Mirëqenie

April 25, 2017 | 9:24

Shqiptarët & pushimet verore

“Të gjitha brengat mund të durohen nëse thur me to një histori ose tregon një histori për to”. Isak Denisen

Nga Dorina Hoxha Publiciste

Nga Dorina Hoxha
Publiciste

Jeta njerëzore është një përpjekje e vazhdueshme pune për të fituar pakëz qetësi. Duke qenë se një pjesë të konsiderueshme të ditës na e marrin impenjimet e detyrueshme, përgjatë një viti mendja jonë mbingarkohet nga informacioni i shumtë, çka shkakton njëkohësisht privimin nga qetësia, nga ajo ndjenjë e paqes brenda vetes dhe në marrëdhënie me të tjerët. Duke qenë se jeta njerëzore është një luftë e vazhdueshme, si rrjedhim, njerëzit do të jenë gjithnjë në kërkim të qetësisë brenda dhe jashtë vetes dhe do të mundohen të improvizojnë sa herë të munden oaze të vogla qetësie ose ndryshe do t’i krijojnë vetes komoditetin e “arratisjeve të vogla pushuese”. Nuk dua të ndalem tek ‘ata’, që realiteti ia ofron mundësinë në çdo kohë dhe vend për arratisje të vogla, por tek ‘ata njerëz’ të cilët pavarësisht përpjekjes disavjeçare pune nuk kanë luksin t’i ofrojnë vetes qoftë edhe disa ditë të vetme pushimi, relaksi dhe qetësie. Realiteti jonë shqiptar fatkeqësisht na ofron një panoramë sociale ekstreme: të atyre që i’a lejojnë vetes çdo luks në çdo stinë dhe të atyre që paga nuk i arrin t’i plotësojë nevojat jetike bazë.

