Personat që kanë vështirësi në identifikimin dhe shprehjen e emocioneve janë më të prirur të justifikojnë shkaktimin e dëmit nëse kjo sjell përfitime për të mirën e përgjithshme, veçanërisht nëse shfaqin edhe tipare të lidhura me psikopatinë.
Një studim i ri, i botuar në revistën Personality and Individual Differences, hedh dritë mbi mënyrën se si përpunimi emocional ndikon në gjykimin moral, duke shqyrtuar ndërveprimin midis aleksithimisë dhe psikopatisë.
Çfarë është aleksitemia?
Aleksitemia është një tipar i personalitetit që prek rreth 10% të popullsisë. Ajo karakterizohet nga vështirësia në njohjen dhe përshkrimin e emocioneve të veta, si dhe një prirje për të menduar në mënyrë të jashtme dhe praktike, pa u ndalur shumë në përjetimet emocionale. Studiuesit e ndajnë këtë tipar në dy dimensione:
Ana njohëse (kognitive): që lidhet me identifikimin dhe përshkrimin e emocioneve.
Ana ndijimore (afektive): që ka të bëjë me mënyrën se si njerëzit i ndiejnë dhe i përjetojnë emocionet.
Ekzistojnë dy teori kryesore që përpiqen të shpjegojnë këtë vështirësi emocionale:
Teoria e mbingarkesës emocionale (hiper-arousal): propozon që njerëzit me aleksithimi përjetojnë emocione shumë intensive, të cilat nuk arrijnë t’i përpunojnë.
Teoria e mungesës së ngacmimit emocional (hipo-arousal): sugjeron që këta individë përjetojnë nivele shumë të ulëta të aktivizimit emocional, çka e vështirëson ndjeshmërinë dhe ndërgjegjësimin për emocionet.
Provat më të fundit, përfshirë këtë studim, mbështesin më shumë teorinë e hipo-arousal.
Çfarë është psikopatia?
Psikopatia karakterizohet nga mungesa e empatisë, sjellje manipuluese, bukuri sipërfaqësore dhe impulsivitet. Ajo konsiderohet si një spektrum, shumë individë mund të kenë nivele të larta të këtyre tipareve pa arritur një diagnozë klinike. Studiuesit zakonisht e ndajnë psikopatinë në dy nëntipe:
Psikopatia primare: përfshin ftohtësi emocionale dhe mungesë reagimi emocional.
Psikopatia sekondare: lidhet me impulsivitet, agresivitet dhe paqëndrueshmëri emocionale.
Çfarë tregon studimi?
Hulumtime të mëparshme kanë treguar se si aleksithimia, ashtu edhe tiparet psikopatike, lidhen me vendime morale utilitariste, d.m.th. zgjedhje që justifikojnë dëmtimin e individëve nëse kjo sjell përfitim për shumicën. Megjithatë, deri më tani është ditur pak për mënyrën se si këto dy tipare ndërveprojnë mes tyre. Studiuesja Serra Şandor nga Universiteti İstanbul Medeniyet ka hetuar nëse psikopatia shërben si një urë lidhëse midis aleksithimisë dhe mënyrës së marrjes së vendimeve morale.
Duke u mbështetur në teorinë e proceseve të dyfishta, e cila sugjeron se gjykimet morale lindin nga ndërveprimi midis reagimeve të shpejta emocionale dhe arsyetimit më të ngadaltë racional, Şandor ka parashikuar që njerëzit me reagime emocionale të zbutura mund të mbështeten më shumë te llogaritja dhe arsyetimi. Kjo i bën ata më të prirur të miratojnë vendime utilitariste, veçanërisht në situata të ngarkuara emocionalisht dhe me rrezik të lartë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.