Lifestyle

March 30, 2017 | 11:47

Ti mund të më quash Xhon, triumfi “i të mirës mbi të keqen”

“Padyshim, ‘ti mund të më quash Xhon’, dhe do të jesh e vetmja që do të ketë këtë të drejtë”. Është një çast intim, kulmor, dhe tepër i brishtë njëkohësisht, që të le të kuptosh dhe për një betim të bërë në vijën trashendale, aty ku uji ndahet me eterin. Por a është kjo sinteza e një skenari? Padyshim që jo. Por gjithsesi, është preludi i një dashurie plot romantizëm që kalon nëpërmjet një linje po aq të ngurtë e dramatike. Dhe e gjitha kjo në një film 300 minutash, titulli i të cilit tingëllon po aq romantik: “Ti mund të më quash Xhon”…

Nga Orjona Tresa

Nga Orjona Tresa

…Televizioni Publik Shqiptar, ky gjigant mediatik, vërtet mund të ketë probleme, por drejtoria e filmit vazhdon të punojë, duke u përpjekur të garantojë pritshmërinë e publikut, i cili paguan një faturë vjetore për të parë në ekranin e shtëpisë prodhime bio shqiptare. Këtë e pohoi vetë drejtori i përgjithshëm i RTSH, Thoma Gëllçi, në prezantimin e fiksionalit më të fundit të këtij institucioni, “Ti mund të më quash Xhon”, që është dhe i pari film i kësaj natyre për Studion “Papadhimitri Production”. Premiera u shfaq mbrëmjen e së mërkurës në sallën e kinema Millenium në Tiranë, në një metrash prej 120 minutash. Ndërkohë që për teleshikuesit, i njëjti prodhim do të vijë në 300 minuta kohë televizive, të ndara në 5 seri.

xhoniii

***

Ndodh që në gjurmët e etërve, bijtë të ndjekin profesione të njëjta. Pasione të përbashkëta, sjellë në dimensione të ndryshme, por që në fund lidhen në një kulm. Në janë më të talentuar, apo jo të tillë se paraardhësit, kjo do të duhet të faktohet nga kritikët e fushës por mbi të gjitha nga efekti kohë. Produksioni “Papadhimitri Studio” solli mbrëmjen e së mërkurës realizimin filmik më të fundit, falë një kasti të zgjedhur aktorësh me emër, meshkuj kryesish, por duke eksperimentuar edhe me të rinj, që bindshëm dhanë një performancë reale të ngjarjeve.

xhon5

Me skenar të së mirënjohurës, aktores dhe pedagoges Ermira Gjata, por me një bashkëpunim të Brikena Kollçinakut dhe Irvin Muçajt, narracioni artistik solli një ngjarje me nota sa romantike aq dhe dramatike, gati në kufijtë e tragjikes. Lirshmëri reale e një jete që zhvillohet mes gjimnazistëve maturantë dhe familjeve të tyre, mes problematikës së varfërisë, mentalitetit, por edhe luksit, mes veseve, drogës dhe aventurës. Shpirti artistik përcolli njëherësh dhe shumë mesazhe të ndjera, që ndoshta në përditshmërinë tonë i harrojmë dhe bëhemi zhvlerësues. Regjia filmike nga Klajd dhe Dionis Papadhimitri, përçoi një performancë të shkëlqyer artistike, udhëhequr nga fotografia e papërsëritshme e atit të tyre, operatorit dhe regjisorit të mirënjohur, Spartak Papadhimitri. Ndërsa nuk mund të lihet papërmendur kolona zanore e filmit, e cila zëshëm ndihej në të gjithë shtrirjen kohore të këtij produksioni, falë kantautorit të mirënjohur gjithaq, Bojken Lako dhe bashkëshortes së tij, Semi Jaupaj.

xhon1

***

Histori rozë, nga ato dashuritë moshore të adoleshencës, por që lënë gjurmë, e pse jo, i japin një kthesë tjetër jetës. Historia e Lornës dhe Agronit, (Xhonit) është jeta e dy gjimnazistëve maturantë, ajo nga familje e pasur, bijë artisti, drejtuesi të lartë në Universitetin e Arteve, ndërsa ai një provincial, që nevojat ekonomike e kishin shpërngulur së bashku me nënën dhe vëllanë në periferi të Tiranës. Një rrugëtim artistik, i cili përveçse nxori në pah një sërë tematikash sociale, triumfoi si “e mira mbi të keqen”, duke përcjellë mesazhe pozitive për brezin që ka më shumë problematika se kaq. Falë një kasti të madh aktorësh protagonistë, secili prej personazheve vinte i përfaqësuar nga një figurë e rëndësishme. Ky realizim artistik bëri bashkë disa nga emrat e njohur të ekranit shqiptar si: Ermira Gjata, Gëzim Rudi, Arben Derhemi, Gent Kame, Rovena Dilo, Nevina Shtylla, Arbies Konomi, Eva Murati, Shegushe Bebeti, Jorida Meta, etj.

xhon2

xhon6

xhon-3

xhon4

ti-mund-te-me-quash-xhon

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com