FB

January 22, 2022 | 8:15

Shënim / Hajdutëria virtuale, copy-paste që po shkatërron punën e gazetarëve

Dembelizmi virtyt i kohërave moderne, t’i biesh shkurt për të parë hajër në jetë

Nga Orjona Tresa, gazetare

 

Po jetojmë kohë globalizmi, ku pak nga pak gjithçka po standardizohet dhe diversiteti bëhet më i rrallë. Kohë më parë ishte e kundërta, sepse kishte më shumë diversitet dhe më pak gjëra standarde. Kjo donte të thoshte se njerëzit marrin kënaqësi të ndryshme në mënyra të ndryshme, sepse ata nuk janë robotë që mund t’u vësh përpara në mënyrë të përsëritur e bezdisëse, të njëjtin ushqim, derisa ai ta vjellë atë.

4-1 0

Gazetaria është fusha në të cilën hapin e parë e kam hedhur krejt spontanisht në fillim janarin e vitit 1999. U mbushën 23 vite tanimë. Kjo përkoi me periudhën e parë gjithashtu të lulëzimit të mediave private, të shkruara fillimisht, e mandej ato televizive. Unë zgjodha televizionin, sepse kamera më kishte tërhequr që në vogëli.

Fryma e punës dhe e përgjegjshmërisë, kur e preka nga afër median e atyre viteve, ishte shumë e lartë. Punohej pa orar. Gazetarët i gjeje në çdo llogore vështirësie. Në gatishmëri dhe të paepur për të dhënë shembullin e tyre e për të kryer misionin që i kishin vënë vetes si qëllim: Informacion i shpejtë e korrekt. Me një bllok e laps në dorë, ata operonin thellësisht në mënyrë kreative, duke e bazuar shkrimin mbi burimet personale, dhe duke iu referuar asaj që quhet si kulturë e përgjithshme. Interneti asokohe ishte më shumë një term teknik dhe i largët e jo si sot që e kemi në përdorim masiv.

Nuk flitej për gjëra të gatshme e as gjysmë të gatshme, sepse shkrimi duhej të ishte origjinal dhe të kishte stilin e artikullshkruesit. Të bëje plagjiaturë as që mendohej. Dhe nëse ndodhte, masat ishin të rrepta kur zbulohej. Çdo raportim ishte korrekt, personal, me një qëndrim solid nga një gazetar i një mediaje tek tjetri. Nuk njihej metoda copy-paste, siç ndodh rëndom sot. Punohej me përkushtim dhe pastërti. Investohej që një material të ishte i ndryshëm nga konkurrentët e tjerë mediatikë. Dhe kjo ishte një nga bukuritë e kësaj pune.

Njerëzit ishin të etur për zhvillime të përcjella në një gjuhe vetjake, pavarësisht qëndrimit apo vijës editoriale që i duhet të mbante një media. Thënë shkurt: nuk kishte shkrime të njëjta.

Çdo media një zhvillim politik, kronikë, çështje sociale, kulturore apo sportive, e sillte në këndvështrime burimore të shumta.

Jo se sot nuk ndodh, përkundrazi.

Ka media që kanë kapitalin e duhur njerëzor dhe janë solide në ruajtjen e kolonave të gazetarisë.

Por sot, një pjesë e konsiderueshme e medias, e cila më së shumti është ajo online, në mënyrë të vetëdijshme apo ndoshta krejt pa vetëdije, ka standardizuar gjithçka në dëm të interesit publik.

Meqenëse më dhemb ajo me të cilën ndeshem në përditshmëri, po e ndaj si një ankesë për fyerje ndaj punës së gjithë atyre kolegëve që punët e tyre të shkruara u përdoren, u keqpërdoren dhe u shkelen të drejtat e autorësisë, për disa përfitime më shumë përmes teknologjisë përbindëshe, që po i ushqen të gjitha ata që hapin një adresë me përmbajtje: lajme nga të gjitha fushat.

Personalisht vë re një zgjerim të masës fyese që po u bëhet shumë kolegëve, të cilët përcjellin ngjarje nga më të ndryshmet, shpesh dhe problematike e me risk, dhe as që u përmendet emri kund, apo t’u citohet si burim informimi.

Po e bëj edhe më konkrete:

E kam me të gjitha sitet hijena, të pabindura, të cilat kur i denoncon e u thua që të citojnë burimin e faqes së “Revista Psikologjia” ku e kanë kopjuar lajmin, të kthejnë një përgjigje krejt të patakt, a thua se je ti në borxh me ta dhe jo ata fajtorë ndaj teje.

4 5

Pas këtij ekrani, (sepse në revistën e printuar periodike njëmujore lexuesit janë shembuj) ndesh faqe anonime që guxojnë deri aty sa të përdorin logon tënde të patentuar, ta cungojnë në njërën prej germave të saj, për t’i rënë shkurt me faqen e tyre që duan të ndërtojnë. Jo vetëm kaq, po abuzojnë sy për sy, duke ta mohuar një fakt që bën muuu…

Këtu vë re një “virtyt” të frikshëm që ka prodhuar teknologjia moderne, e cila u vu në përdorim për ta ndihmuar njeriun, jo për ta futur në konflikt atë. Sepse shohim përditë që pikërisht kjo teknologji, veç të mirave të saj të panumërta, ka krijuar gjithashtu dhe ngërçe pa fund.

Është ky “virtyt” që na përsos përtacinë, dembelizmin, vjedhjen e krahëve të punës së tjetrit, përfitimin makut me makinacione të tipit: i heqim emrin autorit, (gazetarit, analistit, opinionistit, përkthyesit etj.,) link-ut e me radhë. Kështu duket se ata dalin më të mençur se ata që kanë punuar vërtetësisht për të hedhur në treg një informacion të dobishëm.

Jo vetëm kaq, po pandershmërisht. Por, ca e ca prej këtyre hajdutëve mediatikë, kanë guxuar deri aty sa të prodhojnë libra si autorë, me shkrimet e të tjerëve.

 Por, një fjalë e urtë popullore thotë se “mendtë nuk i bën dot po nuk i pate”, ndaj edhe dredhitë për t’ia hedhur dhe kësaj radhe, nuk mund të shkojnë në pafundësi. Sepse gjithmonë do dalë dikush që do ta mbrojë punën e tij nga pirateria e paskrupullt.

DËSHMI

2

8 7

11 12 13 10 9

4 1

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top