Shuhet në moshën 80-vjeçare aktori i njohur i skenës shqiptare Mërkur Bozgo. Prej kohësh aktori vuante nga një sëmundje e rëndë. Mërkur Bozgo lindi në 24 Mars të vitit 1937 në qytetin e Gjirokastrës. Në vitin 1961 përfundon studimet e larta në Degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe prej këtij viti fillon punën në Estradën e Tiranës deri në vitin 1968. Pas këtij viti për 7-të vjet punon në Televizion dhe që prej vitit 1975 punon si aktor në teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Në vitin 1994 del në pension.

Elma Doresi, regjisore dhe aktori Mërkur Bozgo
Në njoftimin e herët, regjisorja Elma Doresi ka shpërndarë për lexuesit një nga çastet e takimit të fundit me aktorin e njohur, Mërkur Bozgo.
Mërkur pse u vonove? Ti je përherë i pari nga aktorët që bëhesh gati për shfaqje?
– Elma, po luante kombëtarja. Ku i dihet kur luan përsëri e nëse do ta shoh. Doja të të merrja njëherë të të thoja nëse mundej të mos isha në hapje të shfaqjes që ta shikoja.
Ashtu?Atëherë pse nuk more?
– Pse do ta bëje?
Qesha. (Askush nuk e di se sa do të jetojmë mendova). Natyrisht Mërkur!
– Atëherë po iki zemër, tha ai.
Atë natë shfaqja u hap pa Mërkurin. Telefoni im u mbush me mesazhe nga ato që kishin parë shfaqjen “Elma ku është Mërkuri”, “Elma ka ndodhur gjë me Mërkurin”. Unë qeshja. Ishte një çmenduri si regjisore e di, edhe? Ai donte shumë ta shikonte atë ndeshje dhe mosha e tij nuk premtonte shumë.
Mërkur të falënderoj!
– Faleminderit ti Elma për rininë që më dhuruat!
Lamtumirë Xhepeto jonë!
Roli i tij i parë në kinematografi ishte në kinokomedinë televizive “Estrada në ekran” në vitin 1968. Roli më i fundit i aktorit Mërkur Bozgo ishte ai i hoxhës në filmin “Gjoleka, djali i Abazit” në vitin 2007. Por skenës nuk i është ndarë deri më sot. I numërohen mbi 100 role në teatër dhe mbi 20 role në kinematografi. Ka interpretuar në disa filma shqiptarë si:
Në fillim të verës (1975), Punëtori që shënon me shenjë arkën me barut
Emblema e dikurshme (1979), Drejtori i muzeut
Tokë e përgjakur (1976) Avokati
Agimet e stinës së madhe (1981), z. Ali
Tela për violinë (1987), Andoni
Stolat në park (1988), Drejtori
Bolero (1997), Klienti i Evelines
Gjoleka, djali i Abazit (2006), Hoxha
Seriali televiziv “Komuna e Parisit”, Xha Rakua
Bela TV Serial (2011) Babai

Në filmin “Në fillim të verës”

Në filmin “Stolat në park”

Në telekomedinë “Prefekti”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.