqiptarëve është “Mbretëresha e Malësorëve.” Ajo u mirëprit nga malësorët shqiptarë dhe gjatë kalimit të saj në këto vise nuk pati asnjë keqtrajtim edhe pse ishte një femër e vetme. Përshtypje të mbetura nga Shqipëria ishte tradita e “Burrneshave Shqiptare”, që ishte një zakon ku femrat visheshin si burra dhe kishin një pozitë të qartë në shoqëri. Mbas vdekjes së saj në 1944, Mbreti Zog i Shqipërisë i dha merita të larta asaj. Mbreti Zog ka shkruar për të : “Ajo na fali neve zemrën e saj dhe fitoi si këmbim vëmendjen e malësorëve tanë.” Ajo vazhdon të nderohet si “Heroinë Kombëtare” dhe në 2004 në një deklaratë të presidentit shqiptar, Alfred Moisiu e cilësoi atë si një nga figurat më të spikatura të Shqipërisë të shekullit të kaluar.

Shumë nga punët e Durhamit i janë dhuruar akademive të koleksioneve pas vdekjes. Në ditët e sotme, dokumentet e saj mbahen nga Museum of Mankind (muzeu i njerëzimit) dhe Royal Anthropological Institute (Instituti Mbretëror Antropologjik) në Londër, ndërsa koleksioni i saj me bizhuteri të grumbulluara në Ballkan ndodhen në Pitt Rivers Museum në Oxford (Oksford) dhe Bankfield Museum në Halifax (Heilfaks). Muzeumi Bankfield gjithashtu ka një mostër presentative rreth jetës dhe veprimtarisë së saj.

3.Milan Shuflajn studiuesi më autoritar i historisë së shqiptarëve.  Dr.Milan Shuflaj, (1879-18.02.1931), nga Lepoglava e Kroacisë Universi shqiptar është katalizatori i historive, gjuhëve e kulturave ballkanike. M. Shuflaj.

Milan Shuflaj ndeshi rastësisht në faktorin shqiptar ndërsa hulumtonte për të tjera qëllime në arkivat e qyteteve dalmate. Por ndryshe nga të tjerët, te Shuflaj ky “takim” rastësor ndezi një kuriozitet e një pasion të tillë, që pushtoi krejt qenien e tij shkencore. Siç rrëfehej ai vetë, “historia shqiptare, me misteret e saj, ushtron te studiuesi një forcë manjetike të jashtëzakonshme”. M. Shlufaj me një ndjenjë e bindje të tillë, i u vu punës për të zbuluar rrjedhat e historisë shqiptare, që kishte mjaft gjymtyrë të shpërndara gjithandej në Ballkan, por që kishte edhe trupin e saj në trevat e Ilirisë së dikurshme. Në këtë mënyrë, Shuflaj u bë zëdhënësi më autoritar i historisë së shqiptarëve, pikërisht në kohën kur shumëkush përpiqej t’i tregonte ata si një popull pa histori. Ishin vitet 1910-1930 kur në rend të ditës dilte parësore krijimi dhe konsolidimi i shtetit të shqiptarëve, në një kohë kur këtë shtet shumëkush përpiqej ta privonte nga e drejta historike, më përpara se ta privonte nga territoret e veta.

milan-shuflaj

Shuflaj është emancipuesi i madh i historisë së Shqipërisë e të shqiptarëve. Sigurisht, edhe të tjerë para tij kanë tentuar të hedhin dritë. Por duke ju referuar këtyre përpjekjeve një pjesë e tyre janë befasuar në mënyrë të pashmangshme sepse ndesheshin me burimeve historike, të argumentuara, të sigurta dhe të vërteta, për trojet shqiptare dhe shqiptarët.

Shuflaj i bëri shqiptarët dhe historinë e tyre objektin parësor të hulumtimeve të tij, i bindur për vendin e rolin e tyre si faktor në proceset historike të krejt rajonit ballkanik e të pellgut të Adriatikut.

Studiuesi “Shuflaj” solli një revolucion të vërtetë në historiografinë mbi Shqipërinë e shqiptarët. Nën lenten e analizave të tij skrupuloze, bazuar në një lëndë dokumentare të dorës së parë zbuluar më së shumti nga ai vetë në arkivat e Dalmacisë e të Italisë, shqiptarët nuk rezultonin më një popull fosil, jo një materie njerëzore e vjetër dhe e ngurtësuar, por një qelizë jashtëzakonisht dinamike, forca e fuqia e së cilës qëndronte sa në lashtësinë e këtij populli, aq edhe në mekanizma biologjikë krejt specifikë të tij, që e lejonin të shfaqej e të rishfaqej në histori me një vitalitet imponues (palingenesis). Si askush tjetër përpara, por edhe pas tij, M. Shuflaj iu vu punës për të zbuluar “mekanizmat biologjikë”, të cilët e bënin popullin shqiptar që, ashtu si Foenix-i i mitologjisë, të humbte e të rishfaqej përgjatë historisë me një energji, që për shumëkënd mbetej e pashpjegueshme. Në rend të parë ai vinte lashtësinë, që i jepte popullit shqiptar një strukturë e mpiksje të tillë etno-kulturore, thelbin e së cilës nuk mundën ta zhbëjnë përzierjet e mbivendosjet e mëvonshme.

