Është e vërtetë që ka plot efekte negative televizioni, media dhe interneti; efekte të cilat janë të pashmangshme. Si çdo gjë tjetër, teknologjia gjithashtu vjen me të mirat e me të këqijat e veta.
Është gjithashtu e pamohueshme që skenat e dhunshme, horror, seksuale dhe agresive nuk i ndihmojnë aspak fëmijët të krijojnë një imazh pozitiv për jetën. Sa më të vegjël të jenë e sa më herët të ekspozohen ndaj këtyre skenave, aq më keq do të jetë. Nëse është rasti i një fëmije i cili vetë për nga natyra ka elementë agresiviteti apo që jeton në një mjedis të dhunshëm, atëherë kur shikon skenat e lartpërmendura, rezultati do të jetë një fëmijë edhe më agresiv, verbalisht dhe fizikisht.
Mund të ndodhë edhe e kundërta, nëse një fëmijë shumë i qetë dhe paqësor është shikues i shfaqjeve të atilla; ajo që ndodh është që ky fëmijë do të krijojë frikëra, pasiguri, ankthe dhe do të trembet më shumë se të tjerët. Problemi me këto transmetime është se krijojnë ide të gabuara tek fëmijët mbi realitetin dhe marrëdhëniet njerëzore/seksuale.
Kur janë shumë të vegjël, fëmijët e kanë të vështirë të ndajnë fantazinë dhe imagjinatën nga realja. Në të njëjtën kohë, ata kanë shumë prirje për të modeluar të njëjtat sjellje, pra për të imituar atë që shohin. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që prindërit të tregohen shumë të vëmendshëm dhe vigjilentë me aksesin që kanë fëmijët ndaj transmetimeve të këtij lloji.
Kur evidentohet që fëmijët kanë parë skena të tilla është e këshillueshme që të rriturit të ulen dhe të bisedojnë me fëmijët e tyre, për t’i bërë të qartë se gjërat nuk funksionojnë ashtu dhe se nuk duhen besuar plotësisht.
Burimi / https://humanum.al/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.