Nuk ka një formulë të caktuar se si të jesh bashkëshort i mirë. Çdo partner dhe çdo martesë është e ndryshme. Por ka disa probleme të zakonshme me të cilat përballet çdo çift i martuar, dhe nëse hasni në ndonjë prej tyre, me këshillat e mëposhtme do të mësoni se si të bëheni një bashkëshort edhe më i mirë.
- Jini të ndershëm
Në një marrëdhënie të pjekur, ndershmëria është zgjedhja më e mirë. Edhe pse ndonjëherë mund të duket e vështirë për t’u bërë, është elementi që i jep frymëmarrje lidhjes. Pavarësisht se çfarë mund të ndodhë, askush nuk mund t’ju gjykojë se nuk keni qenë i sinqertë, dhe kjo gjë duhet të shkëmbehet edhe nga partnerja, si formë respekti. Përballë një veprimi që nuk i ka hije partneres suaj, duhet t’ia bëni të ditur, se rrezikon të humbasë vlerësimin tuaj. Në këtë rast, duhet të mundoheni t’ia bëni të ditur në mënyrë që kritika juaj të perceptohet si një kompliment.
Sugjeroni alternativa dhe bëjini të duken si lëvdata. Për shembull, nëse partnerja ju kërkon një mendim për diçka që ka veshur, thuajini që duket mirë, por ju preferoni fustanin blu, sepse mendoni se ngjyra blu i shkon më shumë dhe e bën të duket më bukur. Shtoni një karakteristikë, duke evituar aspektet për të cilat ajo mund të ndihet e pasigurt. Nuk është e lehtë të jeni i ndershëm dhe i sjellshëm njëkohësisht, por duke u praktikuar do të mund të merrni rezultate të mira.
- Komunikoni
Jini të komunikueshëm, jo duke e mbytur me biseda pa fund, por bëni të mundur që ajo të dijë për çdo problem që ndikon në humorin tuaj, në mënyrë që të mos i dukeni si lunatik apo i paqëndrueshëm. Fokusohuni vetëm tek ajo nëse bisedoni të dy dhe bëjini pyetje vetëm nëse jeni sinqerisht të interesuar për të marrë përgjigje. Për shembull, pyeteni se çfarë filmi i pëlqen të shohë në kinema, ose flisni për një nga filmat e saj të preferuar.
Ndoshta e keni parë bashkë dhe mund të flisni rreth tematikës së filmit, duke e gjetur se përse asaj i ka pëlqyer kaq shumë. Edhe pse ndoshta mund t’ia fusni kot, zakonisht e dashura do të kënaqet nga fakti se ju interesoheni për të aq shumë sa dëshironi të kuptoni mendimet e saj. Kujtoni se e kundërta e fjalës flas nuk është ndërpres, por dëgjoj. Lërini të kuptojë se po e dëgjoni, dhe nuk jeni duke pritur vetëm radhën për të folur. Krijoni një atmosferë që ta bëjë të ndihet rehat, ndërkohë që ju tregon çdo gjë. Bëjeni të ndihet e sigurt!
- Mos e injoroni
Të gjithë njerëzit ndihen të dëshpëruar nga fakti që partneri i trajton me superioritet dhe te kjo gjë femrat nuk bëjnë përjashtim. Për shumë njerëz, mënyra e vetme për të marrë vëmendje është ta kërkojnë atë në mënyrë më emotive e të zhurmshme, deri sa partneri t’i kushtojë vëmendjen e kërkuar, edhe pse vetëm për t’u qetësuar. Nëse partnerja kupton se po trajtohet me ftohtësi nga partneri që në fakt duhet t’i qëndrojë pranë, shqetësohet për këtë situatë, veçanërisht nëse nuk i jepet një shpjegim mbi sjelljen e tij. Askush nuk ka dhuntinë të lexojë mendjen. Partnerja juaj me shumë gjasa nuk do të jetë në gjendje të kuptojë që jeni i nervozuar, sepse nuk ju ka lejuar të bëni diçka që për ju është e rëndësishme, ndërsa për të jo. Nëse e dini që humori juaj mund të sjellë reagime të tepruara, thjesht thuajini se ndiheni shumë i inatosur dhe që dëshironi të flisni kur të ndiheni më mirë e më pas mos harroni të gjeni kohë për t’u sqaruar.
