Nga
Greqia pritet të jetë furnizuesja e parë me vaksinën anti-covid të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore. Vetë kryeministri Kyriakos Mitsotakis u shpreh i gatshëm për një gjë të tillë, duke pasur parasysh faktin që Greqia si një vend anëtar i Bashkimit Europian do të ketë e para qasje në vaksinën kundër koronavirusit të ri.
Greqia shprehu gatishmërinë për të furnizuar me vaksinën anti-covid Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.
Kjo gatishmëri e Athinës zyrtare u shpreh nga vetë kryeministri Kyriakos Mitsotakis, gjatë takimeve që pati me kryeministrat e të dy vendeve, Edi Rama dhe Zoran Zaev.
“Kryeministri Mitsotakis shprehu gatishmërinë, që Greqia, si një vend anëtar i Bashkimit Europian të kryejë furnizimin me vaksinën anti-covid të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore. Si një vend anëtar i Bashkimit Europian, Greqia do të ketë qasje më parë në vaksinë ndërsa vendet kandidate më pas,” tha kryeministri maqedonas Zaev, pas kthimit nga vizita e tij në Athinë.
Nga qeveria shqiptare nuk ka ende një njoftim zyrtar për këtë çështje dhe deri tani mësohet se Tirana zyrtare i është bashkuar nismës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë COVAX për të financuar dhe shpërndarë vaksinën kundër koronavirusit të ri.
Por ekspertët në vend e kanë paralajmëruar qeverinë shqiptare që të bashkëpunojë me vende anëtare të Bashkimit Europian pasi pritja nga OBSH-ja do të jetë e gjatë.
Vetë Bashkimi Europian ka rezervuar sasi të mëdha vaksinash kundër koronavierusit nga disa kompani të mëdha europiane dhe amerikane dhe ka ekskluzivitetin e furnizimit të parë, sapo vaksina të kalojë të gjitha provat dhe të marrë miratimin për përdorim në popullatë.
Burimi OraNews
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.