Nga: Besarta Taçi
Sot afro 8% e çifteve jetojnë një lidhje në distancë, këto tipologji marrëdhëniesh sentimentale përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të realitetit ku jetojmë. Emigracioni, ikja e “trurit” për arsye pune ose arsimi, njohjet në rrjete sociale, janë rastet të cilat kanë krijuar këto tipologji lidhjesh. Nuk mund të mohohen vështirësitë dhe përqindjet e rreziqeve midis personave që nuk jetojnë fizikisht afër, por kjo nuk do të thotë që këto lidhje janë të pamundura. Sot teknologjia ka mundësuar jetëgjatësinë e komunikimit midis personave, mundësia për të qëndruar virtualisht afër partnerit apo partneres ndihmon çiftin të përjetojë më realisht ndjenjat.
Nëse përjetoni një histori të tillë dhe dëshironi që personi, i cili ndodhet larg jush, të vazhdojë të jetë gjithmonë i pranishëm në jetën tuaj, duhet gjithsesi të kini kujdes në stilin e jetesës së përditshme. Për të ruajtur një stabilitet emotiv dhe shpirtëror, pa lëkundje apo keqkuptime është i domosdoshëm një komunikim i vazhdueshëm dhe i përditshëm, aq sa herr të mundeni. Përpiquni mos të fokusoni komunikimin tuaj jo vetëm sesa është e vështirë largësia, apo sesa i mungoni njëri-tjetrit, por krijoni çaste ku mund të ndani ngjarjet e përditshme të jetës suaj. Në këtë mënyrë, personi do të ndjehet gjithmonë i informuar dhe do mund të ndjehet pjesë e rutinës suaj.
Takohuni fizikisht aq sa herë është e mundur për ju, në varësi të distancës apo buxhetit. Vazhdoni të njiheni, bëhuni kureshtar për aktivitetet, jetën profesionale, gjërat që i pëlqejnë apo jo partnerit. Në këtë mënyrë kur të takoheni do e keni më të thjeshtë të planifikoni sesi do i përjetoni takimet tuaja të ardhshme. Përpiquni të krijoni një lidhje ku bazë është besimi. Ky element është themelor për të gjitha lidhjet njerëzore, bëhet akoma më i rëndësishëm për lidhjet në distancë. Tregohuni të gjindshëm, gjithmonë gati, kur partneri ka nevojë për ju në situata delikate, çaste të rëndësishme si profesionale ashtu edhe familjare. Prania juaj do e bënte të lumtur.
Ruhuni nga qëllimet, evitoni situata ku mendoni se viheni në vështirësi, mos u xhelozo, por komuniko qartësisht për situatat që janë të dyshimta, dëgjo partnerin para se të dalësh në përfundime të nxituara. Mëso të besosh. Krijoni aktivitete të cilat mund t’i zbatoni në të njëjtën kohë. Si p.sh: lexoni të njëjtin libër njëkohësisht, shihni të njëjtin film, diskutoni mbi argumentet që dalin prej tyre. Nëse keni mundësi, përdorni video telefonata, kjo do t’ju bëjë të ndjeheni më afër njëri-tjetrit. Vendoseni bashkë cila tipologji e lidhjes jeni, kuptoni cilat ja nevojat tuaja si çift, krijoni objektiva të përbashkëta, përpiquni të punoni së
bashku për t’i arritur ato. Mundohuni të jeni sa më shumë transparent që në fillim, mbi hipotezën e një bashkëjetese apo transferimet nga një qytet/shtet në tjetrin. Qartësoni këtë pjesë sepse do ju mundësojë të ecni përpara. Mos u nguroni të shpreheni, mos rezervoni emocione, shprehini ndjenjat dhe dëshirat tuaja. Ndoshta nuk mund të jeni pranë fizikisht në ato çaste, por nëse mbani të ndezur flakën e dëshirës gjatë komunikimit të përditshëm, kur të takoheni, gjithçka do jetë e përplot. Një pjesë e konsiderueshme e seksualitetit është e përbërë nga imagjinata dhe dëshira. Mësoni dëshirat intime të partnerit, shprehini imagjinatën tuaj, mos harroni që truri është organi seksual më i fuqishëm.
Sexting (mesazhe me përmbajtje erotike) është një mënyrë e mirë për të përjetuar seksualitetin në distancë, por në epokën hitech ekzistojnë edhe instrumente të cilët mund të jenë të komanduar edhe nga larg. Këto mund të blihen nëpër merkato online. Me pak guxim dhe duke mbajtur një dialog aktiv, do ia dilni të mbani gjallë lidhjen tuaj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.