Shumë njerëz janë të bindur se alergjitë janë më të këqija gjatë muajve të pranverës dhe të verës. Megjithatë, alergji ka dhe në dimër. Duke qenë se në këtë periudhë të vitit kalojmë më shumë kohë mbyllur në shtëpi, njerëzit alergjikë kanë më shumë vështirësi të përballojnë dhe të kontrollojnë shenjat e alergjisë…
Po si është e mundur të ketë alergji dhe në dimër? Disa shkaktarë të alergjive, si qimet e kafshëve shtëpiake, myku apo pluhurat janë të pranishme gjatë gjithë vitit. Për më tepër, gjatë sezonit të dimrit, ekspozimi ndaj shkaktuesve të alergjive mund të jetë më i fortë për shkak të kohës më të gjatë që kalojmë në ambiente të mbyllura dhe të ngrohura. Gjatë muajve dimërore, shkaktarët kryesorë të alergjive janë qimet e kafshëve shtëpiake, lagështia e mureve, myku që vjen nga dekompozimi i gjetheve apo i mbeturinave të tjera.
Faktorët që mund të shkaktojnë alergji të mundshme, mund të fshihen në vendet dhe në rrethana të paimagjinueshme: edhe tymi që vjen nga druri që digjet në një oxhak mund të përkeqësojë shenjat e një alergjie. Po ashtu, edhe tymi, bimët dhe qirinjtë aromatikë mund të shkaktojnë alergji.
Në përgjithësi mund të zbatoni këshilla të vogla dhe të nevojshme për të menaxhuar apo parandaluar simptomat e alergjive.
Si të mbani nën kontroll alergjitë dimërore
- Kufizoni ekspozimin ndaj alergjenëve
Teknika më e mirë është të evitoni kontaktin me atë që ju shkakton alergji. Për shembull, nëse era ngre në ajër gjethe të lagura në oborr apo kopsht, është e nevojshme që edhe në ambientet e brendshme të pastroni, të lani dhe të fshini pluhurat, në mënyrë që të kufizoni praninë e alergjenëve në shtëpi.
- Hiqni alergjenët duke pastruar
Lani duart, fytyrën dhe flokët dhe bëni dush sa më shpesh, në mënyrë që të pakësoni numrin e alergjenëve, me të cilët ekspozoheni. Po ashtu, ndërroni sa më shpesh rrobat.
- Lani sa më shpesh shtresat
Lani sa më shpesh çarçafët, batanijet dhe kuvertat, të cilat në shumicën e rasteve bëhen me pluhur dhe nëse keni kafshë shtëpiake, janë plot qime.
- Përdorni solucion fiziologjik
Përdorni ujë fiziologjik të kripës izotonike ose hipertonike për pastrimin e zgavrave të hundës, pasi ju ndihmon në zbutjen e bllokimeve të hundës, të cilat janë tipike në alergjitë dimërore.
- Mbani organizmin të hidratuar
Pini sa më shumë ujë dhe mbani një regjim ushqimor të pasur me fruta dhe perime.
- Mbani në nivelin e duhur lagështinë e ajrit
Ruani nivelin e duhur të lagështisë në ajër, nëpërmjet përdorimit të aparaturave të heqin lagështirën. Ajri shumë i thatë mund të irritojë hundën dhe gojën, ndërsa ajri shumë i lagësht mund të shkaktojë rritjen e kërpudhave apo të mykut: lagështia ideale duhet të jetë jo më pak se 30% dhe jo më shumë se 50%.
- Përdorni ilaçe antihistaminike
Përdorni në mënyrë korrekte barna antihistaminike, të cilat janë të dobishme për të luftuar simptomat e alergjisë, siç mund të jenë: kruajtja e syve dhe rrjedhja e hundëve.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 150
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.