Nëna e ardhshme duhet të ndjejë se në rrugën e saj të re, në të cilën ka filluar të ecë, nuk është e vetme. Prania e babait të fëmijës së saj është e rëndë- sishme. Madje jo thjesht prani, por mbështetje, mirëkuptim mirëpritje… Një partner duhet të shërbejë si bazë sigurie. Por kjo nuk është absolute; ne jemi dëshmitarë të rasteve kur vajzat kanë vendosur ta vazhdojnë shtatzëninë pa mbështetjen e partnerit dhe kanë arritur të sjellin në jetë fëmijën. Kanë gjetur mbështetje tek familjarët për të mbushur këtë boshllëk deri diku…
1-Sa rëndësi ka roli i partnerit gjatë shtatzënisë? Optimizmi se gjithçka do të shkojë mirë është i pavarur nga roli i partnerit, apo prania fizike dhe psikologjike e tij është jetike për një shtatzëni të shëndetshme?
Dashuria e partnerit, prania, mbështetja, siguria që jep, bashkëpunimi krijojnë kushtet optimale për gruan shtatzënë, e cila ka nevojë për të gjitha këto. Shtatzënia jetohet më në paqe shpirtërisht. Një shtatzëni është më e mbrojtur kur nëna është e qetë shpirtërisht, por të mos harrojmë se ka edhe faktorë të tjerë të pavarur nga kjo që mund ta rrezikojnë, si për shembull dobësia gjenetike e qafës së mitrës. Është e këshillueshme që babai t’i flasë fetusit ashtu si nëna, të informohet për ndryshimet që i ndodhin gruas. Nëna duhet të ndjejë se në këtë rrugë nuk është e vetme. Për më tepër mungesa e mbështetjes prej partnerit rrit ankthin për çka do të ndodhë më tej, pas lindjes. Një partner duhet të shërbejë si bazë sigurie. Roli i partnerit është shumë i rëndësishëm, por nuk mund ta quajmë jetik, sepse ne jemi dëshmitarë të rasteve kur vajzat kanë vendosur të vazhdojnë shtatzëninë pa mbështetjen e partnerit dhe kanë arritur të sjellin në jetë fëmijën. Kanë gjetur mbështetje tek familjarët për të mbushur këtë boshllëk deri diku.
2- Pse femrat e kanë të zhvilluar instinktin e mëmë- sisë edhe pa qenë të gatshme për të qenë të tilla? Dhe nuk ndodh pothuaj e njëjta gjë me burrat?
Riprodhimi është shumë i rëndësishëm për femrat, natyrisht edhe për meshkujt, por ka një ndryshim të madh të dukshëm, që femrat kanë mitrën ose uterusin, kurse meshkujt jo. Nevoja e mitrës për të mbajtur fetusin është këmbëngulëse. Mitra nuk është një organ pasiv, por një organ që është aty në mënyrë që jeta të vazhdojë. Femrat e ndjejnë këtë instinktivisht, mbajnë fëmijën brenda trupit të tyre dhe përjetojnë gjithçka fizikisht, emocionalisht, psikikisht që prej momentit të konceptimit. Ekziston një lloj dije e nënkuptuar që në vogëli, kur vajzat priren të bëhen nëna për kukullat e tyre; apo nëse do t’i referoheshim Frojdit, një nga mënyrat se si vajza e zgjidh konfliktin gjatë kompleksit të Elektrës është duke dëshiruar të lindë djalë kur të rritet. Pra, e sheh veten nënë në të ardhmen. Për më tepër, nëse mitra nuk e përmbush këtë funksion mund të protestojë në forma të ndryshme.
3- Kur është periudha më e përshtatshme për një grua të bëhet nënë?
Periudha më e përshtatshme që një grua të bëhet nënë është midis moshës 20-35 vjeçe. Në ditët e sotme po ulen dukshëm shtatzënitë rreth të njëzetave, ndërkohë që po rriten shtatzënitë rreth të tridhjetave. Ajo që mund të thuhet me siguri është se shtatzënia nuk mund të ndodhë në çdo moshë. Me rritjen e moshës, rriten edhe rreziqet. Edhe nëse gruaja vazhdon të jetë pjellore, ka rreziqe të tjera si sindroma Daun pas moshës 35 vjeçe. Nënat mbi 35 vjeç rrezikojnë më shumë mbipeshën, tensionin e lartë të gjakut, diabetin, sëmundjet kardiovaskulare, humbjen e elasticitetit të muskujve, duke përjashtuar këtu nënat që ruajnë një formë të mirë fizike. Megjithatë vihet re se në shumë raste nënat mbi 35 vjeçe e presin më në paqe fëmijën, gjë që reflektohet edhe më tej. Kjo ka të bëjë me moshën e tyre, ritmi i jetës është i ndryshëm, kanë shlyer detyrimet akademike, mund të jenë më të stabilizuara financiarisht dhe profesionalisht.
