Shumë prindër shqetësohen se nuk po ia dalin mbanë siç duhet me fëmijët. Aq më tepër prindërit modernë, të cilët kanë standarde të larta për veten dhe fëmijët. Në punën tonë si psikologë, kemi evidentuar disa shenja ose tregues që konfirmojnë se një fëmijë ka prindër shumë të mirë:
Së pari, fëmija i shfaq emocionet para prindërve.
Edhe pse shumë prindër nuk do të donin t’i shihnin fëmijët e tyre duke shfaqur emocione shpërthyese dhe negative (zemërim, trishtim ose frikë), fakti që ata i shfaqin me lehtësi do të thotë që ndihen të sigurt pranë prindërve të tyre.
Nëse fëmija juaj nuk i shfaq ndjenjat para jush, duhet të shqetësoheni. Shpesh, kjo mund të jetë shenjë e një problematike në marrëdhënien mes jush. Ndaj, mos e shpërqendroni fëmijën nga ndjenjat e tij. As mos e pengoni t’i shprehë ato. Përkundrazi, kushtojuni vëmendje dhe vlerësojini të gjitha ndjenjat që fëmija shpreh.
Së dyti, fëmija shkon te prindi kur ka një problem.
Kur fëmija i kërkon ndihmë prindit nëse ka një problem apo shqetësim, atëherë prindi ka bërë një punë të shkëlqyer. Fakti që po kërkon ndihmë do të thotë se ndihet i sigurt dhe beson se do të marrë mbështetje.
Një mënyrë e mirë për të inkurajuar këtë sjellje të fëmijës është ta dëgjoni me kujdes, edhe nëse problemet e tij apo të saj ju duken të vogla. Dëgjimi hedh bazat e një marrëdhënieje dhe komunikimi të hapur, që për fëmijët tuaj janë të vështira në atë moment të jetës së tij.
Së treti, fëmija mund të diskutojë me prindërit ato që mendon dhe ndjen pa pasur frikë.
Nëse fëmija është në gjendje të diskutojë me ju për gjithçka, kjo tregon se ju e keni pranuar dhe se jeni një prind fleksibël. Shumë prindër e refuzojnë komunikimin me fëmijën e tyre duke reaguar në mënyrë të ekzagjeruar. Prindër të tjerë ndihen të dobët dhe nuk arrijnë të përmbajnë ndjenjat dhe mendimet e fëmijëve të tyre. Mos harroni: ju jeni aty për të ndihmuar dhe mbështetur fëmijët tuaj! Ata presin nga ju, ndaj ju duhet t’i lejoni të jenë ashtu siç janë! Pranojini mendimet dhe ndjenjat e tyre!
Së katërti, prindërit nuk e etiketojnë fëmijën.
Prindërit e mirë nuk vënë etiketa si “i keq”, “dembel”, “llafazan” apo “llupës”. Nëse fëmija juaj i ha të gjitha biskotat pa i ndarë me të tjerët, ju duhet të fokusoheni tek sjellja e tij: “Ti i hëngre të gjitha biskotat pa i ndarë me të tjerët. Është shumë e rëndësishme që ti t’i ndash gjërat e tua me të tjerët. Si do t’ia dalësh kur të krijosh familjen tënde?” A nuk është më mirë kështu sesa po t’i thuash: “Ti llupës! Shko me vrap në dhomën tënde!”
Së pesti, prindërit e nxisin fëmijën të ndjekë talentet dhe prirjet e veta.
Nëse ju i mbështesni në rrugën e realizimit të prirjeve dhe talenteve të tyre, fëmijët do të ndihen më me vetëbesim. Kështu do t’u mësoni këmbënguljen dhe do t’i mbroni nga sjelljet e rrezikshme. Gjëja më e mrekullueshme në jetë është të shkëlqesh në atë që do.
Ndonjëherë, prindërit i drejtojnë fëmijët drejt interesave që ata nuk i kanë, vetëm sepse duan të plotësojnë ëndrrat dhe nevojat e tyre të papërmbushura. Nëse ju e shtyni fëmijën drejt një rruge që ai nuk e do, gjithçka do të shkojë keq, edhe nëse ata duken sikur po ia dalin mirë. Më vonë, fëmija mund të ndiejë dështim, presion dhe mundet të vuajë nga probleme të shëndetit mendor.
Së gjashti, prindërit vendosin kufij të arsyeshëm mbi sjelljen e fëmijës.
Prindërit e mirë e drejtojnë sjelljen e fëmijëve duke vendosur disa kufij. Fëmijët që nuk kanë kufij përfundojnë në telashe dhe nuk arrijnë të kontrollojnë sjelljen e tyre. Vërtet fëmijët mund të mos i pëlqejnë kufizimet, por ata do të mësohen me to dhe më vonë do t’i përdorin ato për të rregulluar sjelljen e vetes (dhe të fëmijëve të tyre). Disa shembuj të thjeshtë janë: orari për të fjetur, rregullat në komunikim, ndalimi i alkoolit etj.
Së shtati, prindërit rregullojnë gabimet e tyre.
E fundit, por shumë e rëndësishme, është që prindërit e mirë duhet të jenë të aftë të rregullojnë gabimet tek vetja e tyre. Nëse ju ndonjëherë bërtisni, ulërisni ose e etiketoni fëmijën, mos u tmerroni: me rëndësi është ta rregulloni gabimin dhe t’ia bëni të ditur këtë gjë fëmijës. Flisni me fëmijën dhe thuajini se reaguat gabim dhe si do të donit të kishit reaguar.
Mos e harroni: prindërimi i mirë nuk është vetëm të masësh sukseset e fëmijës, por është ai që shërben si bazë sigurie për fëmijët.
Burimi/http://psikologjia-shqiptare.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.