Psikofakt

August 16, 2016 | 8:15

Sindroma e zëvendësuesit

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Me sa duket, historikisht, në rrugën e saj të gjatë drejt emancipimit, familja shqiptare ka pasur jo pak probleme e vështirësi. E dëshmon këtë, ndër të tjera, edhe të ushtruarit e dhunës në gjirin e saj. Kjo është një dukuri e trashëguar nga e kaluara, por, mjerisht, edhe e kultivuar në të tashmen, çka lë të kuptohet se do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me gjithë përpjekjet e shtetit e të shoqërisë për ta luftuar këtë dukuri.

Shprehja proverbiale, fort e vjetër në gjuhën shqipe, sipas së cilës “druri ka dalë nga xheneti”, e konfirmon më së miri mendësinë e dhunës së ushtruar edhe në gjirin e familjes. Sigurisht, dhunën, si fizike ashtu edhe psikologjike, e ushtron ai që gëzon autoritetin më të lartë në familje, pra, në më të shumtën e rasteve, babai, por, në mungesë të tij (largim i përkohshëm apo i përhershëm), fëmija më i madh, sidomos po të jetë mashkull. Kështu, vëllai i madh, veçanërisht kur nuk e ka kapërcyer shëndetshëm kompleksin e Edipit, shpesh merr prerogativat e babait, bëhet autoritar, arrogant dhe, më keq akoma, tregohet i rreptë, madje i vrazhdë e i dhunshëm. Në shumë raste, kjo sjellje vjen edhe si pasojë e dhunës që babai ka ushtruar në prani të djalit të madh ndaj së shoqes, si edhe ndaj vetë djalit të madh, i cili, në këtë mënyrë, gjen rastin të kompensojë dhimbjen e vet dhe lëndimin e sedrës mashkullore duke ushtruar dhunë mbi të vëllezërit dhe të motrat. I njëjti mekanizëm psikologjik vihet në lëvizje, sigurisht më rrallë, edhe tek vajza e madhe kur babai, i dhunshëm (ose psikologjikisht i huaj) ndaj gruas e fëmijëve, vdes ose largohet përfundimisht nga gjiri i familjes. Vajza e madhe, sidomos kur nuk e ka kapërcyer shëndetshëm kompleksin e Elektrës, kërkon, në mënyrë të pavetëdijshme, të afirmojë personalitetin e saj edhe duke marrë hak për të ëmën, me të cilën, siç e ka theksuar Aldo Naouri, pediatër i njohur francez me formim psikanalitik, e lidhin mijëra fije, ndër të cilat edhe mëmësia e saj e ardhshme.

Nga ana tjetër, dhuna në familje e ushtruar nga “zëvendësuesi” ose “zëvendësuesja” e babait, përforcohet edhe nga faktorë socialë si tensionet e shkaktuara nga problemet socialekonomike, që sot janë një burim gati i pashtershëm stresi; çdo pjesëtar i familjes mund të kthehet fare lehtë në një pikë shkarkimi të këtyre streseve, madje, në familjet me shumë fëmijë, përjashto babanë ose zëvendësuesin/en e tij, i cili ushtron dhunë, dhe fëmijën më të vogël, pra, më të pambrojtur, që pëson dhunë, të tjerët janë ose mund të jenë njëherazi dhunues e të dhunuar, çka i çon ata/ato drejt një dikotomie jo pa pasoja për personalitetin e tyre.

Sindroma e “zëvendësuesit të babait” mund të vihet re edhe jashtë familjes, për shembull në bashkësi më të shumta në numër si ekipe, stafe, skuadra, institucione, parti apo shoqata të tipeve të ndryshme. Sindromë shoqërisht e rrezikshme…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top