Dëshmi

April 16, 2020 | 8:05

Sherife Vishaj: Përparësitë që puna nga shtëpia u sjell nënave

Padyshim se familjes dhe karrierës u duhet dhënë kujdesi i duhur sipas kërkesave që kanë si njëra edhe tjetra, në mënyrë që të kemi suksesin e dëshiruar.

Sherife Kciku Vishaj, Menaxhere e Marrëdhënieve me Publikun

Sherife Kciku Vishaj,
Menaxhere e Marrëdhënieve me Publikun

Vërtet që është jetë dinamike, duke u munduar të arrihen të gjitha sipas agjendës që ia përcaktojmë vetes, aq dinamike saqë në të shumtën e rasteve duhet të vrapojmë ngase duke ecur nuk mund të arrijmë.

Në fund të ditës, gjithnjë e kam menduar se krejt çka po më mungon në jetë është koha, duke thënë sikur t’i kisha edhe disa orë shtesë për të kaluar më fëmijët e mi. 

Nevojën për kohë shtesë sikur kam filluar ta lakmoj që kur jam bërë nënë për herë të dytë. Ndoshta me fëmijën e parë koha kaloi aq shpejt dhe qëkur Olti (djali i parë) u rrit, vura re që sikur më ka munguar koha për të shijuar akoma më shumë fëmijërinë e tij. 

Por, që kur erdhi në jetë Noah, fillova të mendoj se si mund ta shijoj më shumë qëndrimin me të, sespse edhe ky si Olti do të rritet shpejt e kohën nuk mund ta kthej prapa. E thoja me vete, cili do të ishte profesioni im që do të ma mundësonte të punoja në shtëpi e ta shijoja kohën me të?!

Kjo kohë erdhi, por kështu nuk e mendoja (duke u detyruar të qëndrojmë në shtëpi të mbyllur për shkak të pandemisë me Covid-19). Shumica e bizneseve u detyruan të mbyllen apo të punojnë nga shtëpia. Fatmirësisht, kompania ku unë punoj, shërbimet e saj i ofron edhe online dhe punën e vazhdojmë nga shtëpia. 

Erdhi koha për t’i shijuar të mirat që sjell kjo në shumë dimensione të jetës, e veçanërisht për të mirën e familjes. Të largohemi pak së menduari anën negative të kësaj pune, e të shijojmë disa përfitime që na ka sjellë të qëndruarit në shtëpi. Më poshtë po listoj disa të mira që më ka sjell kjo periudhë mua si nënë, e besoj që sadopak edhe nënat e tjera ndajnë mendimin e njëjtë me mua. 

Kafja e mëngjesit

E vërtetë që kafja e mëngjesit është shumë e mirë me kolegët e punës apo me ndonjë shoqe duke diskutuar për ndodhitë e fundit apo edhe planet e së ardhmes, e në raste, edhe vetëm duke menduar e planifikuar agjendën ditore të punëve. Por aktualisht, kafja e mëngjesit ka shije ndryshe pa stresin e kohën për të arritur në kohë për fëmijët në shkollë e në kopsht e po ashtu në punë. Nuk do të doja për asnjë çmim tjetër që ta ndryshoja mëngjesin që po e përjetojmë aktualisht së bashku me familjen.

Përgatitja e ushqimit 

Çfarëdo pune që bëjmë gjatë ditës medoemos e kemi përgatitjen e darkës apo dreka e vonshme, që për mua ishte një ngarkesë e madhe jo pse nuk më pëlqen të gatuaj, por presioni i kohës sikur nuk më ka lënë asnjëherë të bëj më të mirën. Shtuar kësaj, nuk e kisha luksin e kohës që të gjitha vaktet t’i përgatisja në shtëpi. Aktualisht po e ndaj kohën për përgatitijen e ushqimeve të preferuara të familjes, duke u përpjekur t’ua bëj qejfin secilit me ushqime. Për mua nuk ka asgjë më shumë vlerë se sa kur mblidhemi të gjithë në tryezë. Ta shijojmë këtë periudhë të përgatitjes për qejfi dhe ngrëniën e të gjitha vakteve së bashku.

Aktivitetet me fëmijë

Fëmijët, dashurinë më së shumti e pranojnë përmes lojës e aktiviteteve. Gjithmonë jam munduar ta ndajë kohën për fëmijët, por sikur asnjëherë nuk ishte e mjaftueshme. Sikur kjo periudhë erdhi si dhuratë për fëmijët, le ta shijojmë së bashku, me Oltin duke vizatuar, sepse e ka shumë për qejfi e Noah, duke krijuar Lego që të marrin kohë shumë, por edhe është shumë relaksim.

Përqafimet e Noahs (karameli i mamit)

Noah, djali i vogël është shumë fëmijë i dashur, ofron shumë dashuri për të gjithë e veçanërisht për mua. Këtë periudhë nuk e ndërroj me asnjë periudhë të jetës kur Noah gjatë gjtihë ditës pa ndonjë arsye vjen të përqafon e ta jep energjinë e botës. Le ta shijojmë dashurinë e fëmijëve që është dashni pa interes dhe e vërtetë.

Përcaktimi i kohës për punë

Sigurisht që janë edhe punët të cilat duhet t’i kryejmë edhe pse jemi në shtëpi, por e mira e kësaj periudhe është se unë po e përcaktoj vet kohën kur do të punoj dhe rezultati po mendoj se është i mirë marrë parasysh që edhe përqendrimi është më i lartë. Kur e vë re që nuk jam produktive, e zëvendësoj duke parë një film, dokumentar apo ngjashëm për ta zhvendosur kohën për punë në një orë tjetër gjatë ditës.

Të jem e sinqertë, nuk do të dëshiroja që kjo periudhë të zgjasë pa fund. Ne e dimë që nuk do të zgjasë. Padyshim që më mungon vendi i punës ku kam kaluar mbi 10 vite të jetës time. Më mungojnë diskutimet e mëngjesit me kolegë, më mungon pauza me shoqet, më mungon shopping, më mungon thjesht një ekspres, më mungon shumëçka që t’i kthehem rutinës së jetës. 

Por, ia them vetes që ta shijoj këtë periudhë me të gjitha këto të mira që më ka sjellë. Periudhë kjo që do ta kujtoj gjithë jetën.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top