Shekujt IV-XI, si shekujt të errët të përmbysjeve sociale dhe etnike në Ballkan e më gjerë, për trevat e Ilirisë së Jugut ishin për Shuflajn shekujt e një beteje titanike për mbijetesë të farës së vjetër ilire. Si askush tjetër, para e pas tij, Shuflaj arriti ta skalisë në mënyrë lapidare kapërcimin e epokës së “errët” të mesjetës dhe daljen e shqiptarëve, në shek. XI, në horizontet e historisë së shkruar: “Prej kaosit etnik të Ballkanit, të mbuluar nën hijen politike të Bizantit, dallohet dhe hyn në histori një popull jashtëzakonisht interesant: baza etnike e këtij populli në kohë të vjetër ishte një faktor i fuqishëm i historisë, i cili njihej me emrin ilir”. Shqiptarët, pra, një popull i vjetër, por aspak një popull fosil, siç mund të ishin Baskët. Shqiptarët, thotë Shuflaj, nuk përfaqësojnë një gjendje të vjetër, të ngurtësuar, por një shfaqje palingenetike në ontogoninë e tyre si popull: shqiptarët ishin për Shuflajn një qelizë e gjallë. Një qelizë e gjallë, dhe larg e të qeni një faktor periferik, por, faktorin qendror në historinë e popujve të Ballkanit: “Shqipëria mesjetare është modeli ku si në një pasqyrë mund të shihen shtresëzimet e gjithë kozmosit ballkanik”. Ky vështrim albanocentrik, që u kthye në kredon e tij shkencore, e shtyu Shuflajn të futej në brendësitë e të panjohurave të historisë së shqiptarëve, me bindjen se zbulimi i mistereve shqiptare do të përcillte edhe zbulimin e shumë mistereve ballkanike.

05

Albanologë të njohur, nga Thunman, Fallmerayer, Hopf, Hahn, e deri te Jireçek, mbi bazë të burimeve të njohura historike, ishin kufizuar të bënin një rreshtim të fakteve nga historia politike e shqiptarëve, në dritën e marrëdhënieve me faktorët e huaj: bizantinë, anzhuinë, serbë, venedikas e deri ato bullgare. Në këtë optikë, që gjithsesi i shihte shqiptarët në marrëdhënie e në varësi të vullneteve e të pushteteve të huaja, ajo çka i bënte interesantë shqiptarët dhe Shqipërinë mesjetare, ishte pozicioni i veçantë gjeostrategjik i vendit të tyre, që përcaktonte edhe atë mbivendosje të madhe ngjarjesh e pushtimesh të vendit.

Historia e Shuflajt është një histori e qytetërimit mesjetar shqiptar. Kundrejt një historie, deri atëherë të trajtuar si një histori “anonime” e një entiteti “enigmë” e një populli malesh e të lidhur pas një jete baritore. Shuflaj mori dhe analizoi mjaft komponentë, si prejardhjen, vazhdimësinë e identitetit, jetën në fshat dhe në qytete, pra në tërësi përbërësit e shoqërisë qytetare shqiptare, duke arritur e nxjerrë historinë e Shqipërisë në horizontet e një historie të vërtetë evropiane.

Për herë të parë ai i ktheu historisë së Shqipërisë e të shqiptarëve qytetin dhe jetën qytetare, që deri atëherë konsiderohej një mish i huaj në trupin shqiptar, por që ai e zbuloi si fotoelementin bazë ku u realizuan sintezat e mëdha politike, ekonomike, shoqërore, kulturore të historisë mesjetare shqiptare. Mbetet sot e gjithë ditën e pakonkurrueshme analiza e tij për qytetet e Shqipërisë, “Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich ëährend des Mittelalters”. Një analizë që ndjek më së pari ndryshimin morfologjik të qyteteve, si Shkodra, Tivari, Ulqini, Prizreni, Durrësi, Vlora, Drishti, etj., nga koha antike deri në pushtimin osman. Por që sigurisht ndalet gjatë në zhvillimet e këtyre qyteteve gjatë mesjetës, duke zbuluar më së pari mekanizmat e brendshëm që i gjallonin ata.

