FB

April 14, 2021 | 8:12

Sëmundja maniako-depresive, karakteristikat, pasojat dhe disa këshilla të normalizimit të gjendjes

 

Kur një njeriu i mungon humori, emocionohet shpejt e për çdo gjë, si dhe përcjell një gjendje të dukshme ndryshimi nga sjelljet e mëparshme. Këto simptoma të çojnë të diktosh se ky person përjeton shqetësime maniako-depresive.

ilia

Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr. Ilia S.Larti

 

Atëherë, ç’është sëmundja maniako-depresive?

Sëmundja maniako-depresive (SMD): karakterizohet nga një çrregullim i madh i humorit dhe alternimi i rregullt i gjendjeve të kundërta të eksitimit dhe të depresionit. Gjendjet e eksitimit quhen gjendje maniakale ose kriza manie.

Forma ekstreme e krizës depresive është melankolia.

Forma më e zbehtë e manisë është hipomania.

Është normale të ndihemi “të deprimuar”, në rastin e një dështimi personal, fatkeqësie, sëmundjeje, dhe në të kundërt të ndjejmë një lloj eksitimi euforik kur “gjithçka shkon mirë”, kur jemi të lumtur apo kur koha është e bukur… pra kemi të bëjmë me sëmundja maniako-depresive (SMD) dhe kemi të bëjmë për patologji në rast se kjo gjendje nuk ka shkaqe të jashtme të dukshme, kur bie në kundërshtim me këta elementë të jashtëm shoqërisht të përbashkët, ose kur ato i amplifikojnë këto të fundit në maksimum ose kur ato kronicizohen në një gjendje pa ndryshim të dukshëm.

Sëmundja maniako-depresive bipolare paraqet të njëjtin risk për të dy sekset, por forma unipolare (depresioni),  haset dy herë më shpesh te femrat sesa te meshkujt. Kjo gjë na kthen tek etiologjia përkatëse e të dyja formave të patologjisë, duke e vënë në dyshim disa prej tyre në tërësinë e kësaj sëmundjeje. Sëmundja bipolare është ndarë në dy kategori: Sëmundja maniako-depresive bipolare “I”, që presupozon praninë e të paktën e një krize maniakale të qartë pa shkaqe organike. Ndërsa në sëmundjen maniako-depresive bipolare të tipit “II”, dominojnë episodet depresive të kombinuara me aspektet hipomaniakale spontane.

1

Pavarësisht nga sëmundja maniako-depresive në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dallojmë personalitetet distimike që karakterizohen nga një gjendje depresive kronike jo shumë intensive, dhe ato hipertimike (që në të kundërt karakterizohen nga hipomania), ose ciklotimike që lëkunden mes të dyjave. Në rastin e skizofrenisë distimike (apo periodike), diagnoza diferenciale mund të jetë e vështirë për t’u bërë kur mungojnë elementët delirantë ose kur mospërputhja nuk është e dukshme.

Epidemiologjia e sëmundjes maniako-depresive është mjaft e vështirë të vendoset për shkak të kontinuimit që ekziston midis patologjisë dhe normalitetit në shprehjen e humorit. Është normale të ndihemi “të deprimuar”, në rastin e një dështimi personal, fatkeqësie, sëmundjeje, dhe në të kundërt të ndjejmë një lloj eksitimi euforik.

Zbulimi i antidepresivëve e ndryshoi trajtimin psikopatologjik të sëmundjes maniako-depresive, duke vënë në pah se ngadalësimi depresiv nuk ishte vetëm një simptomë, por edhe një mënyrë se si është organizmi i tërësisë se subjektit. Roli i psikotropëve (antidepresive dhe neuroleptikë), është vendimtar në stabilizimin e humorit dhe në çdo trajtim terapeutik të sëmundjes maniako-depresive. Në mënyrë të veçantë duhet përmendur medikamenti i quajtur Prozac, antidepresiv që ndikon në rrugët serotoninergjike dhe që ngre probleme të rangut psikopatologjik dhe etik. Ky medikament i kohëve të fundit duket ndryshe nga të tjerët, duke sjellë një transformim të konsiderueshëm të gjendjes së subjektit, duke zhdukur veçanërisht vuajtjet e tij pushtuese. Për këtë arsye, ai paraqitet shpeshherë si një alternativë kimioterapeutike e psikoterapisë. Mirëpo studimet më të fundit mbi depresionin tregojnë se kombinimi i dy trajtimeve përbën përgjigjen terapeutike më efikase ndaj kësaj patologjie. A është vallë Prozac-u ai “medikament i mrekullive”, që na lejon të kapërcejmë edhe lidhjen terapeutike transferenciale? Çfarë pasojash do të sjellë në raportin e subjektit me sëmundjen e tij? Nga kjo pikëpamje, a nuk e kthen ai të sëmurin te një narcisizëm problematik në sëmundjen maniako-depresive? A nuk po bëhet kështu ai objekt i një toksikomanie moderne? Ekzistojnë pra shumë pyetje të reja me të cilat përballet drejtpërsëdrejti psikopatologjia aktuale.

