FB

February 4, 2022 | 8:07

Shprehjet që nuk duhet t’i thoni kurrë një nëne që punon

 

Çfarë nuk duhet t’i thoni një nëne që punon: shprehje që nuk duhet t’i shqiptoni dhe t’i shmangni kur keni përballë një grua që përpiqet të baraspeshojë punën dhe familjen…

Ekzistojnë disa shprehje që do të ishte më mirë t’i shmangnim në çdo situatë, por akoma më shumë kur kemi përballë një femër që përpiqet të baraspeshojë kohën mes punës dhe familjes. Përveç rasteve të rralla, të shkosh në punë kur je me fëmijë të vegjël nuk është një gjë e lehtë, përkundrazi, është jashtëzakonisht e bezdisshme, si fizikisht ashtu dhe emotivisht. Vetëm kush e ka provuar mund të kuptojë se çfarë do të thotë të përpiqesh të japësh maksimumin nën të gjitha këndvështrimet (nënë, profesioniste, partnere, mikeshë). Këto janë disa nga frazat më të tmerrshme që nuk duhet t’ia thoni kurrë një gruaje që punon.

  1. Ke vërtet nevojë të punosh?

Nëse pyetja është budallaqe, pothuajse çdo përgjigje është e justifikuar. Në këtë kohë krize, të jetosh me një rrogë të vetme është e vështirë. Shumë nëna punojnë për të pasur një nivel normal jetese dhe për të përballuar shpenzime të papritura. Pastaj, të kesh një fëmijë, nuk do të thotë të heqësh dorë nga vetja. Puna, të kesh një objektiv profesional është e shëndetshme për çdo qenie njerëzore. Ndihmon për të ruajtur kontaktin me pjesën tjetër të botës, për të zhvilluar talentin dhe për të mos u mbyllur brenda katër mureve të shtëpisë me fëmijën.

  1. Nuk të shqetëson fakti se nuk je pranë fëmijëve?

Edhe kur është duke punuar një nënë mendon gjithmonë për fëmijët e saj. Të jesh diku tjetër fizikisht nuk do të thotë se i keni braktisur fëmijët kushedi se ku. Nënat e lënë fëmijët e tyre në duar të sigurta. Veç kësaj, koha e kaluar me fëmijët duhet të jetë kohë cilësore. Është e pamundur që të jetë e tillë për 24 orë rresht. E rëndësishme është që kur janë me fëmijët të mësojnë t’ia japin të gjithë vëmendjen e tyre pa u shpërqendruar nga gjëra të tjera. 

  1. Duhet të jetë bukur të shkëputesh nga fëmijët për ca orë

Kjo shprehje vepron në ndjenja faji të shumta, që janë të pranishme te çdo prind. Të shkosh në punë nuk është një pushim nga detyra e vështirë e mëmësisë. Nuk është shpëtim ndaj mërzisë. Një nënë nuk shkon në punë sepse nuk duron dot të qëndrojë me fëmijët. Dhe këtu merr jetë shantazhi moral “nëse një grua largohet nga fëmijët e saj, do të thotë se nuk i do.” Por nuk është kështu, dhe të kalojnë pak orë larg njëri-tjetrit është thelbësore si për nënën, ashtu dhe për fëmijën.

  1. Përse ke bërë fëmijë, kur kujdeset dikush tjetër për ta?

Një tjetër frazë drithëruese dhe pa pikë logjike… Të lindësh fëmijë nuk është një zgjedhje që bëhet pa u menduar. Asnjë dado apo figurë edukative nuk mund të mbulojë dhe zëvendësojë praninë e nënës. Të qenit e pranishme 24 orë në 24 nuk e bën një grua nënë më të mirë. T’ia besoni fëmijët për disa orë dikujt tjetër nuk do të thotë se keni hequr dorë nga përgjegjësia që keni kundrejt atyre.

  1. Po të punoja, do më merrte shumë malli për fëmijët

Çdo qenie njerëzore ka sistemin e vet të vlerave. Ajo që është e drejtë për një njeri, është e gabuar për dikë tjetër. Dikur femrat duhet të qëndronin në shtëpi dhe të mos synonin edhe aq për karrierën, por sot gjërat janë të ndryshme dhe ato kanë fituar të drejtën e një jete të pasur dhe të plotësuar, ku pasja e një fëmije nuk është një zgjedhje absolute për zhvillimin personal.

  1. Femrat duhet të qëndrojnë në shtëpi me fëmijët

Kjo frazë as nuk duhet komentuar fare. Ky është një paragjykim i nevojshëm vetëm për ata që e shohin botën në mënyrë skematike, sepse udhëhiqen nga frika e tyre. Është e kotë të flasësh me dikë që ka këtë lloj ideje: bashkëbisedimi me të do të ishte i thatë dhe pa asnjë lloj logjike. Në fund, para se të shprehni një gjykim ironik dhe zhvlerësues, është e udhës të mendoni mirë para se të flisni.

 

Përgatiti: Manjola EREQI  |  Burimi: PsychoWorld

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top