Këshilla & Arsye

May 12, 2017 | 10:22

Si të kaloni periudhën e papunësisë

Në këtë periudhë të gjatë krize ekonomike, gjithnjë e më shumë njerëz gjenden të papunë e vuajnë nga stresi. Të ndiheni keq shpirtërisht apo të ndiheni vulnerabël e të inatosur pasi keni humbur punën është normale, ashtu siç është po aq e thjeshtë të bini në një gjendje nervozizmi, e cila nuk ju lejon të ringriheni dhe të përballeni me stil e kurajë me këtë situatë. Thuhet se mbyllet një derë për t’u hapur një portë, shprehje që inatos edhe më shumë ata që natyrisht nuk shohin asgjë të mirë e pozitive me statusin e të papunit. Por të dekurajoheni dhe ta shndërroni jetën tuaj dhe atë të të tjerëve në një ferr të vërtetë nuk është zgjidhja e problemit. Kemi përzgjedhur disa këshilla se si të bëni për të kaluar periudhën e sikletshme të papunësisë…

 untitled

Pranoni një punë të përkohshme

Shumica e punëdhënësve këshillojnë që një punë e përkohshme është më mirë se asgjë. Përse? Sipas Andy Teach, autor i librit “From Graduation to Corporation: The Practical Guide to Climbing the Corporate Ladder One Rung at a Time” shpjegon se çelësi qëndron që t’u tregoni sa më shumë njerëzve të mundshëm punën tuaj dhe se çfarë jeni të aftë të bëni. Nëse e kryeni një detyrë në mënyrë të shkëlqyer, edhe pse në një vend të përkohshëm, kushdo është më i prirë t’ju japë referencat e duhura për një punë me kohë të plotë.

Bëni punë vullnetare

Puna vullnetare ju jep mundësinë t’i komunikoni një punëdhënësi të mundshëm diçka rreth karakterit tuaj.Tregoni se keni një pasion në veçanti, u përkushtoheni të tjerëve dhe që paratë nuk janë motivimi juaj kryesor. Kur ndërmarrjet punësojnë njerëz, kërkojnë jo vetëm persona që ia dalin të bëjnë punën, por edhe njerëz me integritet.

Hapni një blog për profesionin tuaj

Hapja e një blogu për profesionin tuaj mund të jetë një mënyrë shumë e mirë për të reklamuar veten kundrejt punëdhënësve të mundshëm. Përse? Do t’u tregoni atyre që do të lexojnë blogun se jeni ekspert në fushën tuaj. Veç të tjerash do t’u komunikoni pasionet tuaja, do të shtoni njohjet dhe do të dalloheni nga të tjerët. Punëdhënësit e mundshëm do të shohin që keni marrë inisiativa gjatë kërkimit të punës, i kushtuar kohë diçkaje që e keni shumë për zemër: karrierës suaj.

Informohuni mbi njoftimet e punës

Ekspertët e CareerBuilder thonë se teknologjia informative, inxhinieria, mjekësia, shitjet dhe shërbimi i klientit janë disa sektorë që punësojnë më shumë njerëz, ndaj lexoni rregullisht kërkesat për punë. Informohuni për mundësitë e punës në këto fusha.

Përdorni kohën për të gjeneruar ide

Edhe nëse ideja juaj i përket një fushate marketingu, flukseve të reja të të ardhurave, uljes së shpenzimeve, kandidati që paraqitet në një intervistë pune me ide interesante tregon që ka pasion, njohuri dhe interes ndaj një mundësie punësimi. Këta kandidatë dallohen gjithmonë nga të tjerët.

Lidhuni me të tjerët

Nëse curriculumi juaj i dorëzohet punonjësit që merret me shqyrtimin e CV-ve nga një koleg i tij në ndërmarrje, është më e lehtë që ai ta marrë në konsideratë. Ndërtoni dhe zgjeroni rrjetin tuaj të njohjeve dhe kontakteve nëpërmjet mediave sociale. Thuajini miqve, familjarëve e njerëzve të tjerë që po kërkoni një punë dhe kërkoni ndihmën e tyre për të gjetur lidhjet e duhura në ndërmarrjet ku keni interes të filloni punë.

Vazhdoni bisedimet

Sipas CareerBuilder, dy të tretat e punonjësve nuk e kontaktojnë punëdhënësin pasi i kanë dërguar CV-në e tyre. Është e rëndësishme ta bëni këtë hap për të komunikuar me punëdhënësin. Pas një interviste punë dërgoni gjithmonë një e-mail falenderimi për mundësinë që ju ka dhënë, thjesht dhe duke ju pritur në zyrë.

Përdorni fjalë kyç

Nëse jeni duke kërkuar një punë, është e mundur që të kaloni mjaftueshëm kohë duke shkruar, ndryshuar dhe nisur CV-në tuaj. Kini parasysh të përdorni fjalë kyçe. Përse? Ekspertët e CareerBuilder thonë se pjesa më e madhe e punëdhënësve përdor programe kompjuterike për të filtruar dhe klasifikuar kandidatët. Bëni të mundur të modifikoni CV-në tuaj derisa të përputhet ekzaktësisht me pozicionin për të cilin po aplikoni dhe sigurohuni të përfshini fjalët kyç që shfaqen në njoftimin e punës. Nëse bëni këtë CV-ja juaj do të ketë më shumë mundësi të dallohet nga punëdhënësit. Të gjitha pikat e mësipërme i tregojnë punëdhënësit që kandidati për punë është serioz përsa i përket zhvillimit të karrierës së tij dhe ka përdorur sa më mirë kohën e lirë për shkak të papunësisë. Çelësi qëndron që të tregoni si dhe përse puna vullnetare, blogu, kursi i kualifikimit dhe puna e përkohshme ju kanë përgatitur për punën e radhës. Nëse ia dilni, periudha e papunësisë nuk do të jetë një problem dhe në fund do t’ia dilni të gjeni punën tjetër.

Në fund

Sjellja që do të keni është thelbësore. Nëse jeni në depresion dhe të zhgënjyer, mos shkoni të bëni një intervistë pune, ose të paktën, bëni të mundur që kjo gjendje t’ju kalojë sa më shpejt. Kandidatët më të mirë janë të edukuar dhe të interesuar: shkojnë në orar në takim, por jo shumë herët, shtrëngojnë dorën e bashkëbiseduesit me vendosmëri, buzëqeshin, janë të veshur në mënyrën e duhur dhe më pas, kur takimi ka përfunduar, dërgojnë gjithmonë një e-mail falënderimi.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top