Mjedisi i parë, ku njeriu bie në kontakt me njerëzoren dhe fillon ta zhvillojë, është lidhja burrë-grua, e babait dhe nënës së fëmijës. Bisedat e tyre për veten, problemet, të ardhmen, qejfmbetjet, trishtimet, dëshirat dhe gëzimet vetjake, që këta dy prindër ndajnë me njëri-tjetrin me foshnjen e tyre në krah apo pranë tyre, si dhe etika që ata përdorin në komunikimin ndërmjet tyre, është “toka dhe qielli” i zhvillimit të njerëzores së fëmijës.
Ka autorë që insistojnë, se të dy prindërit që në çastin e lindjes të fëmijës, të përfshihen të tre në këtë lloj marrëdhënie. Ata nisen nga fakti se, memorizimi i çasteve të para të jetës së njeriut, si ora e parë, dita e parë, java e parë, muaji i parë dhe viti i parë, janë të pashlyeshme nga memorja e njeriut për gjithë jetën.
Ato janë si gurët e themelit, që sa më cilësorë të jetë ndërtimi, aq më e fortë dhe e qëndrueshme është ndërtesa. Edhe psiha e njeriut kërkon po ashtu, një kujdes cilësor që në fillim, për tu zhvilluar sa më e fuqishme dhe e qëndrueshme, që në situata të ndryshme, me të cilat njeriu do të përballet për gjatë jetës së tij, të mos dëmtohet apo “thyhet”’.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.