Këndi i të rinjve

February 8, 2018 | 10:17

Tjetërsimi nëpërmjet tri Z-zotave tek “Loja, shembja e qiellit” e Bashkim Shehut

Romani “Loja, shembja e qiellit” i Bashkim Shehut trajton një temë sa të njohur nga lexuesi përmes shkrimtarëve të tjerë, siç është periudha e regjimit enverist në Shqipëri, aq edhe të panjohur kur bëhet fjalë për botën e brendshme të individit në atë periudhë, botë kjo, që pëson drama sociale e psikologjike nga më të ndryshmet, dhe kësisoj tjetërsohet vazhdimisht.

Ledio Hala, studenti i vitit të dytë në degën Gjuhë-Letërsi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Ledio Hala, student i vitit të dytë në degën Gjuhë-Letërsi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Fjala “lojë” mbart në vetvete ambiguitet, sepse përfshin artin skenik si pasion të parealizuar, por edhe lojën shpenguese apo mashtrimin shpengues. E gjitha kjo lojë bëhet që të shembet qielli, pra që të arrihet drejtësia.

Dalëngadalë, në shkallë ngjitëse, loja do të bëhet polisemike. Loja bëhet drejtësi, por edhe mashtrim. Loja bëhet kënaqësi, por edhe vuajtje. Loja ndërtohet në bazë të kalimit nga arti skenik në artin jetësor. Loja është universalja e narracionit.

Nëpërmjet retrospektivës, si teknikë narrative, autori na kthen në të kaluarën shumë ose aspak të njohur të diktaturës, dhe kujdeset të na çojë më së shumti në ngjarjet e viteve kur Shqipëria u shpall shtet ateist. Janë vitet kur në Kuvendin Françeskan të Shkodrës u futën armët nga Sigurimi i Shtetit dhe kur shumë klerikë u vranë, burgosën e internuan. Janë vitet kur “zot” u bë diktatura. E kuptova që dom Jozefi ishte ai i birucës përballë ngase njëri prej gardianëve, kur e nxirrte për të shkuar në banjë, ose në ajrosje, i bërtiste shpejt prift, ose ej, Krisht, luaji këmbët Krisht! Dhe njëherë e dëgjova dom Jozefin t’i thoshte gardianit po a e din ti çka asht Krishti?, dhe gardiani iu përgjigj se Krishti është një fashist i qelbur, një armik, si ty! apo si të ishte në rolin e një pater confessorum në një skenë rrëfyestoreje që ishte zyra e hetuesit, si ndihmës i këtij, apo si nxënës që po e mësonte rolin, Luigji kështu, po edhe duke ndërhyrë gjatë hetimeve, rrëfehu, i thoshte fra Shtjefnit, rrëfehu që të shpëtosh, tani Zoti jemi ne.

Në skenat e futjes së armëve në Kuvendin Françeskan, kemi të bëjmë me një intertekst, i cili ka si paratekst shkrimet e At Zef Pllumit. Kjo rimarrje, e intertekstualizuar në vepër, nuk krijon devijancë nga subjekti, por përkundrazi, stilizon panoramën e asaj kohe, për të kuptuar më tej se si deformohen botët njerëzore. A po e sheh kund Zotin, shoku nëntoger, pyet polici që ka gjetur teleskopin. Shpikja e Galileut, që ju e dogjët të gjallë, i thotë Luigji pater Injacit. Ai që u dogj është Xhordano Bruno, jo Galileu, dhe ka ndodhur katërqind e ca vjet më parë, hidhet fra Shtjefni. Galileu, apo Xhordano Bruno, kjo s’ks rëndësi, ia kthen Luigji, dhe sidoqoftë ju e keni djegur. Veçse tani, mbas katërqind e ca vjetësh, po silleni ju në të njëjtën mënyrë, i thotë fra Shtjefni. Po duhet t’ju jemi mirënjohës që s’po na digjni, shton, sado që ndjen tek krahu shtrëngimin e gishtërinjve të pater Injacit.

Rrallë herë kemi edhe paratekste biblike, të ndërfutura përsëri si intertekst, që mund t’ju bëjmë analogji me vetë Biblën. Në këto rrethana, pater Shtjefni vendos të arratiset, çka e përligj me një porosi të Krishtit, kur mos t’u duen në nji vend, atëherë shkundeni edhe pluhnin e këpucëve tueja e largonju në nji vend tjetër.

