Në fokus

March 30, 2017 | 11:24

Shoqëria… “godina” e personalitetit

Përgjatë kohës që jemi të ekspozuar ndaj qëndrimeve të të tjerëve, qëndrimi ynë ështrë reflektiv. Për sa kohë ruhet ekuilibri midis faktorëve nxitës të jashtëm dhe atyre të brendshëm, individi është i qetë, ruan pozicionin dhe diferencat unike me të tjerët, duke na bërë njëkohësisht të ndryshëm midis të tjerëve. Për shembull, nëse dikush na vë përballë një komplimenti, na favorizon për punën, na çmon mendimin në diskursin tonë, ekuilibri është i ruajtur me tendencat tona, bindjen e brendshme dhe parimet gjithashtu. Jemi falënderues dhe refleksioni emocional dhe sjellor është pozitiv. Po kështu edhe edhe njohja që kemi për veten në raport me rrethanat rastësore jashtë nesh ruhet e plotë. Në një shembull të kundërt, kur arsyetimi ynë, sjellja jonë apo edhe argumentimi ynë që ka qenë i njëanshëm nuk mirëpritet, atëherë reagimi emocional mund të jetë shpërthyes, agresiv e ndoshta fyes.

 

Nga Blerina Memaj, psikologe

worried-woman11

Sipas Erich Fromm, njeriu mund të ketë mbarësi vetëm në shoqëri. Egoizmi është mënyrë e rrezikshme dhe afatshkurtër për të ndihmuar veten. Njeriu nuk mund t’i ndajë interesat e veta të vërteta nga interesat e shoqërisë. Ai mund ta ndihmojë veten vetëm duke ndihmuar shoqërinë.[1] Fromm sjell rastet kur shoqëria i ruan të tëra funksionet e lartpërmendura, por në realitetin shqiptar ka raste kur grupi social kufizon lirinë personale deri në shkallën e skllavërimit, të mendimit e të vetëveprimit.

Të arrish në kufijtë e plotësisë duhet të dish t’i luash mirë të tëra rolet në arenën e jetës shumëdimensionale, pasi gjithsecili është gjithmonë dhe kurdoherë, pak a shumë i ndërgjegjshëm se është duke luajtur një rol.[2] Individët vuajnë nga të qenit të papërmbushur dhe rrallë i dinë shkaqet e kësaj papërmbushjeje. Edukimi është para së gjithash një proces ndërtimi, kultivimi, çka do të thotë, se ai që merret me edukim duhet të ndërtojë. Këtu bëhet fjalë për ndërtimin e “godinës së personalitetit”.[3] Në mjedisin familjar çdo individ kalon proceset fillestare të edukimit dhe kultivimit dhe ndërton më pas personalitetin e tij. Gjurmët e hershme të ndikimit të mjedisit familjar do të jenë përgjatë gjithë jetës si gjurmë të prekshme dhe të shoqëruara me reagime të forta emocionale e ndjesore. Familja është grupi i parë social ku individi fiton shprehitë dhe vlerat e sjelljes njerëzore, ndaj quhet “Qeliza” bazë e shoqërisë. Në familje marrëdhëniet mes anëtarëve rregullohen nëpërmjet rregullave të pashkruara, por të detyrueshme për t’u aplikuar nga anëtarët.[4]

 

Nisur nga gjithë çka thamë më sipër shtrohen disa pyetje:

1. Si e përjeton një individ atmosferën e grupit, ose atë çka grupi social transmeton tek ai vetë?

2. Sa e mohon një njeri veten, për të qenë më pas në sinkronizim me grupin?

3. Si e ndryshon individin mosrespektimi i rregullave dhe normave herë të shkruara dhe herë të grupit social?

4. Në ç’masë cenohet personaliteti i individit dhe plotësimi i tij kur normat dhe rregullat e shoqërisë ku ai bën pjesë janë në kundërshtim të plotë me përmbushjen e tij?

5. Si perceptohen rastet kur ndikimi negativ i mentalitetit të familjes dhe shoqërisë ndikojnë në keqformimin e karakterit tonë, duke na lënë mundësinë të kthehemi te vetja veçse të sakatuar, ose në rastet më tragjike të mos ndërgjegjësohemi më kurrë se ekziston një kthim?

 

Po le të flasim me shembuj konkretë, për t’i dhënë në ndërthurje gjithë ç’kemi parashtruar teorikisht më sipër. Do të ndalemi te mentalitetet ekzistuese të trashëguara. N.ZH është një nënë rreth të pesëdhjetave, e cila vuan shumë drama njëherësh, pasi nuk ka qenë në gjendje të zgjidhë dramën e saj fillestare. E martuar me një burrë që ishte tepër fanatik, e për më tepër me çregullime të shpeshta humori, ajo nuk tregoi kurrë për dhunën sistematike që ushtrohej ndaj saj. Madje ajo as që e shkonte nëpër mend se mund të fliste për këtë dhunën me nënën e saj, pasi ajo, e ëma, pat qenë vetë një grua e dhunuar dhe jo vetëm që e kish rritur të bijën me mendimin se është normale që burri të të rrahë, por edhe sepse problemet e shtëpisë nuk nxirren kurrë jashtë nga një grua e ndershme dhe e virtytshme. Duke u kërcënuar pra, me kodin moral aq të shenjtë për shiptarët, N.ZH është kërcënuar heshturazi të mos flasë kurrsesi me askënd. Nis këtu dhuna e saj e parë psikologjike ose drama e saj e parë e moskuptimit. Personaliteti i saj ka filluar të ndërtohet keq që në fëmijërinë e hershme dhe “fajtorja pa faj” për këtë personalitet të çoroditur dhe karakter të paformuar është vetë nëna e saj dhe mjedisi i mbyllur ku është rritur.

