Këndi i të rinjve

February 8, 2018 | 9:57

Si e vras realitetin me ëndrra?

Kur jetës sime i mungon një motiv, e krijoj një artificial. Kapem me të si një i mbytur mes lumit që mbahet fort pas një dege, në mënyrë që kjo botë të mos përmbysë ndjenjat e mia.

Enveida Kajushi, nxënëse në vitin e tretë, gjimnazi “Petro Nini Luarasi”

Enveida Kajushi, nxënëse në vitin e tretë, gjimnazi “Petro Nini Luarasi”

Krijova një mburojë nga frika e lëndimit. Thura një rrjetë merimange me mendimin se nuk do të prishej. Harrova se ajo mund të zhdukej aq kollaj, thjesht me një të shkelur a me një të fshirë. Si mund të besoja kaq lehtë në djallëzitë e kësaj jete?

Isha e rrethuar në gënjeshtra. Ahaha, në fakt e gjithë jeta ime ishte një gënjeshtër. Të tilla ishin themelet e saj, por kjo nuk do të thotë se e gjithë ndërtesa duhet të ishte e tillë. Gjithçka varet nga rruga që zgjedh të ndërmarrësh.

Fillimisht, zgjodha të jetoja realitetin. Uh, sa e frikshme!…

realityU tremba me të vërtetë shumë, por jo nga ndonjë përbindësh. Ata janë gjëja më e paktë që më shqetësojnë në gjithë këtë situatë. Ajo prej së cilës u tremba, ishte vetë bota, rruga që unë vendosa të marr. Ishte kaq e tmerrshme mënyra se si njerëzit silleshin si gjarpërinj me njëri-tjetrin. Më e frikshme është se ata s’mund t’i krahasoj me asnjë lloj sendi a qenieje, kur pas krahëve të njëri-tjetrit shaheshin e sy më sy lavdëroheshin. Më thoni, a ka dhelpër, ujk a luan që ha kopenë e tij?

Për ne, njerëzit, s’ekziston arsyeja kur interesat tona shkelen. Gjithçka që duam në ato momente është vetëm hakmarrja në çdo lloj mënyre. Na errësohen sytë, ndaj verbojmë realitetin. Mbyllim veshët, ndaj shurdhojmë të vërtetën. Kyçim zemrën, ndaj harrojmë ndjenjën. E së fundmi, ajo që fitojmë nuk është ajo që donim…

dream

Nuk arrija dot të mbijetoja çdo ditë të jetës sime në përballje me realitetin, pasi e pashë që ishte një betejë e humbur që në fillimet e saj. Ndaj, vendosa të ndërroj rrugë. Zgjodha gënjeshtrën, hipokrizinë, dinakërinë. U dorëzova menjëherë! E kisha shumë të vështirë të vrisja parimet e mia morale. E urreja veten time sa herë e shihja në pasqyrë. Nuk isha e tillë dhe as nuk do të doja të isha. Kështu që, e hoqa prej vetes atë mantel të zi dhe e hodha në flakët e ferrit. Le të digjej aty ku e meritonte.

U ula mes zjarrit dhe borës. Çdo top bore që hidhja në flakët e atij zjarri shkrihej direkt. Më përngjasonte krejtësisht me mënyrën se si të pafajshmit shkeleshin nga hipokritët. Por, aty e kuptova më së miri se ekuilibri duhej të zotëronte qenien. Balanca mes kontrasteve është rrugëzgjidhja më e mirë. Në këtë mënyrë, vendosa të jetoja si një Merso në këtë botë gjigante. Gjatë gjithë kohës luaja me imazhet në trurin tim. Kështu, arrija të zhdukja sadopak atë shumë hidhësi të këtij realiteti. Dilja rrugëve e përhumbur. Tashmë, nuk më interesonte asgjë, ngase isha mësuar me gjithçka. Luftova aq sa forcat i humba. Kapërceva male, por rrëshqita në të fundit. E kisha shumë të vështirë të filloja gjithçka të ndërtuar nga e para, kështu që vendosa të sillesha sikur s’ekzistoja fare. Të harrohesha në ëndrrat e mia dhe me to të zhdukja realitetin.

A është zgjedhja e duhur? Jo, por të paktën është më e mira e mundshme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top