Nga Orjona Tresa
Mësimi online i këtyre tri javëve nga ana e institucioneve arsimore, mësimdhënësve dhe nxënësve, ka qenë padyshim një proces i cili ka tërhequr vëmendjen. Me gjithë ngarkesat që mund të jenë dukur të tepërta, duhet pranuar se aktivizimi i fëmijëve ka qenë i vlefshëm, ndërsa përkushtimi i mësuesve i ka dhënë frytet e veta në bashkërendimin e një detyrimi arsimor në kushte vetëizolimi.
Pavarësisht edhe telasheve teknologjike që mund të jenë, në pamundësi për një kategori të caktuar fëmijësh, përçimi i dijeve nga mësuesit ka shkuar përtej, duke i ndihmuar fëmijët përmes thirrjeve telefonike në bashkëpunim me prindërit. Deri këtu gjithçka është e natyrshme dhe për rrjedhojë shumë herë më komode se sa për një kategori të veçantë fëmijësh, të cilët me të drejtë mund ta kenë më të pamundur gjithë këtë proces. Janë fëmijët e Institutit të Nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi” Tiranë, të cilët shumë seriozisht i janë përkushtuar kësaj rregulloreje të re për ta. Me gjithë vështirësitë, shkolla online është shndërruar në një mision përkushtues për këta nxënës, të cilët edhe pse në kushte jo fort të përshtatshme, kanë treguar se po, mund t’ia dalësh. Solidariteti i fëmijëve, puna dhe treguesit e tyre me arritje falë mbështetjes së pakushtëzuar të prindërve dhe stafit pedagogjik të Institutit na dhurojnë kështu një model shembullor prejt të cilit duhet të frymëzohemi.
Në një komunikim me drejtoreshën e shkollës, Valbona Jashari dhe psikologen Silvana Buneci, e cila monitoron në ccdo kohë ecurinë e fëmijëve, marrim mesazhin se fëmijët janë në koherencë me studimet, ndjekin rregullisht orët dhe kryejnë detyrat që u përcaktojnë mësuesit. Ka një përkushtim, i cili shoqërohet edhe më argëtimin e tyre përmes lojërave, për t’ua lehtësuar kohën e të qëndruarit mbyllur në shtëpi.
Drejtoresha Valbona Jashari pohon se: “Sipas udhëzimeve të dhëna nga institucionet përkatëse, edhe ne si shkollë speciale po vazhdojmë mësimin me fëmijët me probleme shikimi. Kemi arritur të krijojmë grupe në të gjitha klasat, të cilët menaxhohen nga mësuesit përkatës dhe grupin e shkollës, i cili menaxhohet nga drejtuesit e shkollës. Nxënësit e shkollës tonë janë nga i gjithë vendi, klasa përgatitore deri në klasën e nëntë, dhe kjo shpërndarje gjeografike e vështirëson deri diku punën. Fëmijët përdorin mjete didaktike specifike pavarësisht programit të njëjtë me shkollat publike. Kjo është një përvojë e re për ne, e cila ka sfidat e veta, por deri tani mësuesit e shkollës tonë kanë arritur të përçojnë më së miri në kushtet që ndodhemi informacionin e nevojshëm, të japin tema të reja në vazhdim, të realizojnë detyra dhe t’i vlerësojnë ato”.
Sipas drejtoreshës, mësuesit komunikojnë vazhdimisht me prindërit, si mbështetja kryesore e fëmijëve në këtë proces.
Fëmijët me probleme shikimi sipas drejtueses së këtij institucioni arsimor, kryejnë mësim nëpërmjet një programi që quhet Jaus. Ata mund të përdorin pajisjet e komunikimit dhe të realizojnë punë në to. Por sigurisht që jo të gjithë i kanë mundësitë për ta pasur. E duke qenë se ky proces ka sfidat e veta, Valbona thotë se: “Jemi përpjekur ta kthejmë në një aspekt pozitiv”.
Për sa i përket aspektit psikologjik, shërbimi psikosocial i shkollës si pjesë e pandashme e rrjetit të komunikimit me fëmijët, është duke ndjekur dhe ofruar shërbimin e vet. Silvana Buneci, psikologe e shkollës thotë se: “Ky shërbim konsiston në ofrimin e materialeve informuese rreth situatës, informimin e prindërve rreth terapive të thjeshta me fëmijët dhe këshillimin online në rastet e nevojshme. Procesi i punës tonë është në vazhdim dhe ne jemi të kënaqur për mënyrën se si po punojmë me fëmijët tanë dhe familjet e tyre në rrethe”.
Devotshmëria është padyshim sekreti, ndërsa këta fëmijë, ndryshe, janë modeli ku duhet të frymëzohemi!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.