FB

September 1, 2025 | 10:30

Si të marrim vendime të menduara për shpenzimet e mjeteve shkollore të fëmijëve

 

Fillimi i vitit shkollor është një periudhë ngarkuar emocionalisht dhe financiarisht për shumë prindër. Lista e gjatë e mjeteve shkollore shpesh sjell ndjesi presioni, krahasimi dhe madje ndjenjë faji nëse nuk arrijmë të blejmë gjithçka ose më të mirën për fëmijët tanë. Por çfarë thotë psikologjia për këtë proces? A ka mënyra të zgjuara për të balancuar dëshirën për të plotësuar nevojat e fëmijës me një menaxhim të shëndetshëm financiar?

blerje-shkolla-artikuj

1.Shpenzimet për mjetet shkollore nuk janë dashuri e matur me para

Shumë prindër ndihen të detyruar të blejnë më të shtrenjtën ose më të bukurën, duke menduar se kjo përkthehet në “kujdes” ose “dashuri”. Psikologjikisht, ky është një ngatërrim mes dashurisë prindërore dhe konsumizmit emocional. Është normale të duam më të mirën për fëmijën tonë, por është e rëndësishme të kuptojmë se vetëvlera dhe ndjenja e sigurisë nuk vijnë nga lapsat me markë ose çantat e shtrenjta, por nga ndjesia e përfshirjes dhe dashurisë në familje.

 

2.Blerja e vetëdijshme: Si të bëjmë diferencën mes “nevojës” dhe “dëshirës”

Psikologjia e vendimmarrjes sugjeron të ndalemi për një moment dhe të pyesim:

A e ka realisht të nevojshme fëmija këtë send?

Apo është një impuls për t’u krahasuar me të tjerët?

A mund ta zgjidh këtë nevojë me një alternativë më ekonomike, pa kompromentuar cilësinë?

Për këtë e mira është të krijoni një listë të ndarë në dy kategori:

-Të domosdoshme (fletore, stilolapsa, lapsa, goma, etj.)

-Të dobishme, por jo urgjente (çanta e re, ngjyra të veçanta, etj.)

 

3.Përfshirja e fëmijës në procesin e zgjedhjes: edukim financiar dhe emocional

Në vend që të bëjmë gjithçka vetë, përfshirja e fëmijës në vendimmarrje ndihmon në zhvillimin e vetëdijes financiare dhe të mirënjohjes. Jepni atyre një buxhet fiks për disa artikuj dhe lërini të zgjedhin çfarë preferojnë më shumë. Kjo i mëson ata të bëjnë kompromise, një aftësi thelbësore për jetën.

 

4.Ku të kursejmë dhe si?

Rivlerësimi i artikujve ekzistues: Bëni një kontroll në shtëpi për çantat, lapsat, fletoret që mund të përdoren sërish.

Blerje në grupe: Bashkëpunoni me prindër të tjerë për të blerë me shumicë dhe për të përfituar ulje.

Dyqane alternative: Zgjidhni dyqane me çmime më të ulëta ose pritni periudhat e zbritjeve.

Shkëmbime mes fëmijëve: Inkurajoni shkëmbimin e librave, veshjeve ose aksesorëve mes fëmijëve.

DIY (bëje vetë): Personalizimi i mjeteve shkollore në shtëpi jo vetëm kursen, por i jep fëmijës ndjesinë e përfshirjes dhe kreativitetit.

 

5.Menaxhimi i presionit social

Nuk është e lehtë të thuash “jo” kur fëmija sheh çfarë kanë të tjerët. Por është një moment për edukim emocional. Bisedoni me ta për vlerat, për dallimin mes “të dukurit” dhe “të qenit”, dhe inkurajoni ndjesinë e vetëvlerësimit të brendshëm, që nuk varet nga markat apo produktet.

 

Të kujdesesh për fëmijën nuk do të thotë të shpenzosh pa fund. Një prind i vëmendshëm është ai që mëson fëmijën të jetë i mençur, i vetëdijshëm dhe i qëndrueshëm emocionalisht, dhe kjo fillon që në blerjet e thjeshta të fillimit të shkollës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top