4- Disa femra nuk aspirojnë të bëhen nëna. Madje, jo vetëm në një moment të dhënë, por nuk e pëlqejnë mëmësinë si proces. Pse mund të ekzistojë kjo frikë për të pasur një fëmijë?
Frika për të pasur një fëmijë mund të vijë si pasojë e disa faktorëve si: arsye shëndetësore, mungesa e partnerit, mungesa e dashurisë në çift, të parët e mëmësisë si pengesë për karrierën, frika ndaj përgjegjësive të mëdha që paraqet mëmësia, ndryshimet fizike si shtimi në peshë që mund t’i pengojë përkohësisht karrierën etj. Psikika e tyre nuk është gati për këtë hap. Në të vërtetë është e rëndësishme që para se një femër të vendosë të sjellë në jetë një fëmijë, t’i ketë konsideruar të gjitha sa më sipër. Duke i shkuar më thellë këtij problemi, për arsye të ndryshme mund të ndodhë edhe një mohim i kësaj nevoje deri në atë pikë sa fillon të besojë se nuk është e lindur për të qenë nënë, duke krijuar në mënyrë të pandërgjegjshme kushtet që kjo të mos ndodhë.
5- Çfarë duhet të ketë parasysh ajo në mënyrë që ta menaxhojë siç duhet jetën e saj mes profesionit (karrierës) dhe mëmësisë?
Së pari, është e rëndësishme që nëna të ndërgjegjësohet dhe të shikojë me qetësi stilin e saj të jetës. Nëse është e nevojshme, gjë që ka shumë të ngjarë të jetë kështu, duhet të bëjë ndryshime. Nëna duhet ta përgatisë veten që për disa kohë shumë gjëra nuk do të jetë më në gjendje t’i bëjë. Duhet të përgatitet të heqë dorë nga disa gjëra dhe të merret me prioritetin kryesor, që është fëmija. Ndër të tjera duhen ruajtur raporte të mira me familjarët dhe miqtë. Nëna duhet të flasë herë pas here për gjendjen e saj, në mënyrë që të sigurojë mbështetje. Shumë gjëra mund të anashkalohen, si p.sh. punët e shtëpisë, duke u marrë me gjërat më të domosdoshme dhe duke i ndarë ato me partnerin. Tashmë disa gjërave u duhet thënë jo, si p.sh. të mos marrë punë të tjera shtesë në shtëpi, të evitojë vizitat e panevojshme etj. Gjithsesi, mëmësia kërkon përkushtim serioz, kërkon kohë, shpesh kërkon zgjedhje të forta.
6- Mes frikës dhe dëshirës, si qëndron një grua shtatzënë?
Kjo pyetje më sjell në kujtesë fjalët e para të një prej librave më të famshëm të Heidi E. Murkoff mbi shtatzëninë: “Isha shtatzënë, gjë e cila një herë në tri ditë më bënte të ndihesha gruaja më e lumtur në botë, kurse dy ditët e tjera isha gruaja më e frikësuar e kësaj bote”. Shtatzënia është një moment i rëndësishëm që shoqërohet me ulje-ngritje të ndryshme, me shumë ndryshime në nivelin hormonal, psikologjik, emocional. Femrat natyrshëm bëhen më të ndjeshme në këtë periudhë. Për shkak të ndryshimeve të mëdha në trupin dhe mendjen e gruas që pret bebin, vëmë re luhatje emocionale, irritime të menjëhershme, ndryshime në temperaturën e trupit… deri edhe ushqimet shijohen ndryshe. Këto mund të shtyjnë drejt stresit dhe ankthit. Është normale që shtatzënia të shoqërohet me disa frikëra, madje dhe shqetësimet e përditshme luajnë rol në stresin e gruas shtatzënë, si p.sh: shqetësimi se ka pirë shumë kafe, apo se nuk ka marrë sasinë e duhur të qumështit dhe proteinave të tjera ushqimore.Por ka edhe disa arsye të tjera më serioze që rëndojnë stresin dhe ankthin gjatë shtatzënisë, si p.sh: një shtatzëni e parakohshme apo e padëshiruar, mungesa e mbështetjes nga partneri dhe familja, gjendja psikike dhe emocionale në të cilën shtatzënia gjen gruan, gjendja ekonomike etj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.