Kur lexojmë poezitë e tij, na duket se mbështillemi dhe marrim jetë prej flakës që ndrin në vargjet e tij. Edhe pse tek poezia “Torturomë”, thotë: “Gjej një prift të më mallkojë, Gjej një hoxhë t’më bëjë lanet”, poeti nuk jeton jetën me dhimbje, por me jetën e amshimit të përmbushur me dashuri. Këtë ndjesi të lexuesit dhe kredo të tij, e pasqyron mjaft bindshëm te poezitë që rrjedhin natyrshëm dhe plotësojnë një nga një, aty ku duhet e mjaft këndshëm, si një mozaik këtë vëllim poetik.
Nga Adelina Pali, mësuese Gjuhë-Letërsie
Sapo me ra në dorë libri poetik “Shën dashuronte” i poetit Albi Lushi, libër i konceptuar më së shumti me lirika, ndjeva padurim për t’i lexuar përnjëherësh, pavarësisht angazhimeve të tjera.
Teksa lexoj lirikat e Albi Lushit, herë-herë vë re nuanca rebelizmi, një rebelim i bukur pa të cilin ndihet i cunguar kuptimi i dashurisë. Me vargje, poeti hyn në labirinthet e shpirtit dhe përpiqet të zbulojë të vërtetën nëse jemi mëkatarë apo vërtetë ekziston dashuria. Në këto lirika mendoj se poeti e kapërcen veten duke na dhënë edhe një herë të kuptojmë se universi sillet dhe mbështillet rreth dashurisë si kompleks.
Edhe pse në ndonjë poezi ndjehet i dëshpëruar, në vargjet e tij ndjehen nota krenarie që dominojnë mesazhin se dashuria ekziston, edhe pse është e çuditshme, mizore jo rrallë e tekanjoze më shpesh.
Autori i këtij libri dashurinë na e sjell si lule borë, brenda saj ka mall e dhimbje. Nuk dua të marr përsipër të bëj analizë të thelluar, por teksa lexoj lirikat, them se në çdo poezi dashuria na vjen shumëdimensionale. Në çdo poezi ndjehet muza që herë vjen si një furtunë e herë si një përkëdhelje në vargje, pa dashur t’i personalizojë gjendjet poetike, por duke bërë vazhdimisht kujdes që perceptimet poetike të kenë gjithpërfshirje mesazhesh.
Lirikat e Albi Lushit e kapërcejnë ndjenjën idil, jo rrallë shohim një lirizëm ku vargjet ndjehen si një pranverë. Motivet e poezive na vijnë si kode që kërkojnë deshifrim. Poezia e tij nuk na serviret e gatshme, por teksa ngarkohet me plot figura letrare, kërkohet vëmendje për ta kuptuar dhe na stimulon dëshirën për të medituar mbi mesazhet e tyre.
Jo rrallë më ka ndodhur që poezitë e këtij vëllimi t’i lexoj e t’i rilexoj, jo vetëm se më japin ndjesi të rralla poetike, por edhe se në to përcillen mesazhe që duhen “përtypur” mirë. Askush të mos pretendojë se ka lexuar poezi, nëse nuk është në gjendje të kuptojë se ç’ka shprehur në to autori. Këtu kam parasysh atë që dihet, se shkasi i poezisë, frymëzimi i saj, është ndjenja e të pamundurës për të shprehur me fjalë të zakonshme gjendje të ndërlikuara shpirtërore.
“Shën dashuronte” tashmë është në duart e lexuesit. Ai ka ardhur tek ne si një libër që tenton të spikatet fuqishëm në letërsinë shqiptare, ku Albi Lushi me modestinë e tij njerëzore dhe krijuese, tregon se poetët kanë fuqi ta shndërrojnë dhimbjen e tyre në art.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.