Njerëzit që kanë përjetuar abortin gjatë shtatzënisë tregojnë se çfarë i ndihmoi për ta përballuar këtë situatë. Humbja e shtatzënisë është një ndër situatat më të vështira që dikush mund të kalojë në jetë. Rreth 15% deri në 20% e shtatzënive mund të përfundojnë me abort.
Ja disa mënyra për t’u kujdesur për veten pas një aborti:
Shkruajini ndjenjat tuaja
Pas abortit të saj të tretë, Amy Tangerine, autorja “Making Memories”, iu drejtua ditarit. “ Të shprehesha duke shkruar më ndihmoi për të kuptuar se nuk ishte faji im apo i trupit tim për atë që ndodhi”, tha Tangerine. Kailey Clymer, një konsulente për marrëdhëniet me publikun në Bucks County, Pennsylvania, filloi një blog, për të përballuar humbjen e djalit të saj.
Qëndroni me persona që e kuptojnë dhimbjen tuaj
Lidhja me të tjerët që kanë përjetuar këtë lloj humbjeje mund të jetë shumë shëruese. “Të dish se nuk je vetëm, të mësosh se si njerëzit e tjerë po e trajtojnë këtë dhimbje dhe të kesh dikë për t’u lidhur gjatë momenteve veçanërisht të vështira është e fuqishme,” tha Sarah Levine-Miles, punonjëse sociale e licencuar dhe psikoterapiste perinatale.
Vendosni kufij
“Të dashurit, pavarësisht se sa shumë kujdesen dhe përpiqen, ndonjëherë mund t’ju mërzisin nëpërmjet komenteve dhe këshillave pa vend”, tha Dr. Lora Shahine, një endokrinologe riprodhuese në Pacific Northwest Fertility në zonën e Seattle. Ajo sugjeroi që ta rrethoni veten me persona pozitivë, të refuzoni ftesat për baby shower dhe të bëni një pushim nga mediat sociale.
Mos e shtyni dhimbjen
Hiqni dorë nga pritshmëritë rreth produktivitetit dhe asaj që “duhet” të bëni. “Është e rëndësishme të mbani mend se nuk është vetëm shëndeti juaj fizik që ka rëndësi gjatë humbjes së shtatzënisë, por edhe shëndeti juaj mendor mund të vuajë gjatë kësaj kohe”, tha Matt Grammar, terapist i licencuar dhe themelues i Qendrës së Këshillimit në Kentaki. Ata që humbasin një shtatzëni kalojnë ndryshime të mëdha hormonale, të cilat mund të çojnë në një shumëllojshmëri emocionesh. “Të jesh i duruar me veten gjatë këtyre ndryshimeve mund t’ju ndihmojë të filloni të shëroheni,” shtoi Grammar.
Flisni për këtë
“Nëse nuk shpreheni me personat tuaj më të afërt, ata nuk mund të jenë kurrë pranë jush kur jeni të pikëlluar,” tha White. “Më duhej të flisja për përvojën time dhe ta ndaja atë me personat që ishin të gatshëm të dëgjonin. Duke bërë kështu, gjeta mbështetje nga njerëzit më të papritur”- përfundon White.
Përgatiti K.I / Burimi huffpost.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.