*Anjeza Koruni
Juxhini është i veçantë! Ka një zemër të madhe, është i sinqertë, i guximshëm, plot jetë. Autenticiteti i tij është ajo që e bën të paharrueshëm. Ai është djali që respekton të gjithë, që nuk harron rrënjët e tij, vlerat që e kanë shoqëruar gjithë jetën.

Ai ka punuar fort për çdo gjë që ka arritur. Juxhini nuk kërkon të jetë dikush tjetër, ai është i sinqertë, i vërtetë, plot me atë ngrohtësi që këdo që takon e bën të ndihet se e njeh prej vitesh.
Në Big Brother, ai ka mbetur pikërisht ai që është. Pa maska, pa lojëra, pa strategji të fshehura. Ka treguar zemër kur ka qenë e nevojshme, sinqeritet, dhe ka respektuar të gjithë. Juxhini është një shpirt shakaxhi, kështu ka qenë që nga fëmijëria e tij. Plot jetë, plot humor, gjithmonë duke kërkuar të bëjë njerëzit të qeshin dhe duke rrëmbyer vëmendjen, ashtu siç po ndodh dhe në Big Brother. Ai nuk do t’i bënte kurrë keq askujt me qëllim. Kjo nuk është në zemrën e tij, nuk është në natyrën e tij. Ne besojmë që publiku shqiptar e sheh këtë. E sheh sinqeritetin e tij, humorin e tij, zemrën e tij të kristaltë. E kupton që Juxhini është ai që është, një djalë që nuk di të jetë tjetër përveç i sinqertë, që luan sepse do të shohë njerëzit të lumtur, që qesh sepse kjo është mënyra e tij për të dhënë dashuri. E kupton që në një shtëpi ku çdo sekondë vëzhgohet, ku presioni është i vazhdueshëm, natyra e tij e hapur, humori i tij, mënyra e tij shakaxhie, mund të shihen ndryshe. Por Juxhini ka zemër ari, nuk do t’i bënte kurrë keq askujt. Kjo është e vërteta e tij.
Perspektiva psikologjike
Në praktikën time klinike, çdo ditë takoj njerëz që më bëjnë një pyetje të njëjtë: Si mund të jem vetvetja në një botë që kërkon që të jem dikush tjetër? Si psikologe klinike në Mbretërinë e Bashkuar, kjo është simptoma më e përhapur që hasim, frika nga autenticiteti.
Dhe këtë javë, ndërsa shikoj Juxhin Plovishti në Big Brother VIP Albania 5, po shoh diçka që më shqetëson thellësisht. Po shoh një shoqëri që po ndëshkon pikërisht atë që duhet të inkurajojmë: autenticitetin.
Nga një këndvështrim psikologjik, Juxhini hyn në Big Brother me një personalitet që në psikologji e klasifikojmë si ‘high extraversion’ (orientim të fortë social). Këto janë karakteristikat:
Energji e lartë sociale – I pëlqen interaksioni me të tjerët;
Ekspresivitet emocional – nuk fsheh ndjenjat e tij;
Qasje lojtare ndaj jetës – përdor humorin si mjet lidhjeje;
Aftësi për të identifikuar emocionet e të tjerëve – tregues i inteligjencës emocionale të lartë.
Në një mjedis të shëndetshëm, këto cilësi festohen. Në një mjedis toksik, ato ndëshkohen.
Incident Nr. 1: Shaka me Ilirin
Le ta analizojmë: Juxhini bën një shaka. Iliri, një burrë 55-vjeçar, e interpreton si përçmim. Reagimi i Ilirit? Pothuajse fizik – kërkohet ndërhyrja e banorëve të tjerë për të parandaluar dhunën.
Tani pyetja themelore: Kur njëri bën një shaka dhe tjetri reagon me kërcënim fizik, cili prej tyre duhet të mbajë përgjegjësinë kryesore? A u trajtua Juxhini me drejtësi në këtë dinamikë?
Nga një perspektivë psikologjike, kjo tregon disa gjëra:
(1) Juxhini nuk kishte qëllim keqdashës – reagimi i tij i menjëhershëm ishte befasi dhe falje të sinqertë.
(2) Iliri tregoi atë që në psikologji e quajmë ‘çrregullim emocional’ – reagimi i tij ishte jashtëzakonisht disproporcional me shkakun.
