Sot është Shën Valentini, një ditë për të kujtuar ata që janë bërë të shenjtë përmes sakrificave. Fati i tyre, është një testament dashurie dhe flijimi. I tillë ishte dhe fati i Kujtim Beqirit, i cili u nda nga jeta 20 nëntorin e largët të vitit 1946.
Në letrën e fundit drejtuar familjarëve dhe gruas, gjejmë dashuri, dhembshuri, dhe lamtumirë. Dy ditë para vdekjes, ai i la amanet Fatos, gruas së tij të re dhe të bukur, që sapo ishte bërë nënë për herë të dytë, unazën e tij, një kujtim i çmuar, pjesë e asaj trashëgimie. Por mbi të, ai i dha asaj uratën për të vazhduar jetën si ta kishte menduar vetë, pa u kthyer pas.
Fatoja nuk u martua më kurrë. Ajo kishte shenjtin e saj, Kujtimin dhe dy diamantët që ia fali jeta e shkurtër bashkëshortore. Labikën 5 vjeç dhe Kadriun, 2 vjeç.
Lexoni këtë letër dashurie, ku para vdekjes më të rëndësishme janë emocionet e bukura, dashuria dhe dhembshuria për ata që lë pas. Letra mbërriti në duart e vajzës së tij Labikës,70 vjet më vonë ndërsa Fatoja, iku nga kjo jetë pa e u njohur me amanetin e të shoqit dhe nuk e mori kurrë në dorë atë unazën, kujtim i Kujtimit të saj të shtrenjtë, vetëm ne vitin 2017 kur ajo tërhoqi dosjen në Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991.
Labika Beqiri, (Çoçoli), vajza e tij e mitur ishte 76 vjeç kur lexoi për herë të parë letrën e të atit. Me duart që u dridhen dhe zemrën ajo tha për ne: “Një jetë të tërë kam pritur të kujtoj zërin e tij. Më në fund, pas kaq shumë kohesh po e ndjej praninë e tij.”
LETRA
20 nëntor 1946
“I dashur vëlla Skahrim,
Unë jam mirë e shëndosh dhe sido që të vijë puna për mua, merak mos u bëni. Për vete nuk kam as dëshpërimin më të vogël, se si duket ne e paskemi në gjak të jemi të guximshëm.
Kam dëshpërim dhe merak për ty dhe për gjithë familjen që po ju lë në mjerim, por kjo tani u bë. Po të dërgoj unazën, jepja Fatos që ta ketë këtë si kujtimin më të shtrenjtë të jetës së saj.
Nuk jam në gjendje ta këshilloj si të veprojë gjatë jetës së saj, por ajo do ta gjejë vetë rrugën e drejtë dhe të nevojshme. Thuaj që të më falë që e kam shpënë në këtë mjerim.
Për Xhixhinen dhe motrat më vjen shumë keq, se mua kishin baba dhe vëlla, të lutem mos i lër të ndihen vetëm.
Përshëndetje dhe përqafime të përzemërta,
Kujtimi”
Letra u gjet në Dosjen Formulare me nr.7 të Kujtim Ali Beqiri. Këtë letër e gjeni në Fondin arkivor të AIDSSH, burim nga u mor shkrimi më sipër.
Foto nga arkivi i familjes dhënë nga Kadri Beqiri i biri i inxhinierit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.