Jemi në prag të fillimit të vitit të ri akademik. Shumica e prindërve dhe e fëmijëve i kanë bërë blerjet e materialeve, disa kanë blerë dhe uniformën, disa hyjnë në klasë të parë e të tjerë në nivele më të larta. Kemi përzgjedhur disa këshilla për t’i përgatitur sa më mirë fëmijët dhe të rinjtë me zilen e shkollës. Dhe nga specialistët e psikologët vjen paralajmërimi: “kujdes ndaj disa kambanave të alarmit”, të cilët japin disa këshilla se si ta bëjmë sa më të butë kthimin në shkollë.
Pushimet verore janë në ditët e fundit: e në fakt, të hënën e 11 shtatorit, do të fillojë mësimi për ciklin e ulët, 9-vjeçar dhe të mesëm. “Është e rëndësishme të bëni pushime të gjata për ndërtimin e një rutine ditore dhe mënyre të jetuari të ndryshme, krahasuar me impenjimet shkollore”, nënvizojnë psikologët. Përgjatë verës fëmijët e të rinjtë ndërtojnë rutina të reja dhe kalojnë përvoja të reja të nevojshme për veten e për të tjerët dhe kështu, rikthimi në përditshmëri për gjithë pjesën tjetër të vitit mund të jetë i dhimbshëm.
Për aspekte të ndryshme, rikthimi i nxënësve në shkollë është i barabartë me rikthimin e të rriturve në punë. Por, në rastin e shkollës, ka një sërë faktorësh specifikë që e bëjnë këtë situatë edhe më të vështirë, duke u shndërruar kështu në burim stresi. Në fakt, periodikisht me ndryshimin e klasës, ka një sërë marrëdhëniesh të reja ndërpersonale që duhen zhvilluar. Me pak fjalë: droje që duhen hedhur pas krahëve, por edhe ndërtimi i një marrëdhënieje me profesorët e rinj, të cilat janë çështje që nuk duhen nënvlerësuar.
Dhe edhe kur marrëdhëniet janë të ndërtuara prej kohësh nga vitet e mëparshme, gjithsesi hyjnë në lojë mekanizma emocionalë mjaft kompleksë. Ankthi i rikthimit në shkollë, detyrimi për të respektuar oraret, rifillimi i provimeve e i bërjes së vazhdueshme të detyrave, emocioni i ritakimit me shokët: të gjitha këto gjëra kërkojnë një punë mjaft të dukshme psikologjike.
Këshilla për ta bërë më të lehtë kthimin në shkollë
Për t’i përballuar në mënyrën më të mirë të mundshme këto momente – këshillojnë psikologët – prindërit mund të përshtasin sjellje të ndryshme në mënyrë që të ndihmojnë fëmijët. Sidomos për të vegjlit, është e nevojshme të fillojnë rikuperimin gradual të ritmit të të fjeturit, përshtatur me oraret e shkollës, para se ajo të fillojë. Prindërit duhet ta përshtasin këtë ritëm duke dialoguar me fëmijët mbi përvojën e tyre në shkollë dhe rifillimin e saj çdo shtator.
Mund të jetë e nevojshme edhe të përgatiten për materialet e shkollës ditë pas dite, para kohe, në mënyrë që të evitojnë ankthin e çastit të fundit. Për adoleshentët, përveç se një detyrim, shkolla mund të konsiderohet edhe si një rast për të qenë të lirë dhe të çlirët, po ta krahasojmë me autoritetin prindëror. Shkolla për ta është një mundësi për të njohur me njerëz të rinj dhe për t’u përballur me shokët e tyre që janë njësoj si ata.
Dialogu i përditshëm mbetet, gjithsesi, mënyra më e mirë për t’u qetësuar dhe për të kuptuar. Jo vetëm dialogu me fëmijët, por edhe ai i prindërve me mësuesit. Sidoqoftë, në përgjithësi, si për të rriturit, ashtu dhe për të vegjlit mund të shërbejë të ruajnë diçka nga periudha e pushimeve, edhe pasi ato kanë mbaruar, ndoshta duke i dhënë hapësirë pasioneve që kanë lindur gjatë ndërprerjes së shkollës.
Në fund, deri sa të vijë pranimi i plotë i shkollës nga ana e fëmijëve/të rinjve, është e domosdoshme që prindërit, të vetëdijshëm për rolin që kanë (të ndihmojnë në formimin e njeriut në çdo aspekt) t’ua komunikojnë fëmijëve vullnetin e tyre për të bashkëpunuar, me qëllimin që t’i dhurojnë atyre një përvojë sa më pozitive.
Kambana alarmi
Sipas psikologëve, me kthimin nga pushimet, mund të ndodhë që të shfaqen disa shenja mjaft kuptimplote. Në këto raste, shenjat janë të lidhura thjesht me kthimin, por mund të jenë edhe kambana alarmi për disa situata më të vështira, për të cilat mund të jetë e nevojshme të konsultoheni me një specialist. Nëse, për shembull, fëmija juaj shfaq një humbje të theksuar oreksi, pagjumësi, shfaq ankth apo shenja të tjera shqetësuese, këto mund të jenë shenja të ndonjë fakti shqetësues në jetën e fëmijës, probleme jo të shprehura, të cilat shfaqen në jetën e tij gjatë kthimit në shkollë. Bulizmi dhe dhuna, për shembull, shpesh “denoncohen” nëpërmjet këtyre sinjaleve shumë më përpara se sa fjalët dhe ndaj është e rëndësishme – pa u alarmuar – të mos i nënvlerësoni.
Veç të tjerash, në veçanti në moshën e adoleshencës, sjellje që kundërshtojnë fillimin e shkollës, mund të fshehin një problematikë më të thellë. Sipas disa psikologëve, në fakt, gjendja e ankthit të fëmijës mund të dallohet nga shqetësimi se nuk ka zgjedhur shkollën e duhur apo se nuk është në lartësinë e kërkuar, se i janë ngarkuar shumë përgjegjësi; ose, nëse ankthi është veçanërisht i lartë e shoqërohet me shqetësime psikofizike, kjo gjë mund të shenjojë një gjendje depresive, e cila nuk duhet nënvlerësuar.
Kjo gjendje shqetësimesh psikologjike në fakt, nëse nuk trajtohet, mund t’i hapë udhë një shqetësimi në humor me pasoja, të cilat dukshëm i bën të rinjtë të mos angazhohen në shkollë e të kenë vështirësi të madhe të ndërveprojnë në shkollë.
Këshilla e specialistëve është: në të gjitha rastet është edhe më i rëndësishëm bashkëpunimi shkollë-familje, për të kuptuar sa më mirë shqetësimin e fëmijës dhe për të gjetur zgjidhje të mundshme.
Përgatiti: Manjola Ereqi | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.