Duke zbuluar e duke i kthyer dimensionin “qytetit” historisë mesjetare të Shqipërisë, Shuflaj zgjidhi “enigmën” më të madhe të historiografisë mbi shqiptarët, që deri atëherë i kishte konsideruar këta si një popull pa referenca të qëndrueshme, si një popull në lëvizje e kërkim të vazhdueshëm të atdheut të tij. Sipas Shuflajt, vetë qyteti ishte shprehje e një shoqërie bujqësore-blektorale, që vazhdimisht e ushqente atë me lëndë njerëzore, me produkte e me elemente kulturorë e jetësorë.

06

E pra, kundrejt qëndrimeve të tilla me sfond politik e deri racist, Shuflaj solli një trajtim të mirëfilltë shkencor, aq shkencor saqë të përdorte deri edhe një fjalor tipik të shkencave të sakta, kur thoshte se dukuri të tilla, siç ishin lëvizjet fshat-qytet, apo mal-fushë, përfaqësonin një “konstante biologjike” të realitetit shqiptar. Ndërhyrja shpëtimtare, plot autoritet e kompetencë, por edhe e guximshme e Shuflajt në debatin mbi vendin dhe rolin e shqiptarëve, bëri që tu hiqej guri i themelit tezave të mësipërme, me prapavijë të qartë politike e antishqiptare, që deri atëherë kishin kontaminuar studimet albanologjike. Ndaj edhe dikush nuk ja fali një guxim të tillë.

Disa thënie pikante apo postulat nga personalitete të ndryshme për shqiptarët:

Eriksoni: misionar amerikan: “Nuk ka popull më shpirtmirë e më të sjellshëm (xhentil) në Evropë se shqiptarët. Ata, përbëjnë një element të fuqishëm burrërie. Mblidhen bashkë për çështjet atdhetare dhe japin jetën për fjalën e dhënë”.

Gligor Përliçev: “Të gjithë shqiptarët janë zemërgjerë, mendjemprehtë dhe mirënjohës të mëdhenj; janë mikpritës dhe të besës si asnjë komb tjetër, të ndershëm, thellësisht liridashës dhe të patrembur në luftime…”.

Lamartini. “Nuk ka penë as penel që mund të shprehë sakrificën heroike të banorëve (të Shqipërisë) në luftërat që kanë bërë kohëve të fundit, më shumë se askush tjetër, për çlirimin e Greqisë”. Ai për shqiptarët ka shkruar edhe këtë: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjve të të gjithë kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, Grekët Aleksandërin e Madh, Turqit Skënderbeun, njërës këta të së njëjtës racë, të të njëjtit gjak e të së njëjtës gjini”.

Michael Attaleiates. Kronist bizantin. Në v.1034, ka shkruar: “Arvanitët janë një nga popujt më të çuditshëm. Ata nuk i ka bindur Roma as katolicizmi, nuk e di se sa sukses do të kemi ne. Ata i mbahen ende origjinës së tyre pagane dhe nuk e braktisin vendin”.

Tacit: “Ilirët janë një popull i fuqishëm, me sy të errët, të matur, guximtarë, kryelartë që nxjerr ushtarë të mirë”.

Timotheos: “Shqiptarët janë më luftarakët e botës”.

Tit Livi: “Romakët janë qytetëruar nga etruskët”. (toskët-R.N.) Maurico Druon, sekretar i Akademisë frënge: “Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e Trojës, të udhëhequr nga Akili (në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)”.

02Përfundime

Mikpritja, besa, mbajtja e fjalës së dhënë, janë disa nga vlerat më pozitive dhe tiparet më dalluese, me të cilat i karakterizojnë të huajt, shqiptarët.

Historia e popullit shqiptar e fokusuar që nga kohët më të lashta e deri në ditët e sotme, vazhdimisht ka ngjallur dhe vazhdon të ngjallë ende interesin e shumë studiueseve, historianëve, publicistëve dhe albanologëve të huaj, të cilët herë pas here kanë botuar libra voluminoze me studime me mjaft vlera duke pasqyruar me vërtetësi të kaluarën e Kombit shqiptar dhe rolin që ai ka luajtur në zhvillimet Ballkanike dhe Evropiane, si në planin politik ashtu dhe atë historik.