Kripërat e litiumit, veprimi i të cilave nuk njihet mirë, përdoren për një kohë të gjatë dhe të shoqëruara me rregulla përdorimi si parandaluese në sëmundjet maniako-depresive, duke pasur parasysh se kjo formë kimioterapie mund të bëhen toksike.

Nëse një trajtim kimioterapie i shpejtë është i domosdoshëm në rastin e një krize të rëndë manie apo melankolie, psikoterapia mbetet një trajtim mjaft i nevojshëm kurdoherë që është e mundur, veçanërisht në sëmundjet maniako-depresive, pseudo-neurotike dhe në krizat e sëmundjeve maniako-depresive bipolare.

Sizmioterapia (elektroshoku), mënyra klasike e trajtimit të sëmundjes maniako-depresive përpara shpikjes së psikotropeve, mbetet si një alternativë e fundit që gjen përdorim në rastet e rezistencës apo intolerancës ndaj medikamenteve.

Disa këshilla të mundshme dhe të aplikueshme

Pikësëpari, duhet që të kesh parasysh e duhet ta pranosh, që Ti nuk je i vetmi dhe i fundit me simptomat e sëmundjes maniako-depresive, ndaj merre seriozisht, por dhe mos u demoralizo se tani të ka ardhur fundi, se po të kesh lexuar me vëmendje trajtimin psikopatologjik të sëmundjes maniako-depresive, do të kuptosh se nga studimet e bëra dhe statistikave për këtë fushë, ka një përmirësim të ndjeshëm por edhe shërim të plotë. Ndaj krijo besimin ndaj vetvetes dhe ndërhyrjeve mjekësore dhe psikologjike.

Kuptojeni mirë dhe vlerësojeni maksimalisht se një pesimist, preken nga çdo virus dhe vdesin më të rinj se një optimist, ndaj prano dhe kërko nga vetja që të jesh optimist, se me vullnetin tënd do të arish të mposhtësh çdo gjë.

2Gjithmonë tek ty duhet të ekzistojë angazhimi se po ule gjendjen depresive, do të rritësh forcën mbrojtëse të sistemit imunitar. Ki parasysh se një organizëm të dobët e pushtojnë më shpejt dhe më lehtë virusit e ndryshëm deri dhe ata gripalë.

Relaksohuni përmes imazheve, sepse mendja juaj është e aftë të krijojë imazhe, ose si mund t’i quani ndryshe piktura mendore për ndodhi dhe objekte specifike dhe për përvojat tuaja në lidhje me to. Dhe jo vetëm kaq, se mendja juaj është gjithashtu e aftë që t’i regjistroje dhe t’i riprodhojë përvojat që ju përjetoni në formën e imazheve.

Imazhet kanë pushtet mbi trupin tuaj, ndaj shfrytëzoni sa të munduni për t’u relaksuar. Fakti është se kur ju sillni ndërmend një përvojën tuaj të suksesshme, trupi e rijeton këtë përvojë fiziologjikisht. Nëse imazhi që sillni ndërmend është i këndshëm, qetësues, atëherë trupi juaj do të rijetojë po atë gjendje qetësie, që ai ka përjetuar në situatën reale të këndshme.

Me siguri që ju ka ndodhur të shijoni kënaqësinë e një kujtimi të bukur. Kënaqësinë e një ëndërrimi. Në të vërtetë, ndodh që ju t’i përdorni imazhet e bukura, krejt pa vetëdije disa herë gjatë ditës. Dhe kështu do të relaksoheni duke mos i vënë vetes një qëllim të tillë. Ndërkohë, ju mund t’i përdorni imazhet tuaja në mënyrë të vetëdijshme për të qetësuar mendjen dhe trupin tuaj sa herë që jeni duke ndjerë simptomat e sëmundjes maniako-depresive, pse jo dhe kur jeni dhe të stresuar.

