Marrëdhëniet tona janë pasqyra ku ne reflektojmë vetveten. Herë shohim dashurinë, pranimin dhe sigurinë. Herë të tjera, pasiguri, largësi apo frikë. Ajo mënyra intime si lidhemi me dikë, si i përgjigjemi afërsisë, nevojës për mbështetje apo frikës nga braktisja, nuk është rastësore.
Psikologët këtë mënyrë të lidhjes e quajnë attachment style, pra stil lidhjeje emocionale. Ky stil fillon të formohet shumë më herët sesa mendojmë në foshnjëri, në marrëdhënien tonë të parë dhe më themelore: atë me kujdestarin. Psikologu John Bowlby, themeluesi i teorisë së lidhjes (attachment theory), tregoi se mënyra si na janë përgjigjur të rriturit që kujdeseshin për ne, ndikon më vonë në mënyrën si do të ndiejmë dhe ndërtojmë marrëdhënie.
Katër stile, katër mënyra për të dashur
- Stili i sigurt (secure attachment) Këta njerëz e ndiejnë veten të dashur dhe të vlefshëm. Marrëdhëniet i jetojnë me qetësi, me komunikim të hapur dhe me aftësinë për të dhënë e marrë mbështetje. Ata nuk kanë frikë nga afërsia.
- Stili i ankthshëm (anxious attachment) Këtu ndodhen ata që duan shumë afërsi, por frikësohen se mos nuk janë të mjaftueshëm. Ata e ndjejnë veten shpesh në pritje, në pasiguri, në frikën se do t’i lënë. Mjafton një vonesë në përgjigje për ta rikthyer braktisjen e dikurshme.
- Stili shmangës (avoidant attachment) Këta njerëz e kanë mësuar se është më mirë të mos mbështetesh tek askush. Ata janë të pavarur në dukje, por shpesh të largët emocionalisht. Nuk kërkojnë ndihmë dhe nuk e japin me lehtësi.
- Stili i frikshëm i disorganizuar (disorganized/fearful attachment) Afërsia u ngjan rrezikut, por vetmia i tremb po ashtu. Ky stil shpesh lidhet me trauma, ku kujdestari ishte njëkohësisht burim dashurie dhe frike. Dashuria përjetohet si e paqëndrueshme, e pasigurt, e ngatërruar.
Është shumë e rëndësishme të dimë stilin tonë të lidhjes sepse ai është harta jonë emocionale në dashuri. Ndihmon të kuptojmë reagimet tona, frikërat, nevojat e pathëna dhe plagët që ende s’janë mbyllur. Pasi t’i kuptojmë, mund të mos i fajësojmë më partnerët, por të punojmë me veten. Mund të mos themi më “kështu jam unë”, por “kështu jam mësuar të jem – dhe mund të mësoj ndryshe”.
A mund të ndryshojmë attachment style-in tonë?
Po, mundemi. Ashtu siç mësohet frika nga afërsia, mësohet edhe siguria. Përmes vetëdijes, psikoterapisë, marrëdhënieve të shëndetshme dhe reflektimit të thellë, njeriu mund të kalojë nga një stil i pasigurt në një stil më të sigurt. Ky proces quhet earned secure attachment – një stil i sigurt i fituar përmes përpjekjes dhe rritjes emocionale. Në thelb, attachment style është historia që trupi dhe mendja jonë rrëfejnë për dashurinë. Është mënyra si e kemi ndjerë veten kur kemi qarë për herë të parë, dhe si është përgjigjur bota. Është rruga që na çon tek tjetri, por që nis nga vetja.
Kur kuptojmë se si lidhemi me të tjerët, në fakt po hapim një dritare të brendshme. Sepse mënyra si përqafojmë dashurinë e dikujt tjetër, është shumë shpesh mënyra si kemi mësuar, ose nuk kemi mësuar ta përqafojmë veten.
Të njohësh attachment style-in tënd nuk është thjesht të dish “si je”. Është të njohësh atë fëmijë që ishe dikur, të dëgjosh nevojat e tij, të shërosh plagët e lëna pezull dhe të ndërtosh marrëdhënie që nuk kërkojnë të jesh perfekt, por të jesh i pranishëm, i vërtetë dhe i aftë për t’u rritur bashkë me tjetrin.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.