Nga Naile Rrustolli Hoxha
Më herët, konteksti kulturor dhe mungesa e informacionit të saktë i bënin njerëzit të mendonin se vetëm ata që “nuk janë mirë” shkojnë te psikologu. Këto paragjykime, të përforcuara edhe nga mendimet e të tjerëve, nuk bënin gjë tjetër veçse e përkeqësonin situatën. Sot, më vjen mirë të them me gjithë kuptimin e fjalës: po thyhet tabuja!
Më shumë të rritur po më shkruajnë për ankthin, depresionin apo çështje të tjera që i shqetësojnë dhe po kërkojnë ndihmën profesionale që u duhet. Po ashtu, shoh shumë prindër të cilët tregojnë kujdes të veçantë për zhvillimin emocional dhe mendor të fëmijës së tyre më drejtohen me pyetje të kujdesshme për çdo hap. Ndonjëherë, mjafton një konsultë psikologjike. Mjafton një pyetje e thjeshtë, por e vendosur në momentin e duhur, për të qenë pikë kthese, një moment reflektimi që të ndryshon këndvështrimin mbi veten dhe situatën.
Një seancë që sot mund ta realizoni për fëmijën tuaj, disa udhëzime të thjeshta që mund të merrni, mund të transformojnë qasjen tuaj si prind ndaj mirëqenies emocionale të fëmijës. Ju mund të mësoni si ta mbështesni më mirë, si ta nxisni të zhvillohet dhe si të jeni pranë në çdo hap të rëndësishëm të rritjes së tij.
Nuk ka asgjë të keqe të telefononi sot për një seancë psikologjike, për veten apo për fëmijën tuaj. Përkundrazi, me këtë veprim, ju tregoni se shëndeti mendor ka rëndësi për ju. Ju dëshmoni se nuk lejoni që paragjykimet t’ju ndalojnë nga kujdesi për veten dhe për ata që doni.
Në fund të ditës, të shkosh te psikologu është një akt guximi, jo dobësie. Është një mënyrë për të treguar dashuri ndaj vetes dhe për të zgjedhur një jetë më të shëndetshme, mendërisht, emocionalisht dhe shpirtërisht.
*Naile Rrustolli Hoxha
Psikologe për fëmijë
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.