Frika e braktisjes është një ndjenjë shumë më e zakonshme nga sa mund ta imagjinojmë. Ajo mund të rezultojë nga trauma ose përvoja të këqija të mëparshme, dhe ka fuqinë të na marë qetësinë dhe të “helmojë” marrëdhëniet tona – jo vetëm sentimentale, por edhe miqësitë.
Frika nga braktisja është një pasiguri e thellë, e cila na bën të ndihemi vazhdimisht vigjilentë, pengje të terrorit të vazhdueshëm që partneri ynë ose ata që na duan, herët a vonë do të na lënë. Ndonjëherë arrijmë madje të përfytyrojmë me hollësi tragjedinë e tmerrshme që do të na ndodhë.Kjo është një frikë normale, por nuk duhet nënvlerësuar pikërisht sepse mund të na shtyjë të veprojmë në mënyrë impulsive dhe toksike, duke dëmtuar në mënyrë të pariparueshme qetësinë dhe marrëdhëniet e dëmshme
PSE KEMI FRIKË NGA BRAKTISJA?
Kur fillojmë një marrëdhënie, mbajmë me vete edhe cilësitë tona, edhe ngarkesat plot trauma e pasiguri. Shpesh frika e braktisjes lidhet me traumën e fëmijërisë, të tilla si humbja e një personi shumë domethënës, zakonisht një prind ose një i afërm shumë i ngushtë. Por ky nuk është shkaku i vetëm.
Edhe një familje e paqëndrueshme ose një edukim i pashëndetshëm mund të çojë në ankth të vazhdueshëm ndarjeje në moshën e rritur. Edhe shantazhi emocional dhe presioni i prindërve mund të rrezikojnë të na dëmtojnë sigurinë dhe qetësinë teksa rritemi. Kjo na bën të mendojmë se nuk mjaftohemi dhe se herët a vonë ata që duam do të na lënë.
Fëmijëria dhe adoleshenca janë periudhat më delikate të jetës sonë. Në këto faza personaliteti ynë dhe vetëvlerësimi ynë fillojnë të marrin formë, duke marrë edhe ndikime negative. Edhe marrëdhëniet toksike në adoleshencë mund të shkaktojnë efekte afatgjata, të cilat ndodhin edhe në moshën e rritur.
CILAT JANË PASOJAT?
Edhe në rastet kur i afrohesh një partneri të qëndrueshëm, frika e braktisjes shfaqet në mënyra të ndryshme. Çdo sjellje ka qëllimin e vetëm për të mbajtur marrëdhënien, duke sakrifikuar kështu interesat dhe personalitetin e vet. Në rastet më të rënda, sjelljet obsesive duket qartë se nuk mungojnë, si xhelozia dhe zotërimi.
Në shumë raste, mund ta idealizosh personin pranë teje, pa i ‘parë’ vërtet. Të gjithë kemi pika të forta dhe të dobëta dhe ata që na duan me të vërtetë vendosin t’i pranojnë ato.
Të gjitha këto sjellje toksike, për ne dhe për ata që na rrethojnë, vetëm mund të çojnë në më shumë dhimbje dhe, në shumë raste, në braktisjen e partnerit. Nga veprimet tona të shkaktuara nga frika jonë, kemi përmbushur profecinë që kishim kaq shumë frikë.
SI TË PËRBALLOSH FRIKËN E BRAKTISJES?
Edhe me ndihmën e një terapisti, mund t’ia dalim mbanë me frikën tonë. Kjo nuk është një sëmundje e pashërueshme, por një pasojë normale e përvojave tona të mëparshme.
Para së gjithash, duhet të kuptojmë se si funksionojnë mekanizmat tanë mendorë dhe të përpiqemi t’i njohim mirë ato. Që të përballesh me diçka, së pari duhet ta dish mirë.
Pasi procesi të jetë analizuar, është e nevojshme të veprojmë kur njohim te ne sjellje të paqëndrueshme që nuk janë funksionale për marrëdhënien tonë. Do të ketë shumë raste në të cilat do të jetë e nevojshme të bëni një hap prapa në mënyrë që të eksperimentoni me sjellje të reja.
Burimi/ TheWom.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.