Për Shqipërinë dhe shqiptarët flasin me dhjetëra e deri qindra kronikanë të huaj që nga lashtësia dhe deri në kohët moderne, të cilët me kronikat e tyre faktojnë e pasurojnë me mjaft të vërteta historinë e një vendi të lashtë dhe të një populli autokton, nga më të vjetrit në Evropën Jug-Lindore. Kronikat, shkëlqejnë e hedhur dritë mbi portretin e vërtetë të Shqipërisë dhe të Shqiptareve. Këta Kronikane, studiues, historianë, të cilët nëpërmjet mendimeve, opinioneve, ngjarjeve, prekjes së kulturës, legjendave e deri te mitet, krijojnë dhe promovojnë një “simpozium” për Historinë e Shqipërisë dhe te Shqiptareve. Këta njerëz të shquar kanë ardhur nga Roma, Kosova dhe Mali i Zi, nga Turqia, Maqedonia dhe Greqia… duke ecur më këmbë apo me kalë e duke u ndaluar han me han dhe qytet më qytet, duke prekur gjithë trojet shqiptare dhe ndjerë mikpritjen, dashamirësinë dhe besën simbol i një virtyti, që i jep kombit tonë atë veçanti që të vlerësohet e të shënjohet nga më të rrallët në botë. Gati nga të gjithë studiuesit e huaj duke filluar nga dorëshkrimet e deri te botimet e tyre dalin në pah 3 tipare thelbësore të karakterit të shqiptarëve si:

a.Patriotizmi i cili është ndër ndjenjat më të theksuara e më të ngulitura te karakteri i shqiptarëve. Këtë e kanë vënë re jo vetëm studiuesit e lartpërmendur, por të gjithë studiuesit. Interesant është fakti se shqiptarët i ka bashkuar identiteti kombëtar shumë më herët se mjaft kombe evropiane. Shqiptarët në mbrojtje të atdheut, patriotizmin, e tyre e përforcojnë dhe me respektimin e lidhjeve vëllazërore, qe i bën një e të pa ndarë dhe si rrjedhoje ata shfaqin realisht janë ato që besnikërinë, respektimin e fjalës së dhënë dhe mbrojtjen e të vërtetës dhe të drejtës deri dhe me sakrifica supreme. Këto vlera morale manifestohen dhe me njerëzit e tjerë që i bashkohen kauzave madhore, të personalitetit, karakterit dhe çështjeve atdhetare.

b.Levenderia, është fakti që na sjell Gregorasi, “kursimi i armikut të mundur”. Në kohët e lashta e tillë është quajtur kjo ndjenjë, Levenderi. Ajo tregon më së miri ndjenjën e krenarisë, fisnikërisë dhe burrërisë të shqiptarëve. Duke pasur parasysh këtë element, çdokush mund të konstatojë se shqiptarët nuk janë barbarë, ashtu siç janë përpjekur disa pseudo historianë t’i paraqesin.

c.”Gruaja është e paprekshme”. Ky është një parim i lashtë i shqiptarëve dhe vazhdon edhe ne ditët e sotme, ndonëse jo si më parë. Në Shqipëri femra është e respektuar. Këtë e dëshmojnë fakte si mbretërimi i mbretëreshës Teuta më fronin ilir apo dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili është cilësuar barbar, porse femrën e cilëson të paprekshme. Rolin e gruas në shoqërinë e mëhershme shqiptare e trajton më gjerë Edit Durhami në librin e saj “Brenga e Ballkanit” në kapitujt ku flet për doket martesore dhe vizitat e saj në shtëpitë e fiseve malësore në Shqipërinë e Veriut.

03

Rekomandime

Nisur nga këndvështrimi i kumtesës për të çuar më tej punën studiuese, hulumtuese në fushën e historiografisë në lidhje me vlerat dhe evoluimin e mendimit mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, si nga studiuesit dhe historianët shqiptarë dhe të huaj rekomandojmë:

•Të ndiqen dhe evidentohen dhe të bëhen të ditura studimet e personaliteteve të huaja që përcjellin fakte të reja dhe të argumentuara shkencërisht për Shqipërinë dhe shqiptarët.

•Pedagogët, studiuesit, departamentet dhe fakultetet e fushës së historiografisë, të ngritur në stadet edhe më bashkëkohore studimet në këtë fushë.

•Të rritet edhe më tej bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i veprimtarive studiuese dhe shkëmbimi i informacioneve me interes të përbashkët midis fakulteteve të universiteteve jo vetëm midis atyre me popullata shqiptare, por dhe me ato të vendeve të tjera që kanë arshiva të pasura.

•Të organizohen herë pas here seminare, simpoziume, konferenca dhe deri kongrese, për të nxjerrë dhe përgjithësuar gjetjet e reja dokumentarë, që të ndihmojnë dhe çojnë edhe më përpara fushën e historiografisë.

•Të ngrihet dhe më tej niveli i mësimdhënies nga ana e mësuesve dhe pedagogëve, për të rritur njohuritë e nxënësve, studentëve dhe kërkuesve të masterave, por dhe për ta dashur dhe respektuar fushën e historisë dhe historiografisë, madje dhe duke i motivuar ata që të ndërmarrin studime, për të bërë ese, tema diplomash me nivel që jo vetëm të lartësojnë njohuritë apo dijet e tyre por dhe të pasurojnë fushën e historisë dhe historiografisë.

0

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top