Vajzat që nuk kanë marrë dashuri të mjaftueshme në fëmijëri shpesh mbajnë plagë të padukshme në marrëdhëniet e tyre si të rritura, zakone emocionale të formuara nga mungesa e dashurisë, vlerësimit apo sigurisë gjatë fëmijërisë. Këto përvoja të hershme nuk zhduken vetvetiu; ato jehojnë në mënyrën si gratë besojnë, duan dhe e shohin veten në jetën e mëvonshme.
Nëse ndonjëherë je ndjerë e pasigurt në dashuri, e pavlerësuar apo e mbërthyer në cikle kënaqësie për të tjerët, nuk je vetëm. Shumë gra që janë rritur të neglizhuara emocionalisht zhvillojnë sjellje të caktuara, jo nga dobësia, por si strategji mbijetese. Me kohë, këto modele e bëjnë dashurinë në moshën e rritur të ndihet më shumë si konfuzion sesa ngushëllim. Psikologët madje e quajnë këtë “sindroma e vajzës së padashur”. Vetëdijesimi është hapi i parë drejt shërimit. Këtu janë 7 sjellje që vajzat e padashura shpesh i bartin në marrëdhëniet e tyre të mëvonshme:
1.Dyshon gjithmonë te vetja
Edhe pas një bisede normale, mendja jote i rikthen gjithçka: A fola shumë? A tingëllova çuditshëm? A duhet ta kisha thënë ndryshe? Dy herë kontrollon çdo mesazh para se ta dërgosh. Shpesh i jep përparësi mendimeve të të tjerëve, sepse të besosh te vetja duket e rrezikshme. Ky dyshim i vazhdueshëm shpesh ka rrënjë në një fëmijëri ku ndjenjat e tua janë mohuar, zëri yt është nënvlerësuar apo je quajtur “shumë e ndjeshme” apo “dramatike”. Ke mësuar të heshtësh, sepse atëherë të shprehje nuk ishte e sigurt.
2.Kërkon ndjesë edhe kur nuk ke faj
Dikush të përplaset, dhe automatikisht ti thua “më fal”. Kërkon ndjesë kur je me vonesë një minutë, kur je e trishtuar, apo kur ke nevojë për kohë për veten. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mirësjelljen — është një refleks mbrojtës. Nëse ke kaluar fëmijërinë duke ecur mbi vezë (në tension), të kërkuarit ndjesë ishte mënyra për të shmangur ndëshkimin apo për të fituar pranim. Si e rritur, ndoshta as nuk e vëren sa shpesh e thua, apo si e forcon ndjenjën se je “barrë”.
3.Frikësohesh se njerëzit do të largohen, edhe kur gjithçka është në rregull
Je në një marrëdhënie të mirë, por një vonesë në përgjigje apo një ndryshim toni të bën të mendosh: A janë mërzitur me mua? A kam bërë ndonjë gabim? Frika se dikush do të largohet, apo se nuk je “mjaftueshëm e mirë”, bëhet një rreth vicioz. Kjo vjen nga përvoja të hershme ku dashuria ishte e pakapshme, e ftohtë apo e tërhiqej pa paralajmërim. Tani, edhe kur dashuria është e shëndetshme, mendja jote pret që ajo të zhduket — dhe kjo lodh emocionalisht.
4.Dashuria të bën të ndihesh në siklet ose e padenjë për të
Dëshiron dashuri thellësisht, por kur dikush të ofron kujdes apo ndjenja të sinqerta, ndihesh e hutuar, madje dyshuese. Komplimentet të vënë në siklet. Përkëdhelja të rëndon. Pyet veten çfarë duan në këmbim, apo mendon se janë të sjellshëm nga mëshira. Nëse ke qenë e injoruar emocionalisht në fëmijëri, trupi yt mund të përjetojë dashurinë si të huaj, madje të rrezikshme. Ke mësuar të mbijetosh pa të, dhe tani që është aty, nuk di si ta pranosh plotësisht.
5.Përpiqesh t’i kënaqësh të gjithë, edhe kur je e palumtur
Je ajo që të gjithë i drejtohen. “Rregulluesja”. Ajo që thotë “është në rregull” edhe kur nuk është. Parashikon nevojat e të tjerëve përpara të tuave, ndonjëherë harron çfarë dëshiron vetë. Kënaqja e të tjerëve shpesh është një aftësi mbijetese e mësuar herët. Nëse mënyra e vetme për të ndier siguri ishte duke i mbajtur të tjerët të kënaqur, atëherë të vetësakrifikoheshe u bë diçka normale. Por kjo të lë të rraskapitur, të padukshme dhe të zemëruar — dhe përsëri, me frikën për të ndalur.
6.E ke të vështirë të thuash “jo” dhe të qëndrosh pas tij
Të thuash “jo” shkakton ndjenja faji, ankthi apo frikën se dikush do të mërzitet, do të të lërë apo do të mendojë se je egoiste. Edhe kur vendos një kufi, ai duket i lëkundur — sikur do shembet sapo dikush të mos pajtohet. Nëse je rritur pa kufij emocionalë apo respekt për hapësirën tënde, atëherë të vësh veten në vend të parë tani duket e çuditshme, por është jetike. Të mësosh të mbash qëndrimin tënd është një nga gjërat më të vështira — dhe më shëruese.
7.E lidh vlerën tënde me atë që bën, jo me atë që je
Punon shumë. Je perfeksioniste. Rrallë ndalon për të pushuar. Nën gjithë këtë produktivitet fshihet një bindje: nëse ndalon së bëri gjëra, nuk do të jesh më e vlefshme. Madje mund të ndjesh se marrëdhëniet e tua varen nga sa “e dobishme” je, jo nga kush je vërtet. Për shumë vajza të padashura, suksesi bëhet zëvendësim për vetëvlerësimin. Nëse dashuria ishte e kushtëzuar në fëmijëri, e lidhur me bindjen, performancën apo përsosmërinë, nuk është çudi që tani e mat veten me arritje. Por thellë brenda, mund të ndihesh sikur nuk je kurrë mjaft.
Nëse e ndjen veten në këto përshkrime, dije se nuk je vetëm, dhe shërimi është i mundur. Vetëdija është hapi i parë, dhe ndihma profesionale mund të bëjë ndryshim të madh. Dashuria që s’e more dikur, mund të fillosh ta ndërtosh brenda vetes sot.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.