Kam kuptuar nga shumë raste çdo ditë që ne akoma nuk kemi mësuar të vlerësojmë sa duhet shëndetin tonë, qoftë fizik apo edhe atë emocional. Së pari duhet të përkujdesemi për veten në mënyrë që të mund të përkushtohemi për familjen si edhe për punën tonë. Çfarëdo të jetë puna jonë kërkon energji dhe vëmendje maksimale.
Nga Elidona Lamnica, Psikologe Shkollore
Shumë njerëz harrojnë t’i ofrojnë trupit pushimin që i duhet, pra ta karikojnë veten që më pas të vijojnë me fazat e tjera të jetës.
Kam një pyetje që në fakt është kaq e njohur: Si mundemi ne të ndihmojmë, të duam të tjerët, nëse nuk dimë të duam veten dhe t’i japim vetes herë pas herë atë që më tepër kemi nevojë.
Duke mos e bërë këtë shumë individë përjetojnë stres, ngarkesë e nuk e kuptojnë që po sakrifikojnë tepër vetveten duke qenë të predispozuar për shqetësime dhe sëmundje të ndryshme.
Është e qartë që shoqëria nuk është mësuar të kuptojë vlerën që ka pushimi, qetësia dhe shëndeti në tërësi. Kushdo na nxit që të përpiqemi, të bëjmë, të mos rrimë në vend, duke çuar herë pas herë edhe në prishje të balancës së brendshme individuale.
Jam përfshirë në fushën e psikologjisë së motivimit vitet e fundit dhe vë re se të gjithë motivuesit, mentorët nxisin të arrish maksimumin.
Ata harrojnë dhe nuk e kuptojnë psikologjinë dhe shpirtin e njeriut. Pa dyshim me kemi nevojë për ditë, javë dhe muaj pushimi, reflektimi.
Është e nevojshme të karikohemi, të mbledhim fuqitë për fazën tjetër, ku do mund të lulëzojmë.
Kupto që ti je unik, unik, unik. Kjo do të thotë se askush nuk është si ty. Mos e nxit veten më tepër se duhet. Ti ke rrugëtimin tënd dhe do kesh arritjet e tua. Mos lakmo të tjerët, nuk ka arsye të arrish atë që tjetri ka arritur.
Ti je në garë me veten. Ji versioni më i mirë i vetvetes.
Doja të citoja dhe aspektin motivues por dua të referohem edhe në psikologjinë e njerëzve që më rrethojnë, familjarë, kolegë…
Shoh se njeriu e “zhvlerëson” veten duke e ngarkuar, pa i dhënë vetes të drejtën që të përkujdeset për atë që trupi e shpirti i tij kanë nevojë. Punojnë pa pushim, sakrifikojnë për familjen dhe profesionin, edhe nëse fuqitë pothuajse u kanë shteruar.
Kjo është një situatë që më prek. Duhet të kuptojmë që nëse i djeg bateritë apo djeg “vetveten” duke e harruar atë çdo ditë, do jetë goxha e vështirë që ta rikuperosh atë.
Po ju lë të reflektoni mbi këtë, më pas do jap këshilla si mund të bëni më shumë për veten tuaj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.