Këshilla & Arsye

July 3, 2018 | 14:39

Si ta kuptoni se jeni viktimë e abuzimit financiar…

 

Kur dëgjoni fjalën “abuzim” ju vjen ndërmend abuzimi fizik, abuzimi psikologjik dhe abuzimi seksual, por ai që shpesh kalon pa u vënë re është një tjetër lloj abuzimi, ai financiar.

Abuzimi financiar është një mënyrë për të kontrolluar partnerin ose partneren dhe për t’i detyruar ata të qëndrojnë në një marrëdhënie me abuzuesin. Ashtu si të gjitha format e abuzimit, edhe abuzimi financiar fillon gradualisht dhe rritet në mënyrë progresive me kalimin e kohës.

Në fillim një nga partnerët mund të kërkojë të marr kontrollin e të ardhurave të përbashkëta me pretekstin për të hequr barrën e menaxhimit të tyre nga partneri apo partnerja. Por me kalimin e kohës abuzimi bëhet më i madh dhe abuzuesi merr më shumë kontroll tek të ardhurat e çiftit. Kjo gjë bën që i/e abuzuari/ja të humbasë aksesin tek të ardhurat dhe të bëhet më i/e varur nga abuzuesi.

“Shpesh abuzimi financiar neglizhohet dhe shumë pak njerëz e dinë se ai bën pjesë në dhunën në familje”, thotë Sherry Hamby, autore e librit “Battered Women’s Protective Strategies”. Por në fakt abuzimi financiar është një problem shumë i madh dhe mjaft i përhapur tek gratë, të cilat shpesh ngecin në një marrëdhënie të padëshiruar për shkak se janë financiarisht të varura nga partneri i tyre.

Si ta kuptoni nëse jeni viktimë e abuzimit financiar? Bëjini vetes pyetjet e mëposhtme:

  • A ju ndalon partneri të punoni?
  • A i kontrollon shpenzimet partneri juaj?
  • Ju mohon akses të drejtpërdrejtë në të ardhurat e përbashkëta?
  • Duhet të kërkoni leje përpara se të blini diçka?
  • Ju detyron të punoni në biznesin e familjes pa pagesë?
  • Ju kërkon t’i jepni llogari ose t’i tregoni faturat për të gjitha shpenzimet që bëni?
  • Shpenzon para për vete por nuk ju lejon ju të bëni të njëjtën gjë?
  • Ju detyron të punoni ndërkohë që ai nuk punon e megjithatë është ai që i menaxhon të ardhurat?

Nëse i jeni përgjigjur pozitivisht ndonjërës nga pyetjet e mësipërme atëherë jeni viktimë e abuzimit financiar si shumë gra në gjithë botën. Ndaj është e nevojshme që të uleni e të bisedoni me partnerin tuaj për ta rregulluar këtë problem, ose të merrni hapat e mëtejshme dhe të kontaktoni me një avokat.

 

Burimi / pernenat.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top