Personaliteti i referohet një modeli kompleks karakteristikash të ngulitura thellë dhe që shprehen në mënyrë automatike në pothuajse të gjitha fushat e funksionimit psikologjik njerëzor, kurse karakteri i referohet karakteristikave të fituara gjatë rritjes së personit dhe tregon shkallën në të cilën personi konformohet me standardet morale sociale.[5] N.Zh me mendimin e ngulitur se dhuna është diçka normale në ambientin familjar, pranon normalisht më vonë dhunën e bashkëshortit. Karakteri i saj i formuar me mendime të ngulitura së thelli se dhuna fizike duhet të durohet dhe për më tepër se nuk mund të flasë me askënd për këtë, e shtyn të mbajë fshehur një problem edhe më të madh, çrregullimet e tij të humorit. I shoqi A.ZH është herë shumë i gëzuar e herë shumë pesimist. Në çastet e tij të dëshpërimit pa arsye të dukshme, ai mbyllet me ditë të tëra në dhomë. Vitet kalojnë dhe vajza e çiftit trashëgon çrregullimet e të atit në humor. Ajo bie shumë herë në gjendje depresive dhe kalon njësoj si i ati ditë të tëra e ngujuar në dhomën e gjumit, shpesh e pafuqishme edhe për të kryer nevojat e veta. Prindërit e saj tepër të shqetësuar, me këmbënguljen e fortë të hallës së vajzës që jeton në kryeqytet, arrijnë ta çojnë te mjeku. Psikiatri deklaron se vajza është në një depresion të thellë dhe se duhet kuruar urgjent e mbajtur në kontroll të vazhdueshëm më ilaçe.

Deri këtu duket se gjërat nuk po shkojnë dhe aq keq. Prindërit i marrin ilaçet dhe e mjekojnë për rreth një javë. Pas një jave mjeku i rekomandon një gjilpërë që duhet bërë çdo javë. Në sy të mjekut prindërit thonë “Po”, por ata janë edukuar me mendimin se gjërat duhen mbajtur fshehur dhe se në fshat infermierja nuk duhet ta marrë vesh kurrsesi nga se vuan vajza. Prandaj edhe mjekimet nuk ia bëjnë të rregullta. Vajza përkeqësohet dhe një mëngjes gjendet e vetëvarur në haurin e shtëpisë. I ati i vajzës pas kësaj ngjarjeje çmendet. Kështu N.ZH për hir të mbajtjes së sekretit pësoi dhunën fizike, nuk e mori vesh asnjëherë se i shoqi vuante një sëmundje mendore të trashëgueshme dhe humbi vajzën e saj të vetme po nga turpi se të tjerët nuk duhej të mësonin sëmundjen e vajzës. Mes lotëve ajo na thotë: “po të thoja se nga se vuante vajza, atëherë ajo do të mbetej pa martuar” dhe si për t’i vënë kapak injorancës së saj të pandreqshme ajo shton se “kur mjeku na tha se vajza jonë nuk e përballonte dot martesën kjo gjë na trishtoi së tepërmi. Në fisin tonë një vajzë e lënë është njësoj si një vajzë që të ka turpëruar”.

Pestaloci shprehet se motori i parë i procesit të edukimit është nëna. Ai gjithashtu shkruan:  “Parimi im i parë qëndron në faktin se ne mund të edukojmë mirë fëmijën, vetëm në atë masë, në të cilën e njohim dhe e dimë se çfarë ndjen ai, për çfarë është i aftë, çfarë dëshiron ai dhe më tej shton se duhet “njohja e thellë e psikologjisë”. Emancipimi i një shoqërie dhe i mentalitetit të saj hedh rrënjë me emancipimin e femrës. Në të kundërt procesi edukativ i individit vihet në rrezik të lartë dhe e ardhmja në pikëpyetje të panumërta, të cilat i lënë vend njëra-tjetrës. Një nënë që nuk mund të kuptojë dot në mënyrën e duhur fëmijën e saj, nuk mund ta edukojë dhe ndihmojë atë në mënyrën e duhur, duke i krijuar boshllëqe të mëdha në formimin e tij, ose duke qenë shkaktarja kryesore e një individi pa elementët e vërtetë qytetërues, të cilët ndikojnë drejpërsëdrejti në ardhmërinë e familjes, e mandej shoqërsisë. Mbajtja sekret e gjërave kanë krijuar jo rrallëherë drama nga më të çuditshmet. Kështu shohim se në familjet shqiptare, shpesh problemet fshihen nga “sytë e botës”, pasi ndjenja e turpit për atë që do të mendojë ai tjetri është më e madhe se vetë problemi. Duke kujtuar se e kemi zgjidhur problemin, duke e mbajtur të fshehur harrojmë se kemi ngjizur në këtë mënyrë plot probleme të tjera dhe nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi mbuluar diellin me shoshë.