Por ja paradoksi: Kush u ndëshkua? Ai që kërkoi falje me maturitet dhe vetëdije? Apo ai që reagoi me dhunë?
Kjo është saktësisht e kundërta e asaj që një shoqëri e shëndetshme duhet të bëjë.
Incident Nr. 2: Situata me Brikenën
Një moment loje, humor – Juxhini duke qenë ai që është. Interpretohet si ‘thyerje e kufijve personalë.’
Si psikologe, e di që kufijtë personalë janë absolutisht thelbësorë. Por e di edhe këtë: konteksti ka rëndësi.
Në një ambient ku humori është gjuhë e përbashkët, ku njerëzit qeshin dhe luajnë çdo ditë, ku marrëdhënia mes Juxhinit dhe Brikenës është ndërtuar mbi këtë dinamikë të lehtë dhe lojtare, ku Juxhini ka treguar vazhdimisht respekt për të gjithë – a është e drejtë që një moment i vetëm, i keqinterpretuar, të impaktojë lojën e sinqertë të Juxhinit?
Mesazhi që po japim
Autenticiteti është i rrezikshëm.
Jo vetëm kaq – po u mësojmë se: Gjykimi i shpejtë, pa kontekst, është i pranueshëm; Sjellja konsistente nuk vlen asgjë;
Të qenët i vërtetë është luks që nuk mund ta përballojmë.
Rezultati? Njerëz që jetojnë me ankth të vazhdueshëm. Që nuk mund të jenë vetvetja. Që analizojnë çdo fjalë para se ta thonë. Që mbajnë maska edhe me ata më të afërt.
Kjo nuk është shoqëri e shëndetshme. Kjo është patologji kolektive.
Dilema kulturore / Çfarë ndodh kur një shoqëri ndëshkon autenticitetin?
Njerëzit mësojnë shpejt. Ata shikojnë çfarë shpërblehet dhe çfarë dënohet. Dhe kur shohin Juxhinin – dikë që qesh me zemër, që luan me sinqeritet, që është i vërtetë dhe autentik – kur e shohin atë duke u ndëshkuar për pikërisht këto cilësi, ata mësojnë: ‘Nëse je i vërtetë si ai, do të ndëshkohesh si ai.’
Thjesht fshihu pas maskave! Bëhu strategjik në çdo lëvizje. Harroje spontanitetin – llogari, planifiko, kontrollo!
Kjo krijon marrëdhënie sipërfaqësore sepse askush nuk guxon të heqë maskën. Krijon një brez të tërë që ka harruar si të jetë i vërtetë. Juxhini po bëhet shembull paralajmërues, dhe çdo person që identifikohet me të po merr konfirmimin e frikës së tij më të thellë: autenticiteti është i rrezikshëm.
Çfarë po zgjedhim?
Big Brother VIP nuk është thjesht një TV show. Është një pasqyrë e shpirtit tonë kolektiv, një moment ku po vendosim se kush jemi dhe kush duam të bëhemi.
Çdo votë për Juxhinin është luftë kundër frikës që po na mbytet. Është thirrje për një Shqipëri ku njerëzit nuk duhet të fshihen për t’u pranuar. Ku qeshja nuk është faj. Ku spontaniteti nuk është rrezik. Ku të qenët njeri – me gjithë gëzimet, gabimet, dhe zemrën e hapur – është e mjaftueshme.
Është zgjedhje mes dy botëve: njëra e mbushur me maska dhe frikë, tjetra e ndriçuar me guxim dhe autenticitet. Ne po vendosim tani se në cilën botë duam të jetojmë.
Një shoqëri matet jo nga sa perfektë janë njerëzit e saj, por nga sa guxim kanë ata të jenë të vërtetë. Zgjedhja është e jona.
*Rreth autores
Anjeza Koruni – Psikologe Klinike në Britaninë e Madhe.
Mbi 10 vjet eksperiencë në Sistemin Shëndetësor Britanik NHS, me ekspertizë në trauma, depresion, psikozë, varësitë dhe jo vetëm.
Punë terapeutike me individë, familje dhe organizata, si në sektorin publik ashtu edhe privat.
Konsulente organizatash për mirëqenien psikologjike të stafit dhe rritjen e performancën.
Advokate për drejtësi sociale dhe komunitete të margjinalizuara.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