1Ashtu siç historia e tranzicionit ka përfshirë çdo fushë të jetës shqiptare, padiskutim që ky tranzicion prej dekadash ka tjetërsuar edhe konceptin e pushimeve dhe relaksit. Periudhat e tranzicionit social lindin edhe nevojën më të madhe të përforcimit të kulturës mbi pushimet dhe krijimit sado pak të komoditetit dhe qetësisë për veten dhe familjen. Koncepti i ‘të pushuarit’ nuk duhet të ngatërrohet me konceptin e ‘lumturisë’ dhe as të ‘lirisë’. Të pushuarit ka të bëjë me ndjenjën e qetësisë dhe paqes, me një lloj reflektimi harmonioz të ndjesive brenda vetes dhe në marrëdhënie me të tjerët përreth. Ka prej atyre që nuk kanë mundësi të bëjnë pushime për shkak të kostove të larta dhe i shohin ato si burim lumturie kur i’a mundësojnë vetes në të rrallë, por ka edhe prej atyre që ia lejojnë vetes në çdo kohë pushimet dhe nuk janë të lumtur. Nisur nga ky fakt, theksova se: të bërit pushime nuk ka të bëjë me konceptin subjektiv të lumturisë, por me çlirimin e ndjesive negative të akumuluara përgjatë një periudhe stresante pune, me çlirimin e panikut të afateve kohore, të bërit pushime ka të bëjë ndonjëherë edhe me ‘thyerjen e rregullave’ daljen nga e zakonshmja, të bërit pushime do të thotë të rifreskohesh psikologjikisht dhe fizikisht. Dikur prindërit tanë pasi na kishin dërguar disa ditë në plazh, kërkonin me çdo kusht të na rrënjosnin se kjo qe lumturia dhe ne duhet t’i kenaqeshim atij momenti pavarësisht mundësive të kufizuara. Ndërkohë, tani pas disa dekadash, çdokush nga ne kupton se kjo psikologji nuk ishte e duhura, se “arratisjet e vogla’ nuk janë lumturi dhe se liria është koncept i gjerë që përfshin pushimet, lumturinë edhe vetë prindërit. Udhëtimet më të dëlira janë ato të mendjes, të pakushtëzuara nga kostot financiare. Mund t’i biesh anembanë botës, t’i ikësh burimit të stresit, mund t’i largohesh njerëzve, por kurrsesi nuk mund t’i ikësh vetvetes, asaj valixheje shpirtërore të mbushur me brenga, me dashuri të ikura dhe të gjetura. Një i ditur pohon se: “Të gjitha brengat mund të durohen nëse thur me to një histori ose tregon një histori për to”, kjo është mënyra më e mirë për t’i qëndruar besnik vetvetes dhe për të qenë me të në çdo udhëtim. Shqipëria është një vend me një pozitë të favorshme gjeografike për turizëm malor dhe bregdetar, por nuk është ende në nivelet e duhura social-ekonomike për të ofruar një mjedis të qetë dhe të zhvilluar sipas standardeve europiane. Në çdo sezon mediat shqiptare raportojnë dhe evidentojnë problemet sociale të sezonit: plazhe me ndotje të lartë bakteriale, mbetje industriale që derdhen nëpër lumenj, zona të ndotura nga mbetjet që hidhen pa kriter, grabitje dhe ekzekutime turistësh të huaj, ndotjet akustike nga klubet e natës të vendosura nëpër bodrume ose në katet e para të pallateve, çmimet e kripura të hoteleve dhe restoranteve, numri i vogël i plazheve publike dhe infrastruktura e dobët drej qyteteve bregdetare… Ky është realiteti shqiptar në sezonin e verës dhe sipas kësaj shihet tendenca e zhvendosjes së koncepteve nga ai i ‘të pushuarit’ drejt pyetjes: “Sa kushton”? E vetmja prespektivë pozitive e pushimit është manifestimi i tyre nëpër rrjetet sociale. Të bësh selfie apo belfie në breg të detit, në klabet me shkuma party dhe aq mjafton, në djall të shkojë stresi i qirasë së dhomës i ndarë ndërmjet miqsh, pagesa e shezllonit, pijet dhe ushqimi i blerë në supermarket  Realiteti shqiptar është krejt tjetër nga ai i shituri në rrjetet sociale si i vërtetë dhe kënaqësi pushimesh. Në një vend dramash, padiskutim edhe ky fenomen i ri social përbën një komedi brenda dramës sociale që ka përfshirë tërë shoqërinë shqiptare. Çështja është: Të pushosh për t’u dukur apo të pushosh për t’u qetësuar?! Kam kuptuar që të pushuarit është atëherë kur pushojnë edhe brengat brenda zemrës. Për aq kohë sa ne i arratisemi vetvetes, bregat do të jenë gjithnjë planëprishëset e pushimit, aq sa të gjitha kostot financiare dhe morale bien në nivelet dëshpëruese të manifestimit të ekzagjeruar të pushimeve për t’u dukur. Realiteti favorizon pushime për t’u dukur më shumë sesa pushime për t’u qetësuar. Arsyet sociale të tranzicionit politik dhe ekonomik kanë ndikuar edhe në evolucionin ekstrem të konceptit mbi pushimin. Nga kuptimi primar i kësa fjale tek fenomeni i pushimeve për t’u dukur. Vakumi kuptimor i krijuar nga ky kapërcim social ka bërë që çdokush nga ne dashje pa dashje të vërtitet rreth pushimeve rastësore, herë në njërin skaj e herë në tjetrin. Një shoqëri depresive si e jona, edhe dramat i merr me vete kudo shkojmë edhe në raste pushimesh. Realiteti ka treguar se shqiptarët nuk janë planifikues afatgjatë, por i besojnë minutës së fundit. Ky fakt është tregues edhe për situatën ekonomike dhe sociale të shoqërisë. Vendet fqinje janë destinacionet më të preferuara, ndërkohë që vendet e lindjes së mesme janë më pak të preferuara për shkak të situatës politike të tensionuar, për shkak të grupeve terrorriste dhe sulmeve të tyre së fundmi në disa vende si Francë, Belgjikë, Turqi. Aktualiteti politik ka një ndikim të gjërë në opinion publik ndërkombëtar. Nëse ka tensione politike sigurisht do të pasqyrohet edhe në turizëm dhe në fusha të tjera. A të ofron riviera shqiptare siguri, me këtë nënkuptoj një kordinim të instancave përkatëse përgjegjëse dhe sesa je i ekspozuar ndaj rrezikut?! Lind nevoja e ç’rrënjosjes së një mentaliteti që me konceptin e pushimit të nënkuptohet thjesht një ‘arratisje’ nga jeta sedentare. Të pushuarit duhet të niset nga mendimi i lënies së lirë të brengave, dashurive, streseve të përditshmërisë dhe impenjimit të krijimit të hapësirave për hobet personale. Jepini jetë pasioneve të kthyera në brenga dhe do të gjeni pushimet e vërteta të relaksit që i kërkoni mes luksit dhe nuk i gjeni, i kërkoni mes pamundësive dhe sërisht nuk jeni të kënaqur. Kush kënaqet pa veten, gënjen, por jo çdo gënjeshtar nuk e kupton të vërtetën, atë që fshihet nën rrogoz, që e mbartin detet dhe qielli, malet dhe universi. Të vërtetat vështrohen në sy, por jo gjithmonë i japin dorën njëra-tjetrës.

NDAJ VINI SYZET E DIELLIT, NJË KAPELE KASHTE, MERRNI NJË LIBËR DHE MBYLLNI VESHËT DHE HAPNI SHPIRTIN!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top