Asnjëherë mos harroni këshillat e mjekut specialist, medikamentet që ai ju rekomandon, por dhe mos u kënaqni me atë që arrini duke u përmirësuar dhe filloni dhe hiqni dorë nga trajtimi dhe konsultat periodike.

Kuptoje mirë se, secili nga profesionet ka këndin  e vet të punës, pra dhe mjeku dhe psikologu kanë gjëra të përbashkëta, por kanë dhe gjëra ku ata ndahen e nuk zëvendësojnë njëri-tjetrin. Në këtë plan secili luan rolin e tij, ndaj konsultat, qoftë dhe i një bisede psikologjike apo këshillimi psikologjik për ju është mjaft i domosdoshëm, madje të garantoj dhe shumë rezultativ.

Me shumë dashamirësi këshilluesi…!

Pasiviteti, simptomat, pasojat dhe këshilla për të dalë prej tij

Kam vënë re se kohët e fundit në mjaft veprime tuajat shoh një pasivitet të theksuar, që shoqërohet nga një heshtje dhe mos reagim, duke qëndruar mjaft i heshtur dhe indiferent, ndaj ju sjell në vëmendje se ju jeni pushtuar nga nga simptomat e pasivitetit

Atëherë ç’është pasiviteti?

Pasiviteti, ka të bëjë me të qenët pasiv; mungesë e vetëveprimit a e veprimtarisë së gjallë, mungesë e gjallërisë; qëndrim i plogët. Humbje e dëshirës për të punuar. Vështirësi për të filluar diçka. Në formën më ekstreme ka të bëjë me paralizë të dëshirës. Nuk bëhen as gjërat më të domosdoshme. Ecja dhe e folura bëhen jashtëzakonisht të ngadalta.

Shoqërohet me humbje oreksi, humbje të peshës. (Ndonjëherë, në depresionet e lehta edhe shtim peshe), çrregullime gjumi. Vështirësi për të fjetur natën. Ndodhin zgjime shumë herët në mëngjes dhe ndjehen vështirësi për të fjetur prapë. Dobësi, lodhje, humbje e interesit për seksin. Ankime të tepërta trupore, se ndjehet i lodhur. Vështirësi për t’u përqendruar, për të kujtuar dhe për të marrë vendime e tej.

Disa këshilla për të dalë nga pasiviteti

Është e domosdoshme që ta pranosh dhe të kesh vullnetin të dalësh prej asaj apatie që të ka pushtuar, kur dikush t’i vë në dukje qëndrimet dhe veprimet pasive.

Shkundjen prej pasivitetit duhet ta fillosh pikësëpari nga të qenit aktiv në dhënien e mendime dhe mbrojtjen e tyre nëpërmjet argumenteve.

Të aktivizohesh ndofta dhe pa dëshirë të plotë për gjëra apo punëra që dikur të kanë pëlqyer apo i ke kryer me qejf e dëshirë.

Të shoqërohesh me miq/mikesha, shokë/shoqe, kolegë/kolege, që janë aktivë, që s’janë përtacë, që duan të provojnë, të hulumtojnë, eksperimentojnë, që kryejnë veprime bamirëse, që marrin pjesë në aksione për pastrim ambientesh, nëpër lagje, kopshte, plazhe, mbjellje pemësh e tej.

Planifikimi i fundjavës me aktivizim në aktivitetet sportive (lloji sportit që të pëlqen), shëtitjeve, ujkendeve jashtë qytetit, fshatit, me bashkëmoshatarët dhe patjetër më pjesëtarët e familjes.

Të mos kënaqesh me sukseset e para për daljen disi nga apatia, duhet të kërkosh vazhdimisht më shumë nga vetja, duke u bërë krijues, novator, hulumtues, e tej., dhe duke mos i lënë këto kurrë në mes të rrugës, rezultatet e arritura mos i quaj se ke arritur kulmin, mendo gjithmonë për më tej, në fillim me ide dhe pastaj nëpërmjet aplikimit të tyre.

Gjithsesi varet nga ty, se kësaj gjendjeje mund t’i dalësh dhe vetë, deri diku dhe ndihmën që mund të japin pjesëtarët e familjes, shokët/shoqet e të tjerë., mos u step apo të të vijë turp që të konsultohesh me ndonjë psikolog me përvojë, i fushës së psikologjisë së këshillimit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top