Mirëqenie

October 21, 2017 | 8:30

Si të dobësoheni? Kufizoni kaloritë!

Kufizimi i kalorive është shumë thelbësor për t’u dobë- suar. Sigurisht gjatë këtij procesi nuk duhet të mungojë as aktiviteti fizik. Në përgjithësi duhet të humbasim 7700 kalori, për të eliminuar rreth 1 kg dhjamë…

1

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

Duke vlerësuar nevojat kalorike të përditshme të një obezi (afërsisht 33 kilokalori/kg), mund të llogariten nevojat ditore për të mbajtur një humbje peshe të caktuar. Kufizimi ushqimor mund të shtrihet që nga uria e plotë gjer në një kufizim të lehtë të kalorive. Rekomandimet dietetike do të jenë më të efektshme në qoftë se janë individuale dhe të përshtatura sipas zakoneve të jetës të personit obez. Një specialist duhet të llogarisë sasinë e kalorive që personi obez merr afërsisht çdo ditë, ushqimet që ai preferon dhe mënyrën e tij të të ngrënit. Sa më i madh të jetë kufizimi i dietës, aq më e shpejtë do të jetë rënia në peshë dhe aq më të vështirë do ta ketë personi obez. Edukimi me mënyrën e të ushqyerit, marrja e ushqimeve të caktuara si dhe inkurajimi i tij janë faktorët më të rëndësishëm për të pasur sukses. Metoda më e mirë e specialistit është që ai të mos jetë shumë i ngurtë në programin e zbritjes së peshës, me kusht që dieta e propozuar të mos jetë e dëmshme. Megjithatë, dietat që kanë mangësi të theksuara të disa elementëve ushqimorë kryesorë duhet të mënjanohen. Për shembull dietat me përmbajtje shumë të pakët me karbohidrate janë mjaft të pasura me yndyrna dhe mund të çojnë në hiperkolesterolemi. Një dietë e varfër me karbohidrate shkakton rritje të ketozës.

Trupat ketonikë kanë efekt në qendrat nervore për prishjen e oreksit. Kjo përligj pjesërisht dietat me proteina të lëngshme ose në formë pluhuri. Këto dieta janë quajtur “dieta të urisë, të plotësuara me proteina” dhe pretendohet se shkaktojnë një kufizim kalorish. Para se të fillohet dieta është e nevojshme të informohet personi obez, se humbja e peshës relativisht e madhe, që vihet re në fillim të marrjes së kufizuar të kalorive, shkaktohet në një pjesë të madhe nga humbja e ujit dhe ky ritëm i zbritjes në peshë nuk ka për të vazhduar gjatë. Po ashtu, ndryshimet në bilancin e lëngjeve mund të maskojnë një humbje peshe të vërtetë të indit dhjamor, që mund të vërtetohet me kënaqësinë më të madhe të të sëmurit, nga matja çdo  muaj e trashësisë së palës së lëkurës. Për të minimizuar dhjamosjen është propozuar kufizimi i tërë ushqimeve. Problemi më i rëndësishëm në mjekimin e dhjamosjes nuk është rënia e peshës, por ruajtja e kësaj peshe të humbur. Me një punë këmbëngulëse, të vështirë e të zgjatur, shumica e personave obezë mund të humbasin peshë, por për fat të keq ata që mund të ruajnë përgjithmonë humbjen e peshës së tyre janë të paktë. Dhjamosja është një çrregullim i ndryshimit të mënyrës së të ngrënit, mekanizmat e të cilit nuk janë të ndryshueshëm me një kufizim të thjeshtë të marrjes së ushqimit.

Një individ bën një jetë sedentare nëse:

• Kalon pjesën më të madhe të ditës duke parë televizor ose përpara kompjuterit

• Bën jo më shumë se 100 metra në këmbë

• Puna që bën nuk i jep mundësi të lëvizë

• Nuk bën 20-30 minuta aktivitet fizik, të paktën 1 herë në javë

Kaloritë që nevojiten për 1 kg të peshës ideale llogariten:

• Për personat mbipeshë: 20-25 kalori/kg

• Për personat normale: 30-35 kalori/ kg

• Për personat që janë nën peshë: 35-45 kalori/kg Pra, nëse pesha e një personi mbipeshë është 90 kg, ai duhet të konsumojë 90×20(25), pra rreth 1800-2250 kalori në ditë. 18% e peshës trupore të njeriut është e përbërë nga dhjamërat, ku nga këto: ¾ gjenden në lëkurë dhe ¼ gjendet brenda qelizave.

Te njeriu i rritur, indi yndyror peshon 8-10 kg, por kjo ndryshon për çdo individ nga mënyra se si ushqehen. Njeriu depoziton me një lehtësi mjaft të madhe sasi të mëdha dhjamore. Në jashtëqitje nuk ka më tepër se 2-5% yndyrë, pavarësisht se gjatë të ushqyerit, ai mund të ketë marrë 400 gr në ditë. Kur ushqimi ka me tepricë yndyrë, më shumë se sa kërkon organizmi, kjo tepricë grumbullohet në indet dhjamore. Pra, nëse një njeri konsumon në ditë 3000 kalori, por është ushqyer me 3200 kalori, atëherë ai grumbullon 200 kalori në formë yndyre dhe brenda 1 viti sasia dhjamore e tij do të jetë rreth 8 kg. Në këtë rast metabolizmi është i shtuar pak, sepse ka më shumë ushqim për të djegur.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top