Pas një viti praktikisht pa grip ose viruse të tjera, sëmundjet janë kthyer më agresive se kurrë. Udhëzimet për distancimin shoqëror dhe vendosjen e maskës për shkak të pandemisë COVID-19 parandaluan pa dashje përhapjen e mikrobeve dhe baktereve. Ndërsa ato masa kanë filluar të hiqen, gripi ka filluar të përhapet.
Rastet e gripit po bëhen gjithnjë e më të rënda, sepse sistemi imunitar i njerëzve nuk është i gatshëm të fillojë menjëherë luftimin e mikrobeve edhe një herë pas një viti të sigurisë relative. Fëmijët e vegjël dhe foshnjat janë veçanërisht më të prekshëm dhe shërbejnë si vektorë për përhapjen e viruseve.
‘Ekspozimi i shpeshtë ndaj patogjenëve të ndryshëm e forcon sistemin imunitar për të qenë i gatshëm t’i përgjigjet këtij patogjeni,’ tha Dr. Paul Skolnik, një imunovirolog dhe kryetar i mjekësisë së brendshme në Shkollën e Mjekësisë të Tech Carilion Virginia.
‘Nëse nuk i keni pasur ato ekspozime, sistemi juaj imunitar mund të jetë pak më i ngadaltë për t’u përgjigjur ose nuk përgjigjet plotësisht, duke çuar në ndjeshmëri më të madhe ndaj disa infeksioneve të frymëmarrjes dhe ndonjëherë simptoma më të gjata ose më të zgjatura.’
Rastet e gripit, rinovirusit dhe infeksioneve të tjera të zakonshme virale u shfaqën vitin e kaluar. Ftohjet e zakonshme dhe gripi – të cilat janë shkaktuar nga viruse të frymëmarrjes – ishin pothuajse inekzistente në vitin 2020 pasi ato kishin pak mundësi të përhapeshin nga personi në person. Tashmë që kufizimet e lidhura me pandeminë po hiqen rastet janë në rritje. Texas, shteti i parë që u rihap plotësisht në mars, pa një rritje të viruseve të frymëmarrjes pothuajse menjëherë pas heqjes së kufizimeve të pandemisë.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vërejnë se Virusi respirator Syncytial (RSV) po bën një rritje të madhe këtë verë në të gjithë jugun e SHBA, një dukuri e rrallë për virusin që zakonisht përhapet në muajt e vjeshtës dhe të dimrit. Disa ekspertë e parashikuan këtë lloj rritje. Rastet e RSV dhe llojeve të tjera të gripit janë më serioze se më parë dhe me simptoma më të forta që zgjasin më shumë se infeksionet në vitet e mëparshme.
Ky sezon i gripit të verës është veçanërisht i rrezikshëm për njerëzit më të moshuar dhe më të rinj, pasi RSV shkakton deri në 500 vdekje në vit midis fëmijëve nën pesë vjeç dhe 14,000 vdekje në vit tek njerëzit mbi 65 vjeç. Zelanda e Re dhe Australia, dy vende që ishin ndër më të suksesshmit në kontrollimin e pandemisë COVID-19, po shohin gjithashtu rritje të RSV.
‘Unë nuk kam parë diçka të tillë në 20 vjet punë si virolog,’ tha Dr Sue Huang, drejtor i Qendrës Kombëtare të Gripit të Organizatës Botërore të Shëndetit, për situatën në Zelandën e Re.
‘Zakonisht ka një shkallë të imunitetit para-ekzistues për shkak të dimrit të kaluar. Kur nuk keni atë lloj mbrojtjeje, është pak si zjarr dhe zinxhiri i transmetimit vazhdon.’
Ekspertët thonë se rritja mes fëmijëve është pjesërisht për shkak se virusi tani ka dy herë më shumë sisteme të freskët të imunitetit për të infektuar. Bebet e lindura vitin e kaluar mund të mos kenë sistemet e tyre imune në nivelin normal, pasi trupat e tyre nuk janë ekspozuar ndaj shumë patogjenëve.
Ata foshnje bashkohen me ato që kanë lindur këtë vit, të cilët gjithashtu nuk kanë imunitet natyror ndaj shumë patogjenëve dhe sisteme imune më të dobëta, të pa-testuar. Dyfishimi i fëmijëve që mund të infektohen lehtë ka lejuar që virusi RSV të bëjë kërdi midis popullatave më të reja.
Parandalimi i këtyre llojeve është i vështirë, megjithëse ekspertët rekomandojnë të ndiqni udhëzimet klasike si larja e shpeshtë e duarve dhe mbulimi i gojës kur kolliteni ose teshtini për të luftuar gripin.
Vendosja e një maske kur jeni në publik mund të jetë gjithashtu një praktikë e vlefshme për njerëzit që kanë dikë në familjen e tyre që mund të jetë i prekshëm nga sëmundjet e frymëmarrjes, një praktikë tashmë e zakonshme në disa vende aziatike gjatë sezonit të gripit.
Burimi / https://www.msn.com/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.