Domestic violence

Në grupet sociale në realitetin tonë aftësia për të paragjykuar është më e lartë dhe më e thjeshtë, andaj përballja me paragjykimin grupor do të bëjë të humbasim edhe pak liri personale të fituar. Në Shqipëri, periudha e tranzicionit ka ndikuar negativisht në integrimin e gruas në tregun e punës. Faktorët që kanë çuar në një situatë të tillë janë të shumtë, ndër të cilët mund të përmenden zhvillimi i ngadaltë ekonomik, ri-strukturimi i burimeve, mentalitetet ekzistuese të trashëguara, pritshmëritë e shoqërisë për gratë dhe mungesa e vullnetit politik për të përfshirë gratë në vendimmarrje.[6] Rasti i gruas me emrin N.ZH na jep një personalitet të shformuar të nënës, pavarësisht kushteve të shformimit, dhe një bijë të edukuar në mënyrë të shformuar. Po për karakerin ç’mund të themi? Teorikisht karakteri i referohet karakteristikave të fituara gjatë rritjes së personit dhe tregon shkallën në të cilën personi sillet me standardet morale sociale.

N.Zh jeton gjithashtu me të birin dhe nusen e tij. Ata kanë katër fëmijë nga të cilët dy prej tyre shfaqin probleme të çregullimeve emocionale. Nusja nuk guxon kurrsesi t’i pohojë mjekut në kryeqytet se problemi i fëmijëve të saj është i trashëguar, pasi i shoqi e kërcënon se do ta kthejë tek i ati. Nusja ka tentuar të bisedojë disa herë me vjehrrën, në mënyrë që ajo vetë t’jua thotë problemin e trashëgimisë së sëmundjes së fëmijëve të saj mjekut, por ajo e ka paditur tek i biri si shpifëse dhe që nga ajo kohë i shoqi ushtron dhunë ndaj saj. Karakteri i N.Zh dhe i të birit është një karakter i keq dhe ata janë individë që prapambetja i ka lënë në drama të shumëfishta.

Rastet që shohim nuk kanë të mbaruar. T.L është një nënë 37-vjeçare. Ajo është me arsim tetëvjeçar dhe ka një burrë që luan bixhoz. Ai e rreh dhe ajo ka frikë ta lërë, pasi në shtëpinë e saj nuk do e pranonte askush si vajzë të lënë. Fëmija i saj vuan me leuçemi. Për të siguruar ilaçet e gjithçka tjetër, ajo ka krijuar një lidhje me pronarin e rrobaqepësisë ku punon. I.Sh hyn e del lirshëm në shtëpinë e saj, sa herë që i shoqi është jashtë vendit. Më shumë se një herë e bija adoleshente e ka kapur në flagrancë me të dashurin dhe e ka kërcënuar se do t’i thotë të atit. T.L e qetëson duke i dhënë lekë dhe vazhdon avazin e saj. Rezultati? E bija që në moshën e adoleshencës fillon të ndërtojë një “godinë” personaliteti të shkatërruar, një karakter të keq dhe aspak njerëzor. Ja cilat janë dramat që do të lindin më pas, duke jua parashtruar me pyetje:

1. Ç’mund të presësh prej vajzës adoleshente në të ardhmen?

2. Mbi ç’baza do i krijojë ajo marrëdhëniet e saj me shoqërinë, familjarët, kolegët e punës?

3. Mbi ç’baza morali do i ndërtojë marrëdhëniet me bashkëshortin e saj të ardhshëm?

4. Çfarë edukate do u japë trashëgimtarëve të saj?

 

Në mbyllje themi se: faktorët psikosocialë janë shkaqet fillestare dhe përfundimtare në formimin e “godinës” së personalitetit, karakterit, lumturive, dramave, pikëpyetjeve, mëdyshjeve dhe gjithçkaje tjetër të individëve në një shoqëri të caktuar.

 

SHËNIME

[1]. Erich Fromm, Shoqëria e shëndoshë, Përkth. Myfit Kushi, Shtëpia Botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2012, f.314.

[2]. Ervin Goffman, The presentation of self in everyday life, 1959, fq. 17-18.

[3]. Erich Fromm, Shoqëria e shëndoshë, Përkth. Myfit Kushi, Shtëpia Botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2012, f.42.

[4]. Odise Çaçi, Filozofia e Edukimit, Shtëpia Botuese “Triptik”, Vlorë, 2008, f. 49.

[5]. Milon, 2004.

[6]. Gruda A., Guxholli A., Filipi Gj. “Barazia gjinore në procesin e integrimit europian, shifra dhe fakte”, Aleanca Gjinore për Zhvillim, Tiranë, 2008

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top