Tashmë e dini se duhet shumë mund për të qenë prindër të mirë, por ka shumë mënyra për të qenë një baba i mirë. Shpesh trishtohemi kur përballemi me gabime, rezultate jo të mira dhe pyesim veten se ku kemi gabuar gjatë edukimit të tyre. Profesioni më i vështirë në botë është prindërimi. Nuk ka receta për të qenë një prind i mirë, ama mund të ndjekim disa rregulla dhe këshilla të thjeshta…
Argëtohuni
Të jesh prind është një përgjegjësi shumë e madhe, por gjithashtu edhe argëtim. Bëjuani të ditur fëmijëve se ju pëlqen që jeni babai i tyre.
Kaloni kohë së bashku
Shpenzoni kohë bashkë me fëmijët tuaj dhe merrni përsipër përgjegjësitë tuaja. Për disa baballarë, duke qenë se kanë përgjegjësi dhe interesa të ndryshme në punë, nuk është e lehtë të gjejnë kohë për t’iu përkushtuar fëmijëve të tyre. Sido që të jetë, përfitoni sapo t’ju ofrohet mundësia, sepse nuk do të keni mundësi më vonë. Nëse nuk krijoni një lidhje afektive me fëmijët kur janë të vegjël, do të jetë shumë e vështirë më vonë të mbushni boshllëqet e lëna në fëmijëri.
Bëhuni shembulli i fëmijëve
Bëhuni shembull për ta me fjalë dhe veprime. Është e nevojshme t’u mësoni fëmijëve të dallojnë të mirën nga e keqja dhe shembujt që do t’u jepni janë mënyra që ata të mësojnë. Merrni vendime në prani të tyre dhe shpjegojuni arsyen e zgjedhjes që bëni. Flisni për vendimet që keni marrë në të kaluarën, për arsyet dhe rezultatet pozitive apo negative që kanë pasur këto vendime. Vlerësojini zgjedhjet tuaja duke menduar: “Çfarë do të doja të bënte fëmija im në një rast të caktuar?”. Mësojuni fëmijëve që gabimet janë njerëzore, çdokush bën, duke përfshirë edhe veten tuaj. Gjëja më e rëndësishme është të mësojnë nga gabimet dhe të mundohen të mos i bëjnë më.
Shprehni dashurinë
Për disa meshkuj nuk është e lehtë të shfaqin dashurinë dhe ndjenjat kundrejt fëmijëve. T’u shfaqni dashurinë fëmijëve, i bën ata të kuptojnë se ju i doni dhe përveç kësaj u mëson atyre të jenë të dashur edhe me njerëzit e tjerë.
Tregoni respekt për nënën e fëmijëve
Respekti reciprok është i rëndësishëm pavarësisht nëse prindërit janë të martuar bashkë apo jo. Të vegjlit kopjojnë sjelljen e të rriturve. Mënyra se si trajtoni nënën Psikologji Në fokus e fëmijëve tuaj do të ndikojë në mënyrën e të sjellurit të tyre kur të rriten dhe të bëhen edhe vetë prindër. Mos kini frikë të mbroni idetë tuaja si prind. Janë po aq të rëndësishme sa edhe idetë e mamasë, pavarësisht se sa kohë kaloni me fëmijët. Bëni të mundur që roli juaj si prindër të jetë sa më bashkëpunues, me rregulla të njëjta dhe dënime apo dhurata.
Mos pretendoni më tepër nga fëmijët
Jeta e një fëmije mund të jetë e mbushur me trysni prej shokëve, mësueseve apo edukatoreve. Ndihmojeni fëmijën të kuptojë se çfarë do të thotë të vlerësojë kufijtë dhe aftësitë e veta. Gjithashtu, ndihmojeni të caktojë objektiva që mund t’i përmbushë. Kurajojeni të zhvillojë në maksimum aftësitë e veta, por evitoni mërzinë nga rezultatet e tyre. Ju mund të prisni shumë më tepër nga fëmija dhe të mendoni se sa shumë keni arritur kur keni qenë në moshën e tij, por fëmija juaj nuk është ju, është individ tjetër, me të mirat dhe të këqijat e veta.
Mos u ndjeni fajtor për rezultatet e padëshiruara
Jeni shumë i rëndësishëm për rritjen e të vegjëlve, por edhe shumë njerëz të tjerë do të ndikojnë në zhvillimin e tij. Nuk do të jetë e gjithë merita juaja për rezultatet pozitive të fëmijëve, ndaj edhe nëse do të hasni çështje problematike në jetën e tij, nuk duhet të ndjeni gjithë peshën e fajit.
Një detyrë që s’mbaron kurrë
Duhet të kuptoni se detyra e një babai nuk ka asnjëherë fund. Mos prisni që roli juaj të përfundojë ndonjëherë me diplomën apo moshën madhore. Në fakt, edhe pse është shumë e rëndësishme t’i inkurajoni fëmijët të kenë pavarësinë e tyre ekonomike dhe emotive, është gjithashtu e rëndësishme t’u bëni të ditur që dashuria dhe mbështetja juaj nuk do të reshtin kurrë. T’ua bësh të ditur këtë gjë, do t’i bëjë të ndihen më të vlerësuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.