Durimi nuk është një cilësi natyrale: ne lindim të padurueshëm. Frustrimi që lind nga përplasja midis dëshirës dhe kënaqësisë që i fal kjo dëshirë, është një ndjenjë e patolerueshme edhe nga një i porsalindur kur kërkon të pijë.
Pak nga pak, me ndihmë të një mjedisi më të pranueshëm, i porsalinduri e pranon pritjen dhe mëson të bëhet më i durueshëm. Megjithatë, bota dhe realiteti vlerëson shpejtësinë (interneti, celularët…). Vështirësia është të dish se kur duhet të jesh i durueshëm, si duhet ta pranosh këtë ndjenjë, por edhe të dish të reagosh kundër saj për të gjetur arsyen.
1. Disa gjëra duan kohën e tyre
Ne jetojmë në një botë që ecën nxitimthi dhe harrojmë shpesh që jo çdo gjë mund të jetë gati në çast. Arsyeja duhet të thërrasë në ndihmë durimin, duke të kujtuar se disa gjëra kërkojnë kohë e koha në këtë rast nuk është pasivitet apo paefektshmëri. Kjo ka vlerë për të gjitha sferat e jetës: për shembull dhimbjet e mëdha, të shkaktuara nga një vdekje apo një ndarje, përveç të tjerave, është edhe koha që i shëron.Për t’u kthyer në forcë, durimi duhet në çdo rast të mbahet gjallë nga shpresa. Mos harroni, nëse durimi nuk ushqehet nga qëllimi, ai kthehet në një ndjenjë të rëndomtë përulësie e qetësia vrastare.
2. Elementet shpërthyes
Padurimi është shpesh pasojë e një irritimi, acarimi, ngarkese, lodhjeje. Nga vinë këto ndjenja? Ju mund të hartoni një listë të ngjarjeve, njerëzve, fjalëve, rrethanave që mund t’ju bëjnë të humbisni gjakftohtësinë. Nëse ju jeni të ndërgjegjshëm për ato rrethana që ju bëjnë të humbisni durimin, ju do të arrini të keni gjithçka nën kontroll e të arrini të shmangni shumë gjëra. Megjithatë, padurimi mund të jetë edhe një forcë që nuk ju lejon të pranoni gjithçka në mënyrë pasive. Ndaj, përpiquni të bëni një analizë të ndjenjave tuaja: padurimi është për ju një forcë që ju shtyn të reagoni, apo një shfaqje e vështirësisë që ju keni për të duruar?
3. Mësoni ta organizoni më mirë kohën tuaj
Përpiquni të parandaloni ato situata që ju bëjnë të humbni durimin: Ju duhet të prisni gjatë, të udhëtoni gjatë, jeni i bllokuar diku… mos harroni… koha kalon shumë shpejt nëse keni një libër me vete. Jeni të mbytur në punë, nuk dini si t’ia dilni… Shihni cilat janë gjërat më të rëndësishme e filloni me to, fiksoni objektiva të realizueshëm e përpiquni të gjeni kënaqësi tek ajo që ju bëni: që nga momenti që dikush ju vlerëson, çdo gjë do të duket shumë e lehtë edhe për ju, edhe koha edhe energjia. E mos harroni që askush nuk është perfekt, as ju, as kolegët tuaj, as familja juaj. Mos i mbani inat për padurimin e tyre, e nga ana tjetër mos e humbisni durimin kur gjithçka nuk shkon sipas parashikimeve tuaja.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.