Në fokus

October 14, 2016 | 8:14

Profesioniste të realizuara & nëna të qeta. Një ëndërr e mundur?

Mëmësia dhe profesioni: Ekuilibri i roleve

Shpeshherë i kemi drejtuar pyetjen vetes nëse pas një mbledhje të rëndësishme pune deri natën vonë, a është e drejtë që fëmija ynë të jetë vetëm në shtëpi me dadon? Shumë herë kemi pyetur veten me dhimbje kur dikush na ka drejtuar pyetjen: “A nuk ndihesh në faj?”. Ajo që dhemb më tepër, është vështirësia për të gjetur një përgjigje. Sepse, secila nga ne e di që ekuilibri i roleve është një nga detyrat më të vështira. Është e kuptueshme që të gjesh një zgjidhje, është thelbësore për formimin tonë vetjak. Një sondazh i kryer nga stafi i revistës “Psikologjia” italiane tregon zgjedhjet, aspiratat, vështirësitë dhe strategjitë femërore për të shkrirë së bashku sferën e jetës profesionale dhe atë emocionale. A është e mundur që të kombinojmë familjen dhe realizimin profesional pa strese, ndjesi faji dhe heqje dorë nga prioritetet? Po si është e mundur kjo? Rezultati i sondazhit u pasqyrua me një intervistë drejtuar profesorit italian të psikologjisë sociale, Stefano Gheno.

Psikologji: Cila është e dhëna e parë e rëndësishme, së cilës i duhet kushtuar vëmendje?

Stefano Gheno: Ajo që duhet të kuptojmë është se gratë sot punojnë me zgjedhje dhe jo nga nevoja. Puna është një kënaqësi, e cila përfaqëson për gruan një mundësi për kënaqësi personale dhe si një komponent shumë i rëndësishëm i identitetit tonë. Njëzet vite më parë, këto koncepte nuk kishin mundësi as të përmendeshin. Në ditët e sotme kemi një tablo të figurës femërore me shumë dëshirë për të qenë e pavarur, më e vetëdijshme për veten e për dëshirat personale. E vendosura për t’u vetërealizuar jo vetëm në sferën familjare, por edhe në profesion.

Doni të thoni se femrat janë në kërkim të stabilitetit, të shkrirjes së dy botëve të ndryshme…?

Tashmë, femrat janë çliruar nga alternativat radikale që u impononin atyre zgjedhje drastike: O karrierën, o familjen. Sot ndihet fort nevoja për të harmonizuar këto dy dimensione që i përgjigjen dëshirës për “harmoni” në të gjitha aspektet e jetës. Duhet të kuptojmë se është një tranzicion i vështirë kur jemi përpara dy zgjedhjeve të rëndësishme. Është si të pranosh një gjë të pamundur e të qenit “nga një anë vetëm” në emër të realizimit personal dhe të heqësh dorë nga ana tjetër nga fakti i të qenit nënë e grua. Është një ndryshim shumë i thellë. Por janë pikërisht femrat ato që duhet të gjejnë një mënyrë për të shkrirë këto dy botë.

Si mund të realizohet kjo “shkrirje e dy botëve”?

Duke filluar nga përkushtimi. T’i kushtojnë më shumë kohë dhe vëmendje familjes kur janë me të. Duke ditur që ajo që ka vlerë është cilësia e kohës dhe cilësia e marrëdhënies që i kushtohet njerëzve që i duam. Sigurisht, në ndihmë vjen edhe edukimi që na është dhënë dhe na inkurajon realizimin personal. Të jesh rritur në një familje ku janë parë të gjitha femrat (si gjyshja, tezja, halla, kushërirat, mamaja) duke punuar.

A kanë këto femra mbështetjen e partnerit?

Ky është vërtet një lajm i madh. Femrat ndihen thellësisht të mbështetura nga partneri i tyre. Në sondazhin e kryer, 75% e përgjigjeve ishin se për zgjedhjet profesionale, partnerët kanë qenë mbështetës. Në këtë kontekst, mund të flasim për një shkrirje të përbashkët. Mbështetja e partnerit është sigurisht një ndihmë e madhe. Një partner që pranon, mbështet zgjedhjet e gruas pa u ankuar apo pa u vënë në konkurrencë me të, është një arritje e shekullit që po jetojmë. Sigurisht, pesha e stereotipave të lidhur me ndarjen tradicionale të roleve është gjithmonë e pranishme, pavarësisht emancipimin mendor të disa meshkujve. Në ato vende ku akoma ekziston kjo kulturë, femrat gjenden përpara shumë vështirësive për të shkrirë punën me afeksionin ndaj familjes.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top