Këshilla & Arsye

November 18, 2015 | 13:43

Lidhjet në distancë

isidaNga:Isida Lalaj

Një numër i madh studiuesish kanë dalë në përfundimin se çiftet që janë në një lidhje në distancë kanë një marrëdhënie po aq të shëndetshme se sa çiftet që jetojnë pranë njëri-tjetrit. Të dhënat e fundit raportojnë të njëjtin nivel kënaqësie në lidhjet në largësi, madje në disa raste dhe më shumë. Kjo është e mundur pasi të qenit larg nga partneri i detyron ata të kujdesen dhe t’i japin më shumë rëndësi disa aspekteve të marrëdhënieve në dy, gjë që çiftet pranë njëri-tjetrit i nënvlerësojnë. Lidhjet në distancë në njëfarë mënyre i detyrojnë partnerët që të zhvillojnë dhe të praktikojnë teknika të shëndetshme për të ruajtur intimitetin. Ata diskutojnë për gjëra të rëndësishme dhe flasin më shumë për marrëdhëniet e tyre. Në rastet kur çiftet jetojnë bashkë, afërsia i bën ata që të nënvlerësojnë disa zakone që mund të rrisin lidhjen emocionale të çiftit. Ka shumë njerëz të cilët nuk janë në gjendje të mbajnë një raport të gjatë në distancë, pavarësisht përpjekjeve të mëdha që çifti të takohet rregullisht. Ja disa arsye:

 1. Mungesa e komunikimit

Një nga dallimet më të mëdha si në një lidhjeje të rregullt dhe ajo në distancë është ndryshimi në mënyrën e komunikimit. Ju nuk mund të keni më një bisedë aq të gjatë sa keni pasur kur ju jeni takuar rregullisht. Kur bisedoni me anë të teknologjisë ose të një personi të tretë, ajo nuk është më e njëjtë. E qeshura e ngrohtë e partnerit tuaj zor se mund të krahasohet me atë përmes ekranit.

 2. Çështjet e besimit

Mos pasja besim te partneri nuk është një platformë e mirë si bazë në marrëdhënien tuaj, edhe në qoftë se ajo është ballë për ballë. Por në qoftë se ju keni besim te partneri, disa dyshime ende mund të mbesin kur lidhja juaj të bëhet në distancë të gjatë.

 3. Mungesa e kohës

Duhet të jeni i qartë me partnerin për sa kohë doni të mbani marrëdhënien në distancë. Të dy duhet të shihni përpara për të duruar ndarjen, në mungesë të së cilës, shmangia do të jetë shumë e natyrshme.

4. Mbajtja në kontakt

Marrëdhënia është e shtrenjtë kur ajo jetohet drejtpërdrejtë, ballë përballë, që do të thotë se ju mund të dilni të pini kafe apo të hani diçka në vendin tuaj të preferuar. Por kur jeni larg, ajo bëhet edhe më unike kur një prenotim bilete ajrore mund t’ju afrojë, pa menduar për anën ekonomike.

 5. Koha ndryshon prioritetet

Të jetosh larg për një kohë të gjatë mund të ndryshojë këndvështrimet e njerëzve, të cilët synojnë që të rrinë me njëri-tjetrin, pavarësisht nga distanca.

 6. Shenjat e ndarjes

Shumë vendime për shkak të largësisë mund të ndikojnë në një perceptim ndryshe nga partneri. Ai mund të humbasë besimin, e për pasojë edhe sigurinë dhe stabilitetin e lidhjes.

Lidhja në distancë e dy të dashuruarve mund të bëhet më e fortë nëse mes tyre ekziston besimi, por edhe komunikimi i afërt e i vazhdueshëm. Të jetosh një lidhje në distancë nuk është aspak e lehtë. Edhe pse dashuria mund të jetë shumë e fortë, largësia vë në provë të fortë rezistencën e çiftit, që mund të bjerë viktimë e disa kurtheve të saj. Kilometrat që e ndajnë çiftin janë të shumta, por gjithsesi mënyra që lidhja të funksionojë duhet gjetur medoemos. Si? Ja disa sugjerime për një histori jetëgjatë, edhe pse njëri mund të jetë në veri dhe tjetri në jug dhe koha për t’u parë është reduktuar në minimum.

 Bisedoni

Bëjani me dije partnerit se e doni, gjë që duhet t’ia përsërisni shpesh. Flisni çdo ditë se ç’ju ka ndodhur në jetën e përditshme. Kjo ju ndihmon që ta mbani afërsinë midis jush. Partnerët bashkëshortorë që komunikojnë çdo ditë, kanë më shumë mundësi që ta mbajnë lidhjen në distancë.

 Kontakti fizik

 Duke e jetuar lidhjen në largësi, kontaktet fizike e çojnë atë në një marrëdhënie më shumë miqësore se sa pasionante. Përpiquni të gjeni kohë dhe hapësirë për t’u takuar (për shembull nëse jeni shumë larg njëri-tjetrit, udhëtoni të dy në të njëjtën kohë për t’u parë në një vend që bie mes vendbanimeve tuaja). Planifikoni në mënyrë të tillë që, në qoftë se jeni duke kaluar një kohë të vështirë, takimi dhe intimiteti të jenë emocionalisht inkurajues dhe konstruktiv.

Vendosni ekuilibër

Mund të ndodhë që largësia nuk është një zgjedhje e përbashkët. Por në çift nuk duhet të jetë vetëm njëri nga partnerët që sakrifikon. Është e nevojshme të arrihet në një kompromis, që i plotëson të dy. Pra duhet arritur në një lloj ekuilibri që i jep frymëmarrje lidhjes.

 Mos bëj hetuesin

Edhe pse teknologjia ndihmon në komunikim të vazhdueshëm dhe të përditshëm, distanca rrit pasigurinë sidomos te femra. Por kjo nuk duhet të bëhet mediumi i vetëm që lidh të dy partnerët. Ajo nuk duhet të zëvendësojë krejtësisht aspektin emocional e të qenët fizikisht bashkë. Po ashtu as celularët, rrjetet sociale nuk duhet të shndërrohen në instrumente kontrolli të bezdisshëm. Besimi është thelbësor. Nëse nuk e gëzoni, do të shkatërroni një raport që ka filluar të ndërlikohet.

 Mos u dorëzoni

Largësia midis dy të dashuruarve është shumë e vështirë në çdo lidhje, por kjo nuk do të thotë se duhet të shikoni vetëm anët negative të gjërave, pasi mund të ketë pasoja. Përkushtojuni mendimeve pozitive dhe vlerësojeni çdo moment që kaloni me partnerin. Fundja, ekspertët kanë konstatuar se në lidhjet në distancë, sikurse edhe në ato të tjerat, ekziston e njëjta dozë e intimitetit, besimit, përkushtimit etj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top