Djersitja është një proces natyral i trupit që çliron toksina dhe lëngje nga trupi. Të gjithë njerëzit djersitin sidomos në fazat e rritjes dhe më mbrapa dhe është një dukuri më se e zakonshme. Një reagim natyral i trupit kur ndjeni nxehtësi, gjatë gjumit, pas vrapit, kur ecni në rrugë apo edhe në situata stresuese.
Nëse keni gjithnjë duar dhe këmbë të lagura kjo simptomë mund të jetë edhe e trashëguar gjenetikisht. Gjithsesi kur djersitja është e vazhdueshme dhe e tepërt shkaqet mund të jenë shëndetësore dhe mund të keni nevojë për kurim.
Në këtë artikull tregohen disa nga sëmundjet e mundshme që mund të jenë duke ju shkaktuar djersitjen e tepërt. Sëmundjet specifike të cilat e shkaktojnë këtë reagim të trupit i gjeni të listuara si më poshtë.
- Hipertiroidizmi
Hipertioridizmi është një sëmundje e cila prek hormonet e tiroideve që qarkullojnë nëpër trup. Simptomat e kësaj sëmundje varen ngushtë nga avancimi i saj në trup, por një nga më të dukshmet është edhe djersitja e tepërt. Kjo për shkak se hipertioridizmi përshpejton proceset kimike të trupit. Këto procese do të nxjerrin më pas në mënyrë të pakontrolluar djersën nga organizmi.
- Sheqeri i ulët
Sëmundje si diabeti i tipit 1 dhe i tipit 2, hipoglicemia apo problemet me tretjen mund të jenë ndër shkaqet e djersitjes. Nëse kuroheni nga diabeti apo keni sheqer të ulët në trup nga sëmundje të tjera, atëherë me shumë mundësi do të djersitni pa pushim.
- Sëmundjet kancerogjene
Disa tipe të sëmundjeve kancerogjene mund të përfshijnë djersitjen e tepërt të trupit. Në varësi të fazës së avancimit të sëmundjes varet edhe djersitja e tepërt. Megjithëse mjekët nuk kanë arritur t’i japin ende një shpjegim se përse kjo ndodh, ky mund të jetë një reagim i trupit teksa lufton sëmundjen.
- Menopauza
Rreth 70% e grave në fazën e menopauzës ankohen se herë pas here përjetojnë afshe të nxehta. Këto afshe e detyrojnë trupin edhe të djersijë në mënyrë që të sigurojë ftohjen natyrale të tij. Mjekët thonë se kjo ndodh për shkak të lëvizjeve të mëdha të nivelit të hormonit të estrogjenit në trup.
- Stresi dhe ankthi
Problemet me stresin dhe ankthin mund të shkaktojnë djersitje të tepërt. Të dyja këto përjetime rrisin temperaturën e trupit gjë që çon në procesin e djersitjes.
- Ilaçet
Edhe ilaçet mund të shkaktojnë djersitje të tepërt e megjithëse jo secila prej tyre. Ndër ilaçet që shkaktojnë djersitje të tepërt, përmendim ato për kurimin e presionit të lartë të gjakut, disa antibiotikë dhe disa suplemente.
Nëse po përjetoni këto episode djersitjeje teksa kuroheni me ilaçe këshillohet që të flisni me mjekun tuaj. Në asnjë rast mos ndaloni së konsumuari ilaçin e këshilluar nga mjeku.
Burimi / AgroWeb.org
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.