- Respektojeni
Në asnjë mënyrë nuk bëhet fjalë që ta toleroni për çdo gjë. Mungesa e respektit është gjithmonë e dëmshme në një lidhje. Nuk duhet të silleni gjithmonë sikur gjithçka që ajo thotë ju pëlqen, por as mos bëni sjellje superioriteti, as mos reagoni me shaka. Këto sjellje, edhe pse duken të parëndësishme, tregojnë në fakt një mungesë vëmendjeje, respekti e besimi, veçanërisht nëse i përsërisni gjithmonë. Mënyra se si e trajtoni partneren tuaj, duhet t’i japë asaj siguri si person, edhe në rastet kur ju nuk e kuptoni apo nuk jeni dakord mbi mënyrën si sillet. Ta shihni në sy kur ju komunikon diçka është shenjë respekti, ndërsa kur nuk i jepni vëmendje, tregoni mungesë respekti, që nuk ju intereson ajo çka po ju thotë. Kjo gjë mund ta vështirësojë dialogun spontan mes jush. Nëse e përfillni në sy të fëmijëve, edhe ata do të mësojnë ta trajtojnë në këtë mënyrë dhe do të ndjekin modelin tuaj edhe në marrëdhënien e tyre kur të bëhen adultë.
- Jini romantik
Të qenit romantik mund të variojë nga personi në person, por koncepti kyç është se duhet të shprehni ndjenjat tuaja në mënyrë kreative dhe të thellë. Akti i vërtetë i romancës kërkon sinqeritet dhe kreativitet, shpesh të motivuara nga dashuria. Duhet të krijoni entuziazmin e fillimit të marrëdhënies. Bëni diçka të veçantë, diçka që ajo nuk e pret: sa më e madhe surpriza, aq më e madhe kënaqësia! Trajtojeni partneren sikur të jeni vetëm, sikur do t’ju duhet të fitoni dashurinë dhe besimin e saj. E kundërta e romancës është t’i merrni gjërat si të mirëqena. Askujt nuk i pëlqen ndjesia e të qenit në një marrëdhënie gjithmonë të njëjtë dhe të pandryshueshme. Ka miliona mënyra për të dhënë “të dua” dhe “jam i lumtur që të kam pranë”. Mendoni mënyrën se si të shpreheni dhe si mund t’ia shkruani, thoni, gdhendni, pikturoni këto fjalë dhe bëjani të ditur në mënyrë të pakushtëzuar.
- Kujdesuni për të
Bashkëshortja ndonjëherë mund të ndihet e përfshirë nga punët në zyrë dhe shtëpi. Mos hezitoni të gatuani recetën e saj të preferuar, apo qoftë edhe një pije që i pëlqen dhe ndihmojeni për punët e shtëpisë dhe me fëmijët. Asnjë grua nuk ka superfuqi.
- Bëhuni forca e saj
Duhet të jeni personi tek i cili ajo e di që mund të mbështetet në çdo moment. Duhet të jeni gjithmonë i pranishëm kur ajo ka nevojë për ju në fund të një dite të vështirë. Dëgjojeni me vëmendje. Jepini mbrojtje, si fizike, ashtu dhe emotive. Nëse keni bërë diçka që e ka lënduar, edhe pa dashje, thuajini që ju vjen keq dhe shfaqini dashurinë në mënyrë të sinqertë. Nuk ka asgjë të keqe se sa një “më vjen keq” që nuk është e sinqertë.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.