Bibla: Mateu 10:14: Dhe nëse dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.

Protagonisti kryesor i romanit është Aleks Krasta, një njeri që tenton të kapet në rrjetën e besimit, por rrjeta griset, bie, e kësisoj ai kapet pas vetvetes.

Koha e parë është ajo e vegjëlisë dhe e rinisë së tij. Është koha kur ai ndjente një urrejtje të heshtur ndaj babait të tij, çka më vonë shpjegohet nga psikanalisti, doktor Marigleni, si pjesë e kompleksit edipik. Kompleksiteti i marrëdhënieve baba-bir ndihet masivisht gjatë leximit, dhe arrin pikën kulminante kur Aleksi e pyet të atin për Zotin dhe domethënien e tij. Më pas për shkak të sëmundjes së pashërueshme të babait, dhe për shkak të etiketimit të tij si armik i popullit, ky kompleksitet vjen në shkallë rënieje.

Ndaj babait kishte njëfarë droje gati-gati besëtyte, si ndaj një idhulli të errësirës, por që, asgjëmangut, ishte e trazuar me një urrejtje të ndrydhur apo të varrosur përthellë vetes, dhe që synonte kur e kur ta nxirrte turirin e vet prej bishëze, ose të dilte nga brendësia e tij, si prej varrit, dhe të vërtitej në ajër si ndonjë shtjellë prej ere të ndërkryer e të përxhindur, dhe nga kjo tmerrohej.

Në mbrëmje, në shtëpi të vet, Aleksi pyet babanë. Çfarë është Zoti? Ose, ndoshta, kush është Zoti. Dhe kjo ishte nga herët e para që babai i bërtiste e i hakërrehej ndërsa ai s’kuptonte pse. Pasi e mori në pyetje Aleksin dhe mësoi se nga e kishte dëgjuar atë fjalë, babai, me një pamje të alarmuar, thotë se ajo vajzë me siguri ishte bija e ndonjë armiku.

Koha e dytë është ajo pas vdekjes së babait. Këtu paraqitet tjetërsimi i personazhit e njëkohësisht dyzimi i personalitetit të tij. Herë jepet pas qejfeve, dëfrimeve, shthurjeve, hajdutërisë me Xhimin,  e herë pendohet për këto e kërkon Zotin. Internimi dhe burgu do të jenë pikat ku ai kërkon Zotin si një mënyrë për të qenë i mbrojtur nga realiteti. Por në fakt, nuk e gjen Zotin, sepse në pavetëdijen e tij, në konfliktin mes koshiencës dhe subkoshiencës, ai në të vërtetë beson tek pater Shtjefni. Për hir të marrëdhënieve shoqërore me pater Shtjefnin ai bëhet pseudobesimtar.

Por gjithashtu mund të them se nevoja për të besuar që Zoti është, i përftohej tekembramja ngase ndihej tejet i pambrojtur ndaj të këqijave të jetës, më saktë ndaj gjërave që, tinëzisht, i diktonin herëpashere përjetime të dhimbshme fajësie, për çka tashmë nuk e mbronte dot muri i padukshëm i teatrit të magjepsur të fëmijërisë së tij

Gjithsesi, më tepër se në Zotin, ai, Aleksi, besonte në pater Shtjefnin siç mund t’ia besosh veten një njeriu, një miku, dhe mu kjo ndjenjë miqësie e shtyu ta luante lojën shpaguese tekembramja, duke harruar verbërisht  se ishte një mëkat nga këndvështrimi i fesë së këtij njeriu, që ishte njëkohësisht prift.

Gjatë gjithë rrëfimit shikojmë një lloj ftohtësie nga rrëfimtari, çka na mban në distancë me ndjenjat. Herë-herë barrierat që vendosen edhe në situata “të ndjeshme” bën që ne të mendojmë e gjykojmë, por jo të përjetojmë. Me këtë lloj stili në narracion, mund të themi që romani përmban shkëndija të postmodernes, sepse siç shprehet edhe Hans Bertens: “Për ata, bota përjashta subjektit (natyra, objektet, njerëzit e tjerë) duhet të rivendoset me tërë objektivitetin e vet në tërë paqasshmërinë e vet, dhe duhet të pushojë së qeni pjesë e ndjeshmërisë subjektive të shkrimtarit, siç ishte rasti në modernizëm.[1]

Mund të themi që një pjesë të mirë të rrëfimit e zënë raportet sentimentale dhe seksuale të protagonistit Aleks Krasta. Herë duke përdhosur vende të shenjta duke kryer marrëdhënie seksuale në to, herë duke dashuruar me sinqeritet, e herë duke u dhënë pas shthurjeve si një rrugë shpëtimi për të gjetur copëza të dashurisë. Kësisoj, kemi dashurinë për Fiorën, dhe epshin për mbesën e Fiorës, Linën.

Edhe Fiora si personazh, shfaqet e tjetërsuar. Do të jetë Fiora, një fëmijë i vogël që i flet Aleksit për Zotin dhe e mëson të lutet, e pas viteve të regjimit komunist, do të jetë përsëri Fiora ajo që nuk flet më për Zotin e nuk beson, e mbrujtur nga ateizmi në vitet e diktaturës.

Fiora gjatë diktaturës: Pastaj vajza i thotë që t’i luten Zotit. Dhe bie në gjunjë, puq duart me majat e gishtërinjve te mjekra dhe ngre sytë lart, nga qielli, përmes dritares. Të njëjtën gjë bën edhe ai. Pastaj e pyet vajzën çfarë është Zoti, ose ndoshta kush është Zoti. Ajo i përgjigjet se Zoti i sheh të gjitha, i dëgjon të gjitha, dhe të jep fat nëse i lutesh, sepse është mirësia vetë. Kaq i tha ajo, dhe vazhdoi t’i lutej Zotit, ose kaq mban mend Aleksi, të cilit sidoqoftë nuk i mjaftoi kjo përgjigje, dhe vazhdoi ta bluante në mendje i ulur sërishmi në gjunjë, duke puqur duart, me majat e gishtërinjve nën mjekër, dhe duke vështruar nga dritarja qiellin, ku duhej të ishte Zoti, meqë edhe vajza e panjohur, si e zbritur nga ndonjë re, po vështronte qiellin duke u lutur.

Fiora pas diktaturës:Apo mos ndoshta, me mendjen të errur, shkon sërishmi te Fiora mbas pak ditësh i shtyrë nga një gjakim i verbër që të gjejë tek ajo, sado e shpërndërruar, sado e tjetërsuar madje, vajzën që ka qenë ajo dikur dhe që i ka sjellë atij, në kohë të ndryshme, ngazëllim dhe lektisje, dhe brengë, dhe vegime romantike, ashtu trazueshëm?

I trekohshëm do të jetë edhe Luigji C, që tipizon “njeriun e ri”, njeriun enverist. Kalimi nga dëshira për tu bërë murg, në një pinjoll të kohës enveriste, që torturon njerëz, e shkatërron jetë njerëzore, është padyshim një kalim galopant, i cili e përfaqëson tjetërsimin në pikën kulminante ne roman.

Koha e tretë është ajo e lojës. Një tjetërsim i dytë i Aleks Krastës, ndodh për arsye se ai e kupton që nuk beson tek Zoti, por tek pater Shtjefni. Nga një besimtar, në një njeri që shkon të marrë seanca psikoterapie tek doktor Marigleni, një psikanalist që çdo situatë e shpjegon profanisht. Nga dëgjuesi i tij i burgut, pater Shtjefni, tek dëgjuesi i lirisë, doktor Marigleni. Loja në këtë kohë është shpëtim, çlirim nga e kaluara. Veshja me zhgunin e murgut, aktrimi real, mashtrimi, mallkimi, mbyllja e hesapeve me të kaluarën duket sikur mund t’ia lehtësojnë deformimin masiv të personalitetit Aleks Krastës. Në një rrugëtim të trefishtë, fillimisht duke pasur babain zot, më pas duke kërkuar Zotin e vërtetë, tashmë ai kërkon të bëhet zot i vetvetes, duke tjetërsuar e trishtresuar personalitetin e tij në tre Z-zota.

Fundi, megjithatë, na lë të kuptojmë që ngjarjet e jetës ecin sipas një fataliteti rrethanash që nuk i shmangemi dot, çka risjell përsëri imazhin e Edipit mbret dhe kompleksin edipik në tërësi.

[1] Bertens, Hans, Koncepti i postmodernes, Om, Prishtinë, 2015, fq.28

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top