Niels Hav është poet dhe prozator i tregimeve të shkurtra në profesion të lirë që jeton në Kopenhagen. Ai konsiderohet aktualisht si një zë i njohur i letërsisë bashkëkohore skandinave me poezitë dhe prozën e botuar në shumë revista letrare dhe antologji, si në anglisht, arabisht, spanjisht, italisht, turqisht, holandisht, gjuhën kineze, farsi etj. I rritur në një fermë në Danimarkën Perëndimore, Niels Hav banon aktualisht në zonën më të larmishme dhe shumetnike të kryeqytetit. Ai udhëton shpesh në Europë, Azi, në Amerikën Veriore dhe Jugore.
Në një prej intervistave, ai shprehet: “Fillova të shkruaj si mënyra e vetme për të prezantuar veten time, për të gjetur se çfarë po ndodhte me mua dhe të tregoja atë me fjalët e mia personale. Dhe kjo vazhdon të mbetet ambicia ime e thellë dhe shqetësimi kryesor për të gjetur fjalët e sakta, gjithmonë një mister i lumturisë të cilin e quajnë frymëzim. Pra, përgjigja ime është: poezitë dhe tregimet e mia janë prezantimi i vetëm i sinqertë që unë mund të ofroj”.
Shpirti vallëzon në djep
Nëse është e vërtetë që
shpirti lind i vjetër
dhe pastaj rinohet duke u rritur gjatë jetës,
atëherë ju dhe unë jemi më të vjetër
dhe gjithashtu më të ri se njëri-tjetri.
Ky lloj kombinimi është i rrezikshëm.
Le të tregohemi të ndershëm, çdo ditë
ne jetojmë fatin tonë të paracaktuar,
njëlloj si njerëzit që jetojnë në një deltë,
ku vërshojnë shumë rryma.
Ata janë në intimitet me hënën.
Ne jetojmë mbi të.
Zemra rreh lirisht, shpirti
vallëzon që në djep.
Titulli: Shpirti vallëzon në djep
Autor: Niels Hav
Gjinia: Poezi
Shqipëroi: Kujtim Morina
Shtëpia Botuese: OMSCA-1
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.