Dita e 14 shkurtit është festa më e famshme e të dashuruarve, e cila festohet në mbarë botën. Në këtë ditë, pjesa më e madhe e çifteve lënë mënjanë çdo impenjim për të kaluar një ditë së bashku ose një natë të paharrueshme, për ta celebruar bashkë këtë ndjenjë, që është baza e jetës. Kjo ditë feste është e tillë që nga viti 496 para Krishtit, në kujtim të peshkopit të Ternit, Shën Valentin. Fraza e shkruar prej tij “Nga Valentini yt” ka ardhur deri në ditët e sotme. Për këtë ditë, emëruesi i përbashkët janë dhuratat, ide origjinale, për të befasuar partnerin. Në këtë kategori më shumë hyjnë të fejuarit ose edhe bashkëshortët, të cilët nuk ngurrojnë të hapin portofolat e tyre për t’i bërë një surprizë partneres.
Me kalimin e viteve kalon edhe moda, tendencat, idetë, mënyra e të menduarit, mënyra e të festuarit, por edhe koncepti që gjithsecili ka në rrugën që ai zgjedh për t’u kënaqur dhe për të festuar. Në ditët tona është kthyer në modë që disa festa, si Viti i Ri, Krishtlindja, ditëlindjet, përvjetorët, e kryesisht Shën Valentini, festë e cila gjithmonë është simbolizuar me intimitetin dhe romantizmin e çiftit, të festohen në mënyrë kolektive.
Që do të thotë, shkëputje nga mesazhi që vetë festa e Shën Valentinit, për shembull, përcjell, për të zgjedhur për ta festuar në një mënyrë të re dhe publike. Çiftet zgjedhin të festojnë nëpër diskoteka, restorante, kinema, teatër apo kodrat e Liqenit Artificial. Sensi për të festuar dhe vetëm me partnerin po humb, duke ua lënë vendin trendeve të momentit, modës së re të krijuar nga të rinjtë, natyrisht duke përfshirë edhe maninë e rrjeteve sociale për të “update”-uar ose publikuar mënyrën se si kanë zgjedhur të festojnë përmes fotosh, një statusi apo “check in”-ësh të ndryshëm. Është e udhës që meshkujt të ndryshojnë stilin e sjelljes dhe të menduarit për të qenë më romantikë, më të guximshëm në publik dhe më të prirur për të surprizuar e kënaqur partneren e tyre. Normalisht, mentalitetet kanë ndryshuar gjatë këtyre 23 viteve të fundit, dhe kjo i ka bërë të rinjtë më mendjehapur ndaj ndryshimeve në raportin në çift. Janë meshkujt ata, të cilëve u pëlqen të bëjnë veprimet e tyre publike duke filluar që nga gjestet më të vogla, si kapja dorë për dore me partneren në rrugë, përqafime, puthje apo shprehje të një emocioni që u vjen natyrshëm. Pa lënë pa përmendur edhe surprizat e dhuratat e shumta që mundohen të bëjnë për të kënaqur partneren. Një formë tjetër për të dëshmuar se meshkujt po ndryshojnë nga burrat qëmoti shqiptarë, është edhe postimi i një fotoje që lë shumë komente prapa.
Zgjidhni dhuratën ideale
Zgjedhja e një dhurate kërkon përkujdesje dhe vëmendje, sidomos me rastin e një feste të veçantë, siç
është edhe ajo e Shën Valentinit. Duhet menduar me kujdes, pasi dihet që femrat janë më kritike kur marrin një dhuratë në këtë datë, ndaj duhet të jetë e duhura.
Por cila mund të jetë dhurata ideale për këtë ditë?
Për femrat:
1. Një darkë romantike në një prej lokaleve më të bukur të qytetit.
2. Për të apasionuarit pas mirëqenies, dhuratë ideale është një masazh, trajtime fytyre ose trupi.
3. Natyrisht, bizhutë janë dhurata që gjithmonë krijojnë atmosferë dhe lënë një shije të mirë
4. Për një femër lulet janë gjithmonë të mirëpritura. Më shumë preferohen trëndafilat e kuq pasi
simbolizojnë pasionin.
Për meshkujt:
1. Kur bëhet fjalë për partnerin tuaj, zgjedhja bëhet më e vështirë. Nëse ai është i apasionuar pas
leximit, mund t’i dhuroni një libër.
2. Nëse është një djalosh sportiv që adhuron teknologjinë, mund t’i dhuroni një orë.
3. Nëse ai është një mashkull me shije klasike, mund të orientoheni duke i dhuruar një mbajtëse
kravate ose kapëset binjake të mëngëve të këmishës.
4. Për meshkujt në karrierë ose për një djalosh të sapodiplomuar një dhuratë e veçantë mund të
jetë një portofol.
5. Një CD me këngët e preferuara do ishte diçka shumë romantike. Edhe çokollatat nuk ngelin pas
në këtë festë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.