Këshilla & Arsye

November 24, 2015 | 10:24

Shijoje jetën, jo thjesht jetoje!

isidaNga: Isida Lalaj

Barazia gjinore në çift dhe vendimmarrja brenda familjes është shumë e rëndësishme në një familje. Që një familje të jetë e shëndetshme, në radhë të parë duhet të respektohen vendimet e secilit partner. Por ka dhe shumë familje ku ekzistojnë konfliktet dhe debatet se kush do t’i marrë vendimet, kush do të komandojë apo kush do ta ngrejë më shumë zërin. Prandaj ekzistojnë disa këshilla dhe gjeste në dukje të vogla, por në fakt të rëndësishme për këdo që dëshiron ta shijojë jetën bashkëshortore, jo thjesht ta jetojë atë.

 

  1. Duhet të kuptoni sesi të ekuilibroni pushtetin në marrëdhënien tuaj. Vlerësojini në mënyrë të drejtë hapësirat e pushtetit, si paratë, punët e shtëpisë, marrjen e vendimeve për çështje të ndryshme si: pushimet, pazari, shkollimi i fëmijëve, etj.
  2. Kontributi financiar i partnerëve nuk duhet të ketë ndikim në marrjen e vendimeve brenda familjes. Duhet komunikuar që në fillim të bashkëjetesës se sjellja e më shumë të ardhurave nga njëri partner nuk duhet të ndikojë në vendimet brenda familjes, sepse paratë janë thjesht një element në shërbim të kësaj jete të përbashkët.
  3. Nëse jeni më të shkolluar, mos e vini në pah në çdo çast dhe të merrni ju vendimet brenda familjes. Nuk mund të jetë marrëdhënia në çift një garë e përhershme në lidhje me arsimimin apo vlerat intelektuale të njërit apo të tjetrit. Dhe pastaj, që një marrëdhënie të shkojë mirë, nuk do të thotë detyrimisht që të dy partnerët të kenë interesa të njëjta në lidhje me arsimimin. Edhe nëse njëri prej partnerëve mund të jetë më pak i arsimuar se tjetri, ka gjithnjë mundësi për të zbuluar vlera të tjera tek ai.
  4. Secili prej partnerëve duhet të ketë hapësirat specifike të kompetencës, marrjes së vendimeve, dhënies së mendimeve dhe në këtë hapësirë është më mirë të mos e rivalizoni. Mos e uzurponi hapësirën dhe vendimet e partnerit tjetër. Kini parasysh gjithnjë se partnerit tjetër i duhet një hapësirë vetjake për të marrë vendimet, ashtu siç ju duhet edhe juve një e tillë.
  5. Në edukimin e fëmijëve ndani në mënyrë të barabartë pushtetin dhe privilegjet. Situata më e mirë është kur të dy partnerët zotërojnë cilësi të barabarta. Sidoqoftë, duhet vendosur një ekuilibër. Nëse njëri nga partnerët mund të jetë më i aftë për t’u kujdesur për fëmijën në lëndën e matematikës, le të jetë ai që e merr përsipër këtë. Partnerit tjetër duhet t’i takojë diçka tjetër, për shembull mund ta ndjekë në pasionin e tij për muzikën, pikturën, futbollin apo tjetër gjë të kësaj natyre. Nuk duhet në asnjë mënyrë që njëri nga prindërit të përfitojë nga aftësitë e veta për t’iu vënë në dispozicion fëmijës.
  6. Gjatë marrjes së vendimeve brenda familjes, partnerët duhet të kenë një komunikim sa më të mirë, me një zë të qetë dhe të dëgjojnë deri në fund mendimin e partnerit apo partneres. Ju gjithnjë duhet të kontrolloni tonin e zërit. Të jetuarit bashkë është e gjitha një çështje ndërmjetësimi.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top