FB

January 12, 2022 | 8:25

Si ta nisni mbarë vitin e ri

Çdo fillim i ri është entuziazmues, por në mënyrë që të arrini objektivat tuaja, ky pozitivitet duhet ruajtur. Ndiqni këshillat tona…

Momenti kur mbyllet një vit dhe fillon një i ri është gjithmonë një rast i mirë për të reflektuar dhe për të bërë një bilanc të jetës suaj: çfarë keni bërë mirë, çfarë mund të përmirësoni, cilat janë objektet për të ardhmen e kështu me radhë. Efektivisht nuk ndryshon asgjë nga 31 dhjetori në 1 janar, por vlera simbolike që i japim vitit të ri shpesh është shumë e fortë.

Duhet t’i shohim me optimizëm 12 muajt që kemi përpara nesh, si një shpresë ku duhet të besojmë, si mundësi që nuk duhet t’i lëmë të na ikin dhe me bindjen se duhet të lindë brenda nesh. Me siguri e keni bërë një listë (me mend ose të shkruar) të qëllimeve të mira për vitin e ri, ama duhet të përpiqemi fort t’i ruajmë dhe t’i arrijmë këto qëllime. Më poshtë kemi përzgjedhur një listë me këshilla të vyera, në mënyrë që ta nisni sa më mirë vitin e ri dhe të merrni maksimumin prej tij.

  1. Stërvitni forcën e vullnetit

Forca e vullnetit është si një muskul: duhet ushtruar dhe stërvitur. Për t’i shndërruar fjalët në fakte, për të qenë koherentë dhe të kënaqur me veten, duhet një stërvitje e përditshme. Filloni nga ajo praktikja. Për dy javë, çdo ditë, bëni një ushtrim për të çuar në ekstrem rezistencën tuaj: dilni përpara një tundimi dhe rezistoni. Jeni llupës? Mbani me vete çokollata, por mos i hani ato. Jeni emotivë? Shihni një film mallëngjyes, pa qarë. Pini duhan? Blini një paketë me cigare, por mos i pini ato. Vetëm për 15 ditë: të keni një limit kohor, ju ndihmon të rezistoni. Në fund të dy javëve do të kuptoni se vetëkontrolli dhe forca juaj e vullnetit janë forcuar, do të jeni të kënaqur me veten dhe mund të provoni ta kryeni këtë metodë edhe në çështje të tjera të jetës.

  1. Përqendrohuni në një objektiv të vetëm

Forca e vullnetit nuk lind nga një burim i pafundmë. Ja sepse ju leverdis të përqendroheni në burimet tuaja për të arritur një objektiv të vetëm. Me të mbaruar objektivin në fjalë, vazhdoni me tjetrin. Shpesh është e kotë që në të njëjtën kohë të përpiqeni të lini duhanin, të bëni një dietë dhe të shkoni në palestër: më mirë përkushtohuni në përmbushjen e një qëllimi të vetëm e më pas merruni atë të radhës. Do të jeni më të kënaqur me veten dhe do të keni më shumë mundësi të investoheni në projektet që do të vijnë.

  1. Caktoni një hark kohor

Objektivat tuaja me siguri do të jenë të rëndësishëm, por jo domosdoshmërisht duhet t’i arrini sa hap e mbyll sytë. Përkundrazi, zakonisht rruga drejt një synimi është e gjatë dhe ka disa etapa, ndaj përqendrohuni te këto të fundit. Dëshironi të ngriheni në detyrë, e dini se është një gjë e mundshme dhe se e meritoni? Ecni me hapa: shtoni përkushtimin tuaj, pastaj bëni të mundur që t’ia tregoni çdo arritje që keni bërë eprorit tuaj dhe shfaqni pikat tuaja të forta. Në fund, me mirësjellje dhe vendosmëri tregoni synimin tuaj. Çdo hap më shumë që bëni, nëse është i organizuar dhe i planifikuar me kujdes dhe sa më mirë, do t’ju çojë në synimin që keni.

  1. Dhurojini vetes pozitivitet

Kush ndihet mirë dhe e ka moralin sa më të lartë, ndikon pozitivisht në çdo aspekt të jetës, dhe kjo gjë ju ndihmon të keni optimizëm, qëndrueshmëri dhe vendosmëri, e për rrjedhojë edhe forcë vullneti. Kushtojani kohën tuaj gjërave që ju pëlqen të bëni, një sporti që ju ndihmon të shkarkoni tensionet, daljeve me miqtë, që ju dhurojnë momente të kënaqshme, një momenti që ju bën të qeshni me shpirt: nuk do të jetë kohë e humbur, përkundrazi do të shtojë forcën e durimit në momentet më të vështira.

  1. Kujdesuni për trupin

Trupi ynë është si një makinë garash me shumë kuaj fuqi, ushqimi është karburanti i tij, ndaj duhet të jetë i mjaftueshëm dhe i shëndetshëm. Kujdesi për veten është mirëmbajtja, duhet bërë rregullisht dhe nuk duhet lënë pas dore. Ndaj të kujdesemi për trupin dhe për shëndetin na lejon të kemi energji të shumta, të cilat më pas do t’i vëmë në përdorim për të arritur synimet që i kemi vënë vetes.

  1. Jepni që të merrni

Bujaria ju bën të ndiheni mirë me veten: të ndihmoni të tjerët në momente të vështira, praktike apo morale, ju lejon që të ndiheni krenarë për veten. Të ofroni ndihmën tuaj do të thotë që të stërviteni në nivelin e atij që është në vështirësi, të vendosni veten tuaj në vend të tij dhe të dhuroni burimet tuaja për të mirën e dikujt tjetër. Duket si një vetëmohim, por në të vërtetë nuk ka gjë që ju mbush më shumë sesa të dhuroni. Dhuroni kohën tuaj, një gjest të bukur, dëgjimin, mirëkuptimin, një veprim solidar. Pasuria që do të merrni do të jetë stimul për të tjerët dhe për ju.

  1. Dëgjoni sinjalet e trupit

Stresi, lodhja ose uria janë sinjale që tregojnë se trupi dhe truri juaj kanë arritur në fund të mundësive të tyre. E kanë të pamundur që të vazhdojnë punën pa u karikuar me energji. Dëgjojini këto sinjale dhe merrni masa. Kur ndiheni të sfilitur është e kotë të vazhdoni të punoni. Është më mirë të pushoni pak dhe të dilni për ajër të freskët në mënyrë që t’i riktheheni aktivitetit. Në mënyrë që të rinisni sa më mirë, çlodhuni